Oshënar Pahomi i Madh.
U lind prej prindërve idhujtarë në Tebaidë të Egjiptit ndërmjet viteve 290 dhe 292. Në moshën 20-vjeçare, ndërsa ishte ushtar, u josh nga virtyti i të krishterëve dhe u lirua, studioi besimin dhe u pagëzua. Po atë natë në ëndërr shijoi ëmbëlsinë e Hirit, dhe kështu vendosi që t’i kushtohej Perëndisë. Me këmbëngulje dhe durim u pranua më në fund nga eremiti i rreptë Palamon (12 gusht). Më vonë, me bekimin e tij shkoi në një fshat të braktisur në brigjet e lumit Nil, në Tabenes. Aty ndërtoi një manastir dhe ishte i pari që futi sistemin e jetës murgërore të përbashkët (kinoviake), që murgjit të rrojnë së bashku dhe, rrjedhimisht, të jenë më shumë në mbikëqyrje dhe në vartësi të arkimandritit.
Shumë herë demonët u përpoqën me çdo mënyrë ta ndalonin, por dështuan. Shumë shpejt murgjit e tij u bënë 100. Më pas u desh të hapeshin manastire të reja (320-346), zakonisht në largësi të vogla: 9 manastire burrash dhe 2 grash, të cilat i drejtonte e motra, me gjithsej 7000 (sipas një informacioni tjetër 1400) anëtarë.
Një engjëll i sugjeronte herë pas here për organizimin e vëllazërisë. Kështu, oshënari e ndau vëllazërinë në 24 urdhra, sipas shkronjave të alfabetit grek: më të urtit dhe të virtytshmit shkronja “I” – ata më të vështirët dhe të shtrembrit shkronja “ξ (ks)”. Bënte shoqëri me egërsira, fliste gjuhë të huaja, shëronte sëmundje trupore dhe shpirtërore duke përdorur predikimin së bashku me dashurinë, përulësinë, “dallueshmërinë” dhe parashikimin. Ndaj, ai dërgoi në Qiell shumë shenjtorë vartës të tij, prej të cilëve disa i shihte ndërsa i merrnin engjëjt.
Së fundi, dhe ai shkoi në Qiell (9 maj 346), pas 40 ditësh të një epidemie të tmerrshme. Sëmundja korri 100 nga etërit, gjatë një mbledhjeje të përgjithshme të pahomianëve (Pashkë 346). U varros në një vend të fshehtë, sipas dëshirës së tij, nga nxënësi i dashur, Theodhori i Shenjtëruar (16 maj), pasardhësi i tretë i tij.
* * * * *
Oshënar Akili i Larisës.
Oshënar Akili lindi në Kapadhoki nga prindër të perëndishëm dhe fisnikë, të cilët i dhanë edukim në shkencat profane, por sidomos në Shkrimet e Shenjta. Me kreshmën dhe agripnitë “ndiente lartësim në zemrën e tij”, dhe e ruante mendjen të paprekur nga turbullimet dhe përkujdesjet e botës. Në këtë mënyrë u denjësua të bëhej banesë e Shpirtit të Shenjtë. Kishte pamje engjëllore dhe sillej me thjeshtësi, të cilat e dallonin. Fjalët e tij kishin ëmbëlsi të veçantë dhe i nxisnin gjithë ata që i afroheshin për të imituar virtytet e tij.
Ishte ende i ri kur i vdiqën prindërit dhe, pasi shpërndau të gjithë pasurinë, u nis për pelegrinazh në Tokën e Shenjtë. Qëndroi te Varri i Shenjtë, e lau me lotët e tij dhe përparoi në lutje. Shkoi të vizitonte shumë mana-stire në shkretëtirën afër Jerusalemit, për të gjetur atje ngushëllim; dëshira e zjarrtë i digjte në zemër duke parë njerëzit e Perëndisë. I nxitur nga Përkujdesja hyjnore, ndërmori një pelegrinazh në Romë. Kur po nderonte varrin e apostujve të shenjtë, mori hirin e predikimit apostolik dhe filloi të përhapte Ungjillin me një forcë të tillë bindëse, saqë shumë paganë u kthyen në besim.
Si një apostull i ri, kaloi në vende të ndryshme, derisa arriti në Larisa, Thesali, ku e bënë episkop, për shkak të predikimeve dhe mrekullive. Administroi episkopatën me shumë kujdes baritor, si në çështjet shpirtërore, ashtu edhe në ndihmën ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të huajve. Ai i dha fund një thatësire, parashikoi sulmet nga barbarët dhe bëri gjithçka për të gjithë, që t’i çonte drejt Mbretërisë së Qiejve.
Fama iu përhap dhe shkoi deri te perandori, i cili e thirri në Sinodin e Parë Ekumenik në Nikea (325), ku mbrojti trimërisht Besimin Orthodhoks dhe sfidoi shumë arianë. Lutja e tij bëri që të buronte vaj nga një shkëmb. Si dëshmi të admirimit që kishte për shenjtorin, perandori Konstandin i bëri shumë dhurata, të cilat ua shpërndau të varfërve. Pas 35 vjetësh si episkop, shën Akili fjeti në paqe në Larisa, ku nderohet si mbrojtës i qytetit. Varri i tij, nga ku buron balsam erëmirë i ngjashëm me atë të shën Dhimitrit, ishte një nga qendrat kryesore të pelegrinazhit në Greqi, deri në pushtimin nga bullgarët, në vitin 985, të cilët ia çuan lipsanet në Prespë, kryeqyteti i tyre.