– Apostull e Ungjillor Marku –
Apostulli i shenjtë dhe i lavdëruar Marku, që quhej edhe Joan, ishte biri i një gruaje të devotshme të Jerusalemit, Marisë, e cila ua ofroi shtëpinë e saj apostujve, si vend mbledhjeje për lutje. Shën Petroja shkonte shpesh atje dhe kishte dashuri për Markun e ri, të cilin e mësoi në besim, e pagëzoi dhe e konsideronte si birin e tij (1 Petr. 5:13). Ai ishte edhe i afërm i apostull Varnavës, i cili e mori me vete kur u nis në Antioki bashkë me shën Pavlin (Vep. 12:24). Gjatë këtyre udhëtimeve hierapostolike, Marku ndihmoi me përulësi të dy predikuesit, duke u kujdesur për nevojat e tyre materiale dhe duke përvetësuar mësimin e tyre.
Kur mbërriti në Pergë të Pamfilisë, Marku u tremb para vështirësive të misionit dhe u nda nga Pavli e Varnava (Vep. 13:13). Shën Pavli u mërzit nga kjo ndarje dhe kur e ritakuan në Antioki, nuk deshi ta merrte me vete “atë që u nda nga ata në Pamfili dhe nuk shkoi në punë me ta” (Vep. 15:37). Debati u nxeh dhe Varnava vendosi të shkonte në Qipro me Markun, kurse Pavli u nis me Silën për të predikuar në Siri dhe Kiliki (Vep. 15:39-41).
Dhjetë vjet më pas, shën Marku ndodhej në Romë bashkë me Aristarkun dhe Jisuin e Drejtë, për të ndihmuar Pavlin gjatë robërisë së tij (Kol. 4:10). Nga aty, me bekimin e apostull Pavlit, u nis për të vizituar të krishterët e Kolosit. Gjatë robërisë së tij të dytë, Pavli i shkruante Timotheut dhe i rekomandonte ta sillte Markun me vete: “Merre dhe sille Markun me vete; sepse më është i vlefshëm në punë” (2 Tim. 4:11). Në vitin 65, Marku rigjeti apostull Petron në Romë, në kohën kur apostujt korifenj po bëheshin gati për martirizimin. Rrezatimi i mësimit të shën Petros kishte lënë gjurmë të thella te të krishterët e rinj të sapondriçuar të Romës, ndaj ata e lutën Markun ta shkruante këtë doktrinë hyjnore. Pasi mori miratimin nga një zbulesë hyjnore dhe në marrëveshje me Petron, ai nisi të shkruante dhe përmblodhi në mënyrë koncize e plot jetë një rrëfim të veprave dhe fjalëve të Shpëtimtarit, konfirmuar nga predikimi i korifeut të apostujve. Pa u shqetësuar për paraqitjen letrare dhe pa u përpjekur t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve të besimtarëve, shkroi çfarë është e domosdoshme për shpëtimin dhe për njohjen e Birit të Perëndisë që u bë njeri, dhe asgjë më tepër se këto.
Kur e kreu këtë vepër, shën Petroja e dërgoi në Egjipt, për të çuar atje Lajmin e Mirë. Gjatë udhëtimit me anije, i kapi një stuhi e frikshme që Marku e fashiti me anë të lutjes së tij. Arritën të zbarkonin në një port të ishullit Pitusa, përballë Kilikisë, ku u prit nga një fisnik me emrin Basos, i kthyer në Krishterim nga shën Petroja dhe, falë mbështetjes së tij, ktheu në besim pjesën më të madhe të banorëve të ishullit.
Kur zbriti në Aleksandri, iu këput sandalja gjatë rrugës dhe ia dha ta ndreqte një këpucari me emrin Anian. Këpucari u çudit shumë prej shkëlqimit që rrezatonte fytyra e apostullit, la gjilpërën dhe thirri: “Një Perëndi i vetëm ekziston!”. Shën Marku i shëroi një plagë dhe e shfrytëzoi këtë rast për t’i mësuar të vërtetën e një Perëndie të vetëm, që u bë njeri për shpëtimin tonë. Aniani i dëgjoi me vëmendje fjalët e jetës dhe, pasi u pagëzua bashkë me familjen, e la zanatin dhe çdo lidhje tjetër me botën, për t’u bërë bashkëpunëtori më i afërt i apostullit.
Në këtë qytet të stërmadh, metropol i paganizmit dhe i kulturës, fjala e apostullit, e thjeshtë dhe pa zbukurime të kota të retorikës boshe, gjëmoi si bubullimë dhe mrekullitë e tij konfirmuan fjalët e psalmistit që thotë: “Zoti do të hapë gojën e atyre që shpallin lajmin e mirë me një fuqi të madhe” (Ps. 67:12). Në emër të Jisuit, Dritës së botës, ai i ktheu shikimin një të verbri. I sollën shumë të sëmurë e të demonizuar, mbi të cilët vendoste duart dhe i shëronte. Para këtyre mrekullive të kryera me anë të fuqisë së Perëndisë, vetëm në një ditë kërkuan të pagëzoheshin 300 paganë. Ashtu si Krishti, Marku ngjalli edhe birin e një vejushe, e cila ra përtokë në këmbët e tij duke qarë me lot. Kur turma pa djalin e ri të ngrihej, thirri: “Nuk ka veçse një Perëndi të vetëm, Krishti, të Cilin e predikon Marku!”.
Fara ungjillore nisi të jepte frytet e para dhe Marku organizoi rregullat e para liturgjike të Kishës së Egjiptit, dorëzoi Anianin episkop të Aleksandrisë si dhe tre priftërinj ndihmës, Mileun, Savinin dhe Kerdonin, shtatë dhjakonë dhe njëmbëdhjetë klerikë të rangjeve më të ulëta, pastaj vazhdoi misionin e tij në Perëndim.
Nga Aleksandria, ai shkoi në Mendesion dhe çliroi prej demonit një djalë të verbër. Prindërit e fëmijës, shumë të gëzuar, i ofruan një shumë të konsiderueshme parash, por Marku nuk e pranoi, duke thënë se hiri i Perëndisë nuk shkëmbehet me para dhe u kërkoi t’ua falnin të varfërve. Shumë njerëz u kthyen në të krishterë nga kjo mrekulli.
Marku themeloi një kishë në këtë qytet dhe dorëzoi një episkop, priftërinj dhe dhjakonë, pastaj vazhdoi udhëtimin e tij drejt Kirenës së Pentapolit, ku çliroi një numër të madh paganësh nga idhujtaria. Më pas shkoi për të ungjillëzuar Libinë. Kur mbërriti në kryeqytetin e saj, ndihmoi të bijën e filarkut të qytetit, Menodhorit, e cila që fëmijë torturohej nga një demon, që i shkaktoi një krizë të fortë dhe i provokoi vdekjen. Por lutja e apostullit e ngjalli dhe kjo solli mjaft njerëz në Krishterim.
Së andejmi, shën Marku kaloi në Marmarikë, duke përhapur dritën e Ungjillit kudo që shkelte. Një natë, Zoti iu shfaq në një vizion dhe e urdhëroi të shkonte përsëri në Aleksandri, për të përfunduar misionin e tij. Me gjithë lutjet dhe përgjërimet e të sapokthyerve në besim, që donin të mbanin pranë vetes atin dhe bariun e tyre, apostulli, i fuqizuar edhe nga një vizion tjetër, ku iu bë e ditur se do ta vuloste misionin e tij me lavdinë e martirit, udhëtoi për në Aleksandri. Kur mbërriti atje, admiroi përparimin e ungjillëzimit gjatë dy viteve të mungesës së tij. Megjithatë paganët dhe judenjtë nuk mund të duronin suksesin e madh të nxënësit të Krishtit dhe kërkonin një rast për ta vrarë.
Një vit, kur kremtimi i Pashkës përkoi në një datë me celebrimet për festën e hyjneshës Serapis, që paganët e Aleksandrisë e celebronin me shthurje të turpshme, ata shkuan dhe e kapën shenjtorin, kur po kryente Liturgjinë Hyjnore. E çuan deri në amfiteatër, ku ndodhej guvernatori dhe e akuzuan se kryente rite magjike. Apostulli iu përgjigj me qetësi të gjitha akuzave të bëra nga urrejtja dhe smira dhe ekspozoi, siç e kishte zakon në pak fjalë, doktrinën e lartë të Shpëtimit. Guvernatori, i habitur dhe në pamundësi për të kundërshtuar argumentet e tij, u kthye nga turma dhe i kërkoi asaj se çfarë duhej të bënte me Markun. Disa thërrisnin se duhej djegur para tempullit të Serapisit, të tjerë, që të vritej me gurë. Si përfundim, e rrahën në mënyrë barbare me kamxhik dhe i shqyen gjymtyrët, pastaj turma mori trupin e sfilitur dhe e lidhi me litar nga këmbët. E tërhoqi zvarrë gjatë gjithë ditës nëpër rrugët e qytetit, duke i vaditur gurët dhe tokën me gjakun e apostullit. Në mbrëmje, e mbyllën në burg, ku në mesnatë, erdhi një engjëll për ta ngushëlluar. Të shtunën, më 4 prill, xhelatët e lidhën me litar dhe e tërhoqën, si një ditë më parë, deri në një vend të pjerrët buzë detit, të quajtur Bukol, ku gjeti vdekjen. Atëherë ishte 57 vjeç.
Paganët donin t’ia digjnin trupin, por një stuhi e fortë i detyroi t’ia mbathnin dhe i lejoi të krishterët ta merrnin e ta vendosnin në një varr të hapur në shkëmb. Më vonë, sipër varrit të apostullit të shenjtë, në Bukol, u ndërtua edhe një kishë e cila u bë kryeqendra e shpresëtarisë së të krishterëve të Aleksandrisë. Në shek. 9, trupi i shën Markut u transferua në Venecia, në bazilikën e famshme që është ndërtuar për nder të tij.