E Shtuna e Madhe.
Shërbesa e parë që i përket të Shtunës së Madhe, quajtur në Kishë Sabati i Bekuar, kryhet në mbrëmjen e së Premtes së Zezë. Zakonisht kryhet mbasdite për të përkujtuar varrimin e Krishtit.1 Përpara se të fillojë shërbesa, është përgatitur një “varr” (Kuvuklion) në mes të Kishës dhe është zbukuruar me lule. Gjithashtu një ikonë e veçantë e pikturuar ose e qëndisur në një pëlhurë (në greqisht epitafios2 dhe në sllavisht plashanica), ku paraqitet Shpëtimtari i vdekur, është e vendosur në Tryezën e Shenjtë. Shërbesa e Mbrëmësores, si zakonisht fillon me himne rreth vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit. Mbas hyrjes me Ungjillin dhe këndimin e “Dritë Gazmore”, lexohen pjesë prej Eksodit, Jobit dhe Isaisë 52. Apostulli është 1 Korinthianët (1:18-31) dhe Ungjilli përbëhet nga pjësët e katër Ungjijve, që tregojnë kryqëzimin dhe varrimin e Krishtit. Paravargu dhe vargjet që thuhen para këndimeve nga Shkrimi i Shenjtë, janë prej psalmeve, të cilat janë tashmë dëgjuar gjatë shërbesave të së Premtes së Zezë. Ata janë vargje me një kuptim profetik: Ata ndanë midis tyre rrobat e mia dhe hodhën short për tunikën time (Psalmi 22:18) Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise (Psalmi 22:1). Më vunë në gropën më të poshtme, më të errët dhe më të thellë (Psalmi 88:6).
Mbas disa himneve që lavdërojnë vdekjen e Krishtit, ndërkohë që kori këndon këngën përlëshuese të Shën Simeonit, prifti, i veshur i tëri me rroba të errta, temjanis epitafin, i cili ndodhet mbi Tryezën e Shenjtë. Pastaj, mbas Ati Ynë, ndërsa populli këndon troparin e ditës (përlëshoren), prifti shkon rrotull altarit, duke mbajtur mbi kokën e tij epitafin dhe e vendos në varrin, që ta nderojnë besnikët. Bujari Shën Josif, pasi e zbriti trupin tënd prej Kryqit të Çmuar, e mbështolli me savan të paqmë, e leu me vajra erëmirë dhe e vendosi në një varr të ri(Përlëshore e së Shtunës së Madhe). Shërbesa e Mëngjesit e së Shtunës së Madhe, zakonisht bëhet të Premten natën. Ajo fillon në mënyrë normale me këndimin e Perëndia është Zoti, përlëshoren Bujari Josif dhe troparet pasuese: Zbrite në vdekje dhe në varr për ne, ti o jetë e pavdekshme, Ferrin të vdekur e shtrive kur ndriçove si Perëndi; edhe kur i ngrite të vdekurit nga fundet e dheut, të gjitha fuqitë qiellore thirrën me zë të madh: O Krisht Perëndia Ynë Jetëdhënës, lavdi më Ty! Një engjëll qëndroi para varrit dhe iu thirri grave myrrëprurëse: Myrra është e përshtatshme për të vdekurit, por Krishti e tregoi veten të çliruar prej prishjes.
Në vend të psalmeve të zakonshëm, lexohet i tërë Psalmi 1193, me një varg që këndohet ndërmjet rreshtave, varg që lavdëron Shpëtimtarin e vdekur. Ky psalm i veçantë është ikona verbale e Jisuit, e njeriut të drejtë, jeta e të cilit është në duart e Perëndisë, prandaj dhe ai nuk mund të qëndrojë i vdekur. Lavdërimet,4 sikurse janë quajtur vargjet, e lavdërojnë Perëndinë si “Ngjallja dhe Jeta” dhe tregojnë habi për zbritjen e tij në vdekje. Në personin e Jisu Krishtit është unifikimi i përsosur i dashurisë së përsosur të njeriut ndaj Perëndisë dhe i dashurisë së Perëndisë ndaj njeriut. Kjo dashuri hyjnore-njerëzore soditet dhe lavdërohet mbi varrin e Shpëtimtarit. Me përparimin e këndimit, Lavdërimet bëhen më të shkurtra dhe gradualisht, më të përqendruara në fitoren përfundimtare të Zotit, duke ardhur kështu në përfundimin e duhur: Unë e dëshiroj me mall, o Zot, shpëtimin tënd dhe ligji yt është gëzimi im (Psalmi 119:174).
Mendja është e trembur nga varrimi yt i frikshëm dhe i çuditshëm. Lermë të jetoj, që të të lavdëroj dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua (Psalmi 119:175). Gratë me myrra erdhën herët që të lyenin Ty. Unë po endem si një dele e humbur. Kërkoje shërbëtorin tënd, se nuk i harrova porositë e tua. Me ngjalljen Tënde fali Kishës paqe dhe popullit Tënd shpëtim. Mbas lavdërimit final të Trinisë së Shenjtë, Kisha ndriçohet dhe kumbon lajmërimi i parë i grave, që po vijnë në varr, nëpërmjet popullit, ndërsa prifti temjanis tërë Kishën. Këtu, për herë të parë, vjen e qartë shpallja e lajmit të mirë të shpëtimit në Ngjalljen e Krishtit.
Kanoni i Mëngjesores vazhdon lavdërimin e fitores së Krishtit mbi vdekjen me anë të vdekjes së tij dhe e përdor secilën nga këngët e Dhiatës së Vjetër, si një shëmbëllesë parafigurative të shpëtimit përfundimtar të njeriut nëpërmjet Jisuit. Këtu, për herë të parë del kuptimi që ky Sabat – kjo e Shtunë e veçantë, në të cilën Krishti shtrihet i vdekur- është me të vërtetë dita e shtatë e bekuar, një ditë më e mirë se kjo kurrë nuk ka ekzistuar. Kjo është dita kur Krishti pushoi nga tërë veprat e tij të rikrijimit të botës. Kjo është dita kur Fjala e Perëndisë “me anë të cilës u bënë të gjitha gjërat” (Joani 1:3), pushoi në varr, si një njeri i vdekur, duke e shpëtuar botën e krijimit të tij dhe duke hapur varret:
Po ky është Sabati i përmbibekuar, në të cilin Krishti fle, por do të ngjallet ditën e tretë (Shkurtorja dhe Shtëpia). Përsëri Kanoni mbaron me notën finale të fitores së Krishtit. Mos më vajto ti moj Nënë, kur më sheh të varrosur, Birin e dashur, që ke lindur virgjërisht, se do të ngrihem prapë dhe do të lavdërohem dhe do t’i lartësoj si Perëndi, ata që të madhështojnë besërisht (Kënga e nëntë e Kanonit). Vazhdohet të këndohen vargje lavdërimi. Në kohën kur këndohet Dhoksologjia e Madhe, prifti i veshur me rroba të errta, temjanis përsëri varrin e Shpëtimtarit. Pastaj, populli me qirinj të ndezur, duke kënduar në mënyrë të përsëritur Himnin Trishenjtor, i kryesuar nga prifti që mban Ungjillin në duar dhe mbi kokë mban epitafin5, shkon në procesion jashtë Kishës. Ata shkojnë rrotull kishës, duke dëshmuar për fitoren e Krishtit mbi fuqitë e errësirës dhe vdekjes. E tërë gjithësia është larë, restauruar dhe shpëtuar, nëpërmjet hyrjes së Jetës së Botës në vdekjen. Kur procesioni kthehet brenda në Kishë, troparet këndohen përsëri dhe profecia e Ezekielit rreth “kockave të thata” të Izraelit këndohet me solemnitet të madh:
Dhe ju do të më njihni që Unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im. Do të shtie tek ju Frymën time dhe ju do të jetoni… (Ezekieli 37:13-14). Pastaj kemi vargjet fitimtarë të psalmeve që i thërrasin Perëndisë të ngrihet, të nxjerrë të djathtën e tij, të shpërndajë armiqtë e tij dhe të gëzojë të drejtin. Vazhdohet me këndimet e përsëritura të Aliluiave, me letrën e Apostull Pavlit drejtuar Korinthianëve: “sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (1 Korinthianët 5:7). Pastaj, përsëri këndohet Ungjilli rreth vulosjes së varrit dhe shërbesa mbyllet me ndërmjetësimin dhe bekimin.
Mbrëmësorja dhe Mëngjesorja e Sabatit të Bekuar, e cila vjen pas, formojnë një kryevepër të traditës liturgjike orthodhokse. Këto shërbesa, nuk janë aspak një rivënie dramatike në skenë e vdekjes dhe e varrimit historik të Krishtit dhe as një lloj riprodhimi ritual i skenave të Ungjillit. Por, ato janë më tepër depërtimi më i thellë shpirtëror e liturgjik, në kuptimin e përjetshëm të ngjarjeve shpëtimtare të Krishtit, të parë dhe të lavdëruar tashmë me njohurinë e plotë të rëndësisë dhe fuqisë së tyre hyjnore.
Kisha nuk pretendon sikur nuk e di se çfarë do të ngjasë me Jisuin e kryqëzuar. Ajo nuk dëshpërohet dhe nuk mban zi për Zotin, sikur ajo të mos ishte vetë krijimi i dalë nga brinja e plagosur dhe nga thellësia e varrit të tij. Nëpër tërë shërbesat soditet fitorja e Krishtit dhe shpallet ngjallja. Sepse vetëm në dritën e ngjalljes fitimtare mund të kuptohet me të vërtetë kuptimi i thellë dhe i përjetshëm i pësimit dhe vdekjes së Krishtit, i cili është vlerësuar dhe lavdëruar në mënyrë të përshtatshme. Të Shtunën e Madhe, Mbrëmësorja kryhet së bashku me Meshën Hyjnore të Shën Vasilit të Madh. Shërbesa tashmë i përket të Dielës së Pashkës. Ajo fillon normalisht me psalmin mbrëmësor, litaninë, himnet që pasojnë Psalmin 14 dhe Hyrjen e Madhe me këndimin e himnit mbrëmësor Dritë Gazmore.
Mbas hyrjes që është bërë me Ungjill, këndohen pesëmbëdhjetë pjesë prej Dhiatës së Vjetër, të gjitha të lidhura me veprën e Perëndisë të krijimit dhe shpëtimit, vepër e cila është përmbledhur dhe përmbushur në ardhjen e parashikuar të Mesias. Përveç këndimeve nga Gjeneza, rreth krijimit dhe nga Eksodi, rreth pashkës së Izraelitëve në kohën e Moisiut, kemi gjithashtu pjesë prej profecive të Isaisë, Ezekielit, Jeremisë, Danielit, Sofonisë dhe Jonait; si edhe prej Jisu Naviut dhe Librit të Mbretërve. Këndohen gjithashtu, Kënga e Moisiut dhe e Tre Djemve, që gjendet tek libri i Danielit. Mbas këndimeve nga Dhiata e Vjetër, kremtuesi intonon thirrjen e zakonshme liturgjike për këndimin e Himnit Trishenjtor, por në vend të tij këndohet vargu nga Galatianët: “Sa u pagëzuat me Krishtin, me Krishtin u veshët. Aliluia (Galatianët 3:27).
Si zakonisht, në Meshën Hyjnore bëhet këndimi i Apostullit. Pjesa është po ajo e Pagëzimit në Kishën Orthodhokse (Romanët 6:3-11). Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij (Romanët 6:5). Në këtë kohë Dyert e Bukura mbyllen dhe kremtuesit dhe shërbyesit e altarit i ndërrojnë veshjet e tyre nga veshjet e errta të pësimit të Krishtit, në ato të ndritshmet të fitores së Tij mbi vdekjen. Në këtë kohë të gjitha veshjet e mbulesat e Kishës janë ndërruar, gjithashtu, në ngjyra të ndritshme, si shenjë e fitores së Krishtit mbi mëkatin, djallin dhe vdekjen. Kjo riveshje bëhet gjatë kohës që populli këndon vargjet e Psalmit 82: Ngrihu o Perëndi edhe gjykoje dhenë, sepse Ti do i trashëgosh tërë kombet.
Mbas këndimit solemn të vargjeve të psalmit, tek të cilat shtohen shpesh himnet që e lavdërojnë Krishtin si Pashka e Re, Flijimi i Gjallë që është therur, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatet e botës; kremtonjësit dalin nga altari për të shpallur mbi varrin e Krishtit sihariqin e gëzuar të triumfit të tij mbi vdekjen dhe porosinë e tij tek apostujt: “Bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë dhe duke i mësuar të ruajnë gjithçka që ju kam porositur juve…” (Mattheu 28:1-20). Ky Ungjill këndohet gjithashtu në Shërbesën e Pagëzimit të Kishës Orthodhokse. Pastaj, Mesha Hyjnore vazhdon me shkëlqimin e shkatërrimit të vdekjes nga Krishti. Himni i mëposhtëm zëvendëson Himnin Keruvik.
Heshtni që të gjithë ju o njerëz, qëndroni me tmerr dhe me frikë dhe mos u mejtoni për gjëra të dheshme; se Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve vjen që të theret, edhe të jepet për t’u ngrënë tek besnikët. Përpara atij po shkojnë rangjet e engjëjve, bashkë me të gjithë kryesitë dhe pushtetet, keruvimet e shumësyshëm dhe serafimet gjashtëkrahësh, duke e mbuluar fytyrën dhe duke kënduar himnin: Aliluia! Aliluia! Aliluia! Në vend të Himnit të Hyjlindëses këndohet përsëri kënga e nëntë e Kanonit të Mëngjesit: “Mos më vajto ti moj Nënë… se do ngrihem prapë” (Shih më sipër). Himni i Kungimit është vargu i psalmit: Zoti u zgjua nga gjumi, edhe u ngrit dhe na shpëtoi. Aliluia, Aliluia, Aliluia. Fillimisht, kjo Meshë ishte Mesha Pagëzimore e Pashkës, ku pagëzoheshin të Krishterët. Ajo mbetet edhe sot, si përvoja e përvitshme e çdo të krishteri, e vdekjes dhe e ngjalljes së tij me Zotin.
Por, nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se dhe do të rrojmë bashkë me të; duke ditur që Krishti u ngrit prej së vdekurish, nuk vdes më. Dhe vdekja nuk ka pushtet më mbi atë (Romanët 6:8-9). Krishti shtrihet i vdekur, por ai është përsëri i gjallë. Ai është në varr, por ai tashmë “me vdekjen vdekjen shkeli dhe të varrosurve iu fali jetën”. Tani, nuk mbetet më gjë për të bërë, përveçse për të jetuar nëpër gjithë mbrëmjen e Sabatit të Bekuar, në të cilin Krishti fle, duke pritur orën e mesnatës, kur Dita e Zotit do të agojë përmbi ne dhe nata plot dritë do të vijë kur ne do të shpallim bashkë me engjëllin: “Ai u ngjall, nuk është më këtu; ja vendi ku e vunë” (Marku 16;6).
_______________
1Mbrëmësorja e të Premtes së Zezë bëhet në Mëngjesin e të Premtes. Mbas “Orëve Mbretërore” ose në një shërbesë të veçantë mbasdite, bëhet shërbesa e “Zbritjes nga Kryqi”.
2 Në shqip quhet epitaf, një fjalë e huazuar nga greqishtja.
3 Psalmi 119 (ose 118 sipas LXX), i quajtur Amomos është psalmi më i gjatë dhe luan një rol të rëndësishëm në Kishën Orthodhokse. I ndarë në tre seksione ai përbën të shtatëmbëdhjetë kathizmat. Në praktikën e sotme liturgjike të Kishës Shqiptare, Greke dhe të disa Kishave të tjera, Amomos është hequr nga shërbesa e së Shtunës së Madhe. Vetëm lavdërimet këndohen në tre stanza. Në disa manastire dhe në disa kisha sllave Amomos vazhdon të jetë në përdorim të Shtunën e Madhe.
4Lavdërimet, në greqisht Enkomia, janë vargje të shkurtra poetike që vajtojnë pësimin, vdekjen dhe varrimin e Krishtit. Ato njihen edhe me emrin Vajtimet mbi Epitaf.
5 Këtu flitet kur ka vetëm një prift. Kur janë dy ose më shumë, njëri mban Ungjillin dhe të tjerët epitafin.