Ngjallja E Llazarit

 

Këtë të shtunë nderojmë ngjalljen e Llazarit prej Jisu Krishtit. Llazari ishte shok i Krishtit dhe motrat e tij, Marta dhe Maria, e mikprisnin në shtëpinë e tyre shumë herë, e cila ndodhej në Betani afër Jerusalemit. Disa ditë përpara pësimeve të Krishtit, Llazari u sëmur dhe të motrat e tij lajmëruan Zotin Krisht, i cili ndodhej në Galile që ta vizitonte. Por Zoti Krisht ndenji aty deri sa vdiq Llazari edhe atëherë u tha nxënësve të tij që të shkonin ta zgjonin.

Kur mbërriti në Betani mori vesh prej motrave të Llazarit se ai kishte vdekur prej katër ditësh edhe kërkoi prej tyre që të shikonte varrin e tij. Kur arriti në varr qau edhe kërkoi që t’i hiqnin gurin e varrit. Atëherë ngriti sytë prej qiellit, falënderoi Perëndinë dhe Atin, dhe me zë të lartë thirri: Llazar, dil jashtë. Menjëherë doli jashtë i mbështjellë me pëlhura, prej katër ditësh në varr, përpara turmës së njerëzve, që shikonin ç’po ndodhte. Edhe Jisui kërkoi që ta lirojnë nga pëlhurat dhe të shkojë në shtëpi.

Tradita e vjetër na thotë se Llazari ishte 30 vjeç, dhe jetoi edhe 30 vjet të tjera. Ai mbaroi jetën e tij në Qipro, në vitin 63 pas Krishtit. Varri i tij në qytetin e Kition shkruan: “Llazari i katërditshmi dhe mik i Krishtit”. Në vitin 890 pas Krishtit lipsani i tij u transferua në Konstandinopojë nga perandori Leoni i Dituri. Tradita na thotë se karakteristika që e dallonte Llazarin pas ngjalljes është se ai nuk qeshi asnjëherë, vetëm kur pa një njeri, i cili po vidhte një qyp balte dhe tha: “Balta po vjedh baltën”. Gjatë kësaj dite nuk bëhen përkujtimore të fjeturish me grurë, por vetëm Trisai.

 

 

* * * * *

Hierodëshmor Simoni (Simeoni) i Jerusalemit.

 

Është apostull ndër të Shtatëdhjetët (4 janar), një nga katër “vëllezërit” e Zotit, që kanë preokupuar nga fillimi Theologjinë. Ata përmenden thjesht si vëllezër të Tij, ashtu siç përmendej Josifi (E diela pas Krishtlindjes) si ati i Tij. Po ashtu edhe Hyjlindësja kishte quajtur Josifin atin e Jisuit (Luk. 2:48) megjithëse ajo e dinte shumë mirë se ai nuk ishte fare babai i Jisuit nga ana fizike. Me të njëjtën mënyrë kishte folur edhe engjëlli (Mat.1:20).

Hebrenjtë pyesnin veten: “A nuk është biri i mjeshtrit?” A nuk quhet e ëma Mariam dhe vëllezërit e tij Jakov (23 tetor), dhe Josi, dhe Simon dhe Juda (19 qershor). Dhe motrat e tij a nuk janë të gjitha ndër ne?” (Mat.13:55-56; Mark. 6:3). Pra, ose ishin kushërinj të parë të Tij qoftë nga e ëma, qoftë nga Josifi, ose ndoshta ishin fëmijë të Josifit nga martesë e mëparshme dhe, rrjedhimisht, ishin vëllezër të Tij, ligjërisht dhe jo të natyrshëm.

Prandaj, mbi Kryq, Ai ia ngarkoi të Tërëshenjtën apostullit Joan (26 shtator) dhe jo atyre (Joan. 19:26-27). Gjithashtu në Letrat e përgjithshme të tyre ata nuk e prezantojnë veten si vëllezër të Perëndisë, as Jakovi, as Juda. Juda e prezanton veten si vëllai i Jakovit të mbarërespektuar ngaqë donte t’i jepte reputacion Letrës së tij, por nuk guxon të prezantohet si vëlla i Krishtit. Veç kësaj, sipas oshënarit Jeronim (15 qershor), shën Justini (1 qershor) lindur në Palestinë në v. 110, shpallte virgjërinë e përhershme të Hyjlindëses. Kështu që vëllezërit mëse të njohur të Perëndinjeriut ishin prej prindërve të ndryshëm.

Ishin vëllezërit e Krishtit jo sipas natyrës, por sipas Ligjit (të Moisiut). Ne befasohemi nëse nuk dimë rrethanat dhe zakonet e atëhershme. P.sh. vejusha që nuk kishte fëmijë martohej me vëllanë e burrit të saj dhe fëmija i parë “ishte” fëmija i të vdekurit (shih Mat. 22:24). Për ne është marrëzi nëse pranojmë se një foshnjë e porsalindur e kishte babanë e saj të vdekur para disa vitesh!

Por le të kthehemi te Simeoni (ose Simoni, hebraisht ç’dëgjimi). U bë episkop i dytë i Jerusalemit (70-107) pas Jakovit dhe hipi në fron pas shkatërrimit të qytetit (në v. 70) nga romakët.

Në kohën e Trajanit (98-117), u denoncua nga heretikët te sovrani, për arsye të zellit të tij për të afruar pranë Perëndisë izraelitë e joizraelitë dhe për të rrëzuar tempujt paganë. Kështu u arrestua, u torturua egërsisht dhe në vitin 107 u kryqëzua ashtu si vëllai i tij, në moshën 120-vjeçare.

Pra, duhet të ishte 13 vjeç më i madh se Ai dhe natyrisht nuk ishte bir i Virgjëreshës, që në kohën kur u lind Simeoni, sipas traditës, ishte në moshë shumë të vogël.

Sipas një të dhëne, në vitin 82 e kishin detyruar të pinte helm, por ai nuk pësoi asgjë. Disa herë ai përkujtohet edhe më 18 shtator.

 

* * * * *

Dëshmor Polioni, lexues, në Cibal, Sirmium.

 

Ishte këndonjësi i parë i kishës së Cibalës në Panoninë lindore. Ai jetoi në kohën kur perandor ishte Diokleciani. Dy vjet pas martirizimit të shën Eusebit, episkopit të Cibalës, Polioni u denoncua si blasfemues i perëndive dhe perandorëve. Pasi e arrestuan, e dërguan te qeveritari i Sirmit/Sirmiumit, Probusi. Atje filloi procesi i zakonshëm kundër të akuzuarve si të krishterë.

Në fillim i kërkuan të mohonte Krishtin dhe të nderonte perënditë pagane. Polioni nuk pranoi, duke u thënë se asnjë kërcënim apo torturë nuk mund ta kthente atë kundër besës së vërtetë, Zotit dhe Shpëtimtarit të tij Jisu Krisht. Edhe pasi e torturuan, ai iu përgjigj me trimëri xhelatëve se askush s’mund ta detyronte të shkelte porositë e Shpëtimtarit.

Kur gjykatësi e pyeti se cilat ishin këto porosi, ai iu përgjigj se Krishti na ka mësuar besën në një Perëndi të vërtetë dhe se të jetosh sipas kësaj bese, duhet të nderosh pastërtinë, t’u nënshtrohesh urdhrave të drejtë të mbretërve e qeveritarëve, të nderosh prindërit, të duash miqtë dhe të falësh armiqtë, të japësh pasurinë për të varfrit dhe të mos lakmosh gjënë e tjetrit. Gjithashtu ai shtoi se ai që do të ruante këtë besë dhe do të përbuzte vdekjen, do të gëzonte dritën e përjetshme dhe të mirat që nuk mbarojnë kurrë, të cilat janë më të mira dhe më të ëmbla nga të mirat që mbarojnë. Meqenëse Polioni nuk pranoi përsëri t’u bënte fli perëndive pagane, qeveritari urdhëroi të torturohej edhe më egërsisht.

Dëshmori u përgjigj se i priste me kënaqësi torturat dhe gëzohej kur shahej e përndiqej për emrin e lavdëruar të Jisu Krishtit. Probusi, qeveritari i tërbuar nga përgjigjet e martirit, urdhëroi që ai të digjej i gjallë. E çuan për ta djegur në një vend që ndodhej rreth 1 km larg qytetit të Sirmit, ndërkohë që shenjti lavdëronte dhe bekonte Perëndinë, i cili e kishte parë të denjë ta thërriste si martir në mbretërinë e qiellit. Në martirologun e shën Jeronimit thuhet se kjo ndodhi në 28 prill të vitit 304. Në itinerarin e Salzburgut thuhet se lipsanin e tij të shenjtë e transferuan më vonë në Romë, në Via Portuensis në varrezën e Pontianit.

Në Martirologët më të vjetër latinë kujtohet në 28 prill.