Pësimet dhe Varrimi i Zotit tonë Jisu Krishtit.
Shërbesa e Mëngjesit e të Premtes së Madhe (siç njihet edhe në popull e Premtja e Zezë), kryhet në përgjithësi të Enjten në darkë. Tipari kryesor i kësaj shërbese është këndimi i dymbëdhjetë pjesëve nga Ungjijtë. Të gjitha pjesët tregojnë pësimin e Krishtit. Këndimi i parë është nga Ungjilli sipas Joanit 13:31-18:1. Ky është fjalimi i gjatë i Krishtit me nxënësit, që përfundon me të ashtuquajturën lutje kryepriftërore.
Ungjilli i fundit tregon vulosjen e varrit dhe vendosjen e rojeve (Mattheu 27:62-66). Të dymbëdhjetë këndimet e Ungjijve të pësimit të Krishtit janë vendosur ndërmjet pjesëve të ndryshme të shërbesës. E tërë himnologjia është e lidhur me vuajtjet e Shpëtimtarit dhe huazon shumë nga ungjijtë, nga shkrimet profetike dhe psalmet. Lumërimet e Zotit këndohen mbas Ungjillit të gjashtë dhe i jepet një theksim i veçantë shpëtimit të kusarit, i cili e njohu Mbretërinë e Krishtit.
Orët e së Premtes së Madhe përsërisin Ungjijtë e pësimit të Krishtit, por kanë si shtesë në çdo Orë, këndime prej profecive të Dhiatës së Vjetër, në lidhje me çlirimin e njerëzimit, nëpërmjet vuajtjeve të Krishtit. Psalmet e përdorura janë gjithashtu të një karakteri të veçantë profetik, p.sh. Psalmet 2, 5, 22, 109, 139 dhe në vazhdim.
Të Premten e Madhe nuk ka Meshë Hyjnore për të njëjtat arsye që ndalojnë kremtimin e Eukaristisë në ditët agjërimore të Kreshmës.