Oshënarët Kirili e Metodi, Ndriçues të Sllavëve.
Ishin fëmijët e një ushtaraku të lartë në Selanik, i cili vdiq shpejt. Metodi lindi më 815 dhe Konstandini rreth vitit 827. Pesëdhjetë ditë para se të vdiste, Konstandini u dorëzua murg me emrin Kiril. Metodi ishte mbi 10 vjet guvernator i një zone të madhe (Strimonit të banuar nga sllavët). Mbasi dha dorëheqjen, murgëroi në malin Olimb të Vithinisë (në Azinë e Vogël).
Konstandini u arsimua më shumë dhe ka mundësi që të ketë pasuar, në universitetin e Konstandinopojës, profesorin e tij, Fotin e Madh (6 shkurt). Madje e kishte shoqëruar edhe në një mision tek arabët. Kur Foti bëhet patrik, e dërgoi me mision fetar te Hazarët (860). Më 862 sllavët e Moravisë (pothuajse Sllovakia e sotme) kërkojnë misionarë bizantinë dhe mbrojtje politike. “Konstandin filozofi” dhe filologu korife shpik mbas lutjes një alfabet për sllavët, “glagolitikun”. Zhvillim i të cilit është “ciriliku” (i Kirilit), d.m.th. ai rus i sotëm.
Mbasi përkthyen Shkrimin e Shenjtë dhe librat liturgjikë, të dy vëllezërit ushtruan aktivitet të frytshëm në Moravi bashkë me nxënës të tyre. U ftuan nga papa në Romë, ku Kirili ndërron jetë në moshën 42-vjeçare (14 shkurt 869), u varros dhe u tregua çudibërës. Metodi u dorëzua atje episkop (870) dhe vazhdoi veprimtarinë e tij në Moravi dhe Panoni (Hungaria) në mes të intrigave të vazhdueshme të klerikëve latino-gjermanë.
Midis të tjerash u dënua nga sinodi i tyre, u torturua dhe u burgos (870-873). Më 882 udhëtoi në Konstandinopojë, i ftuar nga perandori Vasil I (867-886). Ndërroi jetë pak mbas kthimit të tij, më 6 prill 884.
Oshënarët, të barabartë me apostujt, të cilët festohen dhe veças, sipas ditës së fjetjes së tyre, u treguan mirëbërës shumë të mëdhenj etnikë të të gjithë sllavëve.
* * * * *
– Hierodëshmor Moki –
Shën Moki lindi në Amfipolis të Maqedonisë, nga prindër fisnikë me origjinë nga Roma. U hirotonis prift dhe tregoi zell të zjarrtë, duke predikuar Ungjillin dhe nxitur bashkëqytetarët të hiqnin dorë nga adhurimi i idhujve.
Vitin e 19-të të mbretërimit të Dioklecianit (303), idhujtarët e denoncuan Mokin te prokonsulli Laodik, i cili kishte ardhur në qytet për të marrë pjesë në festat për nder të Dionisit. E nxorën para gjykatës, por ushtari i Krishtit, tërë shkëlqim dhe i sigurt, iu përgjigj me guxim magjistratit se nuk ekzistonte jetë tjetër veç Krishtit, prandaj përpiqej që t’i nxirrte njerëzit e tjerë nga terri, për t’i çuar në dritën e së Vërtetës.
I irrituar nga ky guxim, Laodiku urdhëroi ta lidhnin në një këmbalec dhe t’ia shqyenin mishin me fshikuj sa t’i dilnin kockat. Por martiri mori fuqi të reja nga kjo vuajtje dhe me guxim të dyfishuar dëshmoi sërish besimin para gjykatës.
Që ta frikësonte, prokonsulli urdhëroi të ndizej një furrë e madhe, zjarrin e së cilës e ushqenin me degë pemësh dhe lecka. Moki u shtir sikur u dorëzua dhe pranoi ta çonin në tempullin e Dionisit. Por, kur hyri atje, si u armatos me shenjën e Kryqit dhe me Emrin e Krishtit të Tërëfuqishëm, idhulli pa jetë u rrokullis dhe u bë copash me zhurmë të madhe. E hodhën edhe në një furrë të ndezur, por martirin e shenjtë nuk e dogjën flakët dhe të pranishmit panë tre persona të tjerë bashkë me të, të cilët edhe ata nuk i prekën flakët; njëri prej tyre kishte fytyrë më të shkëlqyer se dielli.
Zjarri vërshoi jashtë furrës dhe përpiu prokonsullin dhe nëntë priftërinj të Dionisit.
Atëherë, me urdhër të princit Thalasio, Mokin e futën në burg. Pas 26 ditësh, arriti në Amfipolis zëvendësuesi i Laodikut, i quajtur Maksimin. Kur mësoi se çfarë kishte ndodhur, e nxori Mokin për ta gjykuar. Shenjtori nuk iu nënshtrua, por rrëfeu më me forcë fitoren e Krishtit mbi idhujt. Deklaroi se parapëlqente më mirë të vdiste sesa të tregohej mosmirënjohës ndaj Perëndisë. Maksimini urdhëroi ta lidhnin në dy rrota që, kur rrotulloheshin, ia copëtonin mishin.
Ndërsa gjaku i derdhej në tokë, shenjtori himnonte Perëndinë dhe papritur rrotat u prishën. Pas kësaj e çuan përsëri në gjyq, të përgjakur, por të pacenuar. Pas tri ditësh, ia hodhën bishave në amfiteatër. Por ato vetëm iu afruan dhe i lëpinë plagët, ndërkohë turma nisi ta admironte shenjtorin dhe thirri që ta lironin ushtarin e Krishtit.
I detyruar t’i dorëzohej vullnetit popullor, Maksimini e dërgoi Mokin në Perinthea (Heraklea) të Thrakës, ku, pas tetë ditësh internimi, prefekti Filipisios dha urdhër ta çonin në Bizant. Atje e nxorën para gjykatës lokale të atij qyteti ende jo shumë të rëndësishëm dhe shën Moki priti vendimin e vdekjes së tij me tjetër lutje falënderimi.
I kërkoi Perëndisë ta falte atë popull për padijen dhe iu lut që ta udhëzonte në njohjen e së Vërtetës. Kur koka e tij ra nga shpata, u dëgjua një zë qiellor, që përshëndeste hyrjen e luftëtarit trim në korin e shenjtorëve. Episkopët që ishin të pranishëm e varrosën trupin e tij afër qytetit. Më vonë, në atë vend u ngrit një kishë e madhe kushtuar shën Mokit, e cila u bë një nga më të njohurat e kryeqytetit. Më pas u ngrit edhe një manastir.