Dëshmorët Petro, Dionisi, Kristina, Andrea, Irakliu.

 

Në kohën e persekutimit të Decit, Petroja, i cili ishte një i ri i krishterë nga Lampsaka, bujar, plot besim, u ndalua dhe u çua para qeveritarit Abido. Kur ky i fundit po e nxiste t’i sakrifikonte Afërditës, Petroja u përgjigj se kurrë nuk adhuronte një gjë kaq të ndyrë, pasi adhurimi dhe lëvdimi i përkasin vetëm Perëndisë së vërtetë. Si pasojë, e lidhën në një rrotë me zinxhirë me dhëmbë druri që t’ia copëtonin kockat. Sa më mizore ishin torturat, aq më shumë kurajë kishte atleti i Krishtit. Duke parë se shenjti nuk dorëzohej, Abido vendosi t’i prisnin kokën.

Pavlini dhe Andrea ishin ushtarë nga Mesopotamia që po ktheheshin në Athinë me qeveritarin dhe ishin caktuar të ruanin një vajzë të re, virgjëreshën e bukur Kristina. Të tërhequr nga bukuria e saj, përpiqeshin t’i mbushnin mendjen që ajo të mëkatonte, por nga nxitjet e së resë ata u kthyen në besim. Nga ky kthim në besim, Pavlini dhe Andrea u vranë me gurë, kurse Kristinës i prenë kokën.

Ndërsa Nikomaku rrëfeu me zë të lartë se ishte i krishterë, por nuk mundi t’i duronte dot torturat dhe e mohoi përsëri. U bë pre e një demoni dhe dha shpirt mjerueshëm.

 

* * * * *

Dëshmorët Irakliu, Dionisi, Benedimi.

Irakliu, Pavlini dhe Benedimi ishin të krishterë nga Athina, të cilët predikonin pa frikë Ungjillin dhe i nxisnin hapur paganët të hiqnin dorë nga besëtytnitë e tyre. I kapën dhe i nxorën para qeveritarit. I rrahën me kamxhik dhe, pas shumë torturash, i hodhën në furrë të ndezur, ku fituan kurorën e lavdishme të martirizimit.