Oshënare Elisabeta Çudibërëse.

 

Oshënare Elisabeta ishte një dhuratë nga Zoti për prindërit e saj fisnikë e shpresëtarë nga Heraklea e Thrakës.

Kjo ndodhi falë ndërhyrjes së mrekullueshme të martires së shenjtë Gliqeria (13 maj). Që fëmijë, Elisabeta mësoi përmendësh jetët e shenjtorëve dhe kështu fitoi aftësinë për të imituar në çdo rrethanë shembullin e sjelljes së tyre ungjillore. Mbasi mbeti jetime në moshën 12-vjeçare, ua shpërndau tërë pasurinë e saj nevojtarëve, çliroi skllevërit dhe hyri në manastirin e Shën Gjergjit, i quajtur “Kodra e vogël”, afër Konstandinopojës, që drejtohej nga halla e saj.

Atje kryente me zell të gjitha mundimet e jetës asketike dhe u bë një enë e zgjedhur e Hirit. Sytë e zemrës i mbante pareshtur mbi bukurinë hyjnore, prandaj për tre vjet me radhë shikonte vetëm përtokë, pa e ngritur asnjëherë vështrimin. Vishte vetëm një tunikë dhe ecte këmbëzbathur, madje edhe në dimër, por e ngrohte dashuria për Perëndinë, që i digjej në zemër. Lotët e saj kur thoshte Psalmet ishin më të pëlqyeshëm se banjat dhe parfumet e shtrenjta. Për sa i takon ushqimit, në shumicën e rasteve kënaqej me kungimin e Mistereve të Shenjta.

Kur igumenia e manastirit po largohej nga kjo botë, caktoi si pasuese Elisabetën dhe patriarku, shën Genadi (458-471, 17 nëntor), i dorëzoi detyrën. Perëndia ia dyfishoi dhuratat e Hirit dhe shenjtorja kryente shumë mrekulli: shëronte sëmundje të pashërueshme, dëbonte demonë dhe parathoshte të ardhmen. Ajo i paratha perandorit Leon I zjarrin e frikshëm që shkatërroi kryeqytetin, në vitin 465. Këtë e kishte thënë edhe shën Daniel Stiliti (11 dhjetor). Falë ndërmjetimit të këtyre dy shenjtorëve, qyteti nuk u dogj i gjithi.

Në shenjë mirënjohjeje, perandori i dhuroi manastirit të shenjtores pronën e shën Vavilës, që i takonte pallatit të Hebdomonit. Ky vend ndotej nga një dragua, i cili terrorizonte banorët. Shenjtorja shkoi atje me Kryqin e nderuar dhe e vrau bishën. Fama e saj si mrekullibërëse u përhap në tërë qytetin perandorak dhe si një anargjend i ri, oshënare Elisabeta shëronte të sëmurët që vinin për t’i kërkuar ndihmë. Një ditë, gjatë Liturgjisë Hyjnore, ra në ekstazë dhe pa Shpirtin e Shenjtë të zbriste dhe të rrethonte altarin, i ngjashëm me një napë të bardhë të shkëlqyeshme.

Në fund të ditëve të saj, oshënare Elisabeta u kthye nëvendlindje, për të nderuar vendet e shenjta. Iu shfaq shën Gliqeria, e cila i kujtoi ndihmën që i kishte dhënë kur ishte fëmijë dhe e ftoi t’i bashkohej atdheut qiellor, të nesërmen e së kremtes së shën Gjergjit. Kur u kthye në manastir, shën Elisabeta dha udhëzimet e fundit dhe, ditën e caktuar, pasi u kungua me Misteret e Shenjta, fytyra e saj u ndriçua porsi dielli, i shtriu me gëzim duart nga qielli dhe ia dorëzoi shpirtin Zotit, pasi shqiptoi më parë fjalët e të drejtit shën Simeon Hyjpritësit: “Tani, përlëshoje, o Zot, shërbëtoren tënde në paqe, se sytë e mi panë shpëtimin tënd!”. Trupi i oshënare Elisabetës mbeti i paprishur dhe për shumë shekuj u kthye në burim shërimesh për njerëzit.