Nga Libri i Profetit Isaia 58:1-11.

 

Bërtit sa të mundësh, mos u kurse; ngrije zërin tënd si një bori dhe shpalli popullit tim shkeljet e tij dhe shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij. Më kërkojnë çdo ditë dhe dëshirojnë të njohin rrugët e mia, si një komb që zbaton drejtësinë dhe nuk braktis ligjin e Perëndisë të tij; më kërkojnë gjykime të drejta dhe dëshirojnë t’i afrohen Perëndisë.

Ata thonë: “Pse kemi agjëruar, dhe ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtrat tane dhe ti nuk e ke vënë re?”. Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen dhe i detyroni punëtorët tuaj të kryejnë një punë të rëndë. Ja, ju agjëroni për grindje dhe mosmarrëveshje dhe për të goditur pabesisht me grusht. Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart. A është ky agjërimi të cilin e pëlqej, dita në të cilën njeriu pikëllon shpirtin e tij? Të përkulësh kokën si xunkthi dhe të shtrihesh mbi një shtrat prej thesi dhe hiri?

A e quan këtë vallë agjërim dhe ditë që i pëlqen Zotit? Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë? A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt? Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.

Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: “Ja ku jam!”. Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht, në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita. Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.

 

* * * * *

Nga Libri i Gjenezës 43:25-30, 45:1-16.

 

Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend.

Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë. Ai i pyeti si ishin dhe tha: “Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Është ende gjallë?”. Ata u përgjegjën: “Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende”. Dhe e nderuan duke u përkulur. Pastaj Jozefi ngriti sytë, pa vëllanë e tij Beniaminin, bir i nënës së tij, dhe tha: “Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më folët?”. Dhe shtoi: “Perëndia të ndihmoftë, biri im!”. Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij, dhe kërkonte vend ku të qante. Hyri kështu në dhomën e tij dhe aty qau.

Atëherë Jozefi nuk e përmbajti dot më veten para tërë të pranishmëve dhe bërtiti: “Nxirrini jashtë të gjithë nga prania ime!”. Kështu nuk mbeti asnjëri me Jozefin kur ai u tregoi vëllezërve të tij se kush ishte. Dhe qau aq fort sa që e dëgjuan edhe vet Egjiptianët, dhe ky lajm arriti edhe në shtëpinë e Faraonit. Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: “Unë jam Jozefi, a është ende gjallë ati im?”. Por vëllezërit e tij nuk mund t’i përgjigjeshin, sepse ishin të tronditur thellë në praninë e tij.

Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: “Afrohuni, pra, tek unë!”. Ata iu afruan dhe ai u tha: “Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt. Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj. Në fakt u bënë dy vjet që ra zija e bukës në vend; dhe do të ketë pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret. Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t’ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh. Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si atë i Faraonit, si zot i krejt shtëpisë së tij dhe si qeveritar i tërë vendit të Egjiptit.

Nxitoni të riktheheni tek ati im dhe i thoni: “Kështu thotë biri yt Jozefi: Perëndia më ka caktuar si zot i gjithë Egjiptit; zbrit tek unë, mos u vono; ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do jesh afër meje; ti dhe bijtë e tu, bijtë e bijve të tu, kopetë e bagëtive të imta e të trasha dhe gjithçka ti zotëron. Dhe atje unë do të të ushqej, sepse do të ketë edhe pesë vite të tjera zije, me qëllim që ti të mos katandisesh në mjerim: ti, familja jote dhe gjithçka zotëron”.

Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim Beniaminit shohin që është goja ime që ju flet. Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt dhe gjithçka patë, shpejtoni ta sillni atin tim këtu”. Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Beniamin dhe qau, dhe Beniamini qau i shtrënguar në qafën e tij. Ai puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të.

Jehona e kësaj ngjarjeje u përhap në shtëpinë e Faraonit dhe njerëzit thanë: “Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit”. Kjo i pëlqeu Faraonit dhe shërbëtorëve të tij.

 

* * * * *

Nga Libri i Fjalëve të Urta 21:23-22:4.

 

Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë. Emri i krenarit pa cipë është: “tallës”; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar. Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë. Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë. Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq.

Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë. I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij. Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit. Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.

Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari. I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.

Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen. Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.