– Apostulli – Vep. 4:1-10
Edhe ndërsa ata ishin duke i folur popullit, erdhën mbi ata profetët dhe i pari i tempullit e Saduqenjtë, duke u zemëruar, sepse mësonin popullin dhe predikonin ngjalljen prej së vdekurish me anë të Jisuit, edhe vunë duart mbi ata, dhe i vunë nën ruajtje deri të nesërmen; sepse tashmë ishte ndaj të ngrysur. Edhe shumë nga ata që dëgjuan fjalën besuan; dhe u bë numri i njerëzve rreth pesë mijë. Edhe të nesërmen u mblodhën në Jerusalem të parët e tyre dhe pleqtë e shkruesit, edhe Ana kryeprifti e Kaiafa e Joani e Aleksandri, dhe gjithë sa ishin prej fare kryepriftërie. Edhe si i vunë ata në mes, i pyesnin: Me çfarë fuqie e me çfarë emri e bëtë këtë ju? Atëherë Pjetri u mbush me Shpirt të Shenjtë, e u tha atyre: O të parë të popullit dhe pleq të Izraelit, në qoftë se ne pyetemi sot për një të mirë që u bë mbi një njeri të sëmurë, me çfarë fuqie u shërua ky, le të jetë e ditur për gjithë ju dhe për gjithë popullin e Izraelit, se në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, të cilin ju e kryqëzuat, po të cilin Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, me anë të këtij qëndron ky tani përpara jush i shëndoshë.