– Ungjilli – Llukai 24:12-35.

 

Edhe Pjetri u ngrit e shkoi me vrap në varr; dhe u ul e pa vetëm pëlhurat që ishin përdhe. Edhe iku duke u çuditur me veten e tij për këtë ngjarje.

Edhe ja dy veta prej tyre ishin duke shkuar atë ditë në një fshat që quhej Emaus, që ishte gjashtëdhjetë stade larg nga Jerusalemi. Edhe ata flisnin në mes tyre për gjithë këto që kishin ngjarë. Edhe ndodhi që kur ata po flisnin e diskutonin, u afrua edhe vetë Jisui e ecte bashkë me ta. Po sytë e tyre mbaheshin për të mos e njohur atë.

Edhe ai u tha atyre: Ç’janë këto fjalë që debatoni njëri me tjetrin duke ecur, dhe pse jeni të vrenjtur? Edhe njëri, që e kishte emrin Kleopa, u përgjigj e i tha atij: Vetëm ti qenke i huaj në Jerusalem, dhe s’paske marrë vesh se ç’janë bërë në të këto ditë? Edhe ai u tha atyre: Cilat? Edhe ata i thanë: Punët e Jisu Nazaretasit, i cili qe njeri profet, i fortë në punë e në fjalë përpara Perëndisë dhe gjithë popullit; edhe si kryepriftërinjtë e të parët tanë e dorëzuan për dënim me vdekje dhe e kryqëzuan.

Dhe ne shpresonim se ishte ai që kishte për të çliruar Izraelin. Po me gjithë ato, sot është e treta ditë qëkurse u bënë këto. Por na habitën edhe disa gra prej nesh, të cilat shkuan shpejt qëmenatë në varr, edhe pasi nuk gjetën trupin e tij, erdhën duke thënë se kishin parë edhe një fanitje engjëjsh, të cilët thanë se ai rron. Edhe disa nga tanët shkuan në varr dhe e gjetën ashtu siç thanë edhe gratë; por atë nuk e panë. Atëherë ai u tha atyre: O të marrë dhe të vonuar në zemër për të besuar gjithë ato që folën profetët.

A nuk duhej t’i pësonte këto Krishti, dhe të hynte në lavdinë e tij? Edhe duke zënë që nga Moisiu dhe që nga gjithë profetët, u shpjegonte atyre ato që ishin shkruar për të nëpër gjithë shkrimet.

Edhe u afruan në fshatin ku po shkonin. Edhe ai bëri sikur kishte për të shkuar më tej. Po ata e shtrënguan tepër, duke thënë: Rri me ne, sepse është ndaj të ngrysur dhe dita u thye. Edhe ai hyri për të qëndruar bashkë me ta. Edhe si ndenji në tryezë bashkë me ata, mori bukën, e bekoi dhe e theu, edhe ua dha atyre. Atëherë u hapën sytë e tyre dhe e njohën; por ai humbi prej syve të atyre. Edhe ata i thanë njëri-tjetrit: A nuk digjej zemra jonë ndër ne, kur na fliste udhës dhe na zgjidhte shkrimet?

Edhe u ngritën në atë orë dhe u kthyen në Jerusalem, dhe gjetën të mbledhur bashkë të njëmbëdhjetët, dhe ata që ishin tok me ata, të cilët thoshin se me të vërtetë Zoti u ngjall dhe iu shfaq Simonit.

Edhe ata tregonin ç’u ngjau udhës, edhe si u njoh tek ata në thyerjen e bukës.