Apostulli – Veprat e Apostujve 3:19-26.

 

Pendohuni pra dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, që të vijnë kohë prehjeje prej faqes së Zotit, edhe të dërgojë Jisu Krishtin, që ju është predikuar juve që përpara; të cilin duhet ta mbajë qielli deri në kohët e rivendosjes së gjithë atyre gjërave që foli Perëndia që në fillim të jetës me anë të gojës së gjithë shenjtorëve të tij profetë.

Sepse Moisiu u tha etërve “Se Zoti Perëndia do të ngrejë ndër ju nga vëllezërit tuaj një profet si unë; atë dëgjoni për të gjitha ato që t’ju flasë juve. Edhe çdo shpirt që nuk do të dëgjojë atë profet, do të shuhet nga populli”. Edhe gjithë profetët sa folën që nga Samueli e këtej lajmëruan edhe për këto ditë. Ju jeni bijtë e profetëve dhe të dhiatës që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: “Edhe në farën tënde do të bekohen gjithë fiset e dheut.” Te ju më parë Perëndia, pasi e ngjalli Birin e tij Jisu, e dërgoi që t’ju bekojë ju, duke e kthyer gjithësecilin prej jush nga ligësitë tuaja.