– Apostulli – Veprat e Apostujve 4:23-31.
Edhe si u lëshuan, erdhën tek të tyret, dhe njoftuan për gjithë sa u thanë atyre kryepriftërinjtë dhe pleqtë. Edhe ata kur dëgjuan, me një mendje ngritën zërin tek Perëndia, dhe thanë: O Zot, ti je Perëndia, që bëre qiellin dhe tokën dhe detin, dhe gjithë sa janë në ta;Ti që ke thënë me anë të gojës së shërbëtorit tënd David: “Përse shfrynë kombet dhe shkuan ndër mend punë të kota?
Mbretërit e dheut qëndruan përpara dhe të parët u mblodhën kundër Zotit, dhe kundër të Lyerit të tij”. Sepse me të vërtetë u mblodhën kundër birit tënd të shenjtë Jisu, të cilin e leve me vaj, edhe Irodi e Ponti Pilat bashkë me kombet e me popujt e Izraelit, që të bëjnë gjithë sa urdhëroi që përpara të bëhen dora jote dhe këshilla jote.
Edhe tani, o Zot, vështro në kërcënimet e tyre ndaj nesh, dhe jepu shërbëtorëve të tu të flasin fjalën tënde me çdo guxim, duke zgjatur dorën tënde të bëhen shërime e shenja e çudira në emër të birit tënd të shenjtë Jisu. Edhe si u lutën ata, u tund vendi ku ishin mbledhur, dhe u mbushën që të gjithë me Shpirt të Shenjtë, dhe flisnin fjalën e Perëndisë me guxim.