E Diela V e Kreshmës, Shën Maria e Egjiptit, nga Mitropolitit i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, Fier, 21.04.2024 (Tekst)

 

“Nëse ecim në udhën që na mëson Krishti nëpërmjet Ungjillit, atëherë do të shikojmë fuqinë e Tij në jetën tonë”

 

Të dashur besimtarë!

Më vjen mirë, që shikoj këtë sakrificë nga ju këtë ditë shiu.

Ju falenderoj! Kështu duhet të bëjmë, të sakrifikojmë për Zotin: sigurisht, Zoti nuk ka nevojë për sakrificat tona, ne kemi nevojë për dashurinë e Zotit.

Cfarë bëjmë për Zotin e bëjmë së pari për veten tonë!

Të dashur besimtarë, na çudit pak ajo që dëgjuam në vargun e fundit të Ungjillit .

Ku Krishti thote : “Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejmë, por për të shërbyer dhe për të dhënë veten e Tij në shërbim të shumë njerëzve”. Pse thotë Zoti për shpagim të shumë njerëzve e jo të të gjithëve ?!

Ne kemi mësuar në besimin tonë, se Zoti erdhi për shpëtimin e njerëzimit, po Ai me gojën e vetë na thote për shumicën e njerëzve.

Ne e dimë shumë mirë, që Zoti Jisus Krisht, me misionin e Tij, me jetën dhe ngjalljen e Tij e mundi pushtetin e vdekjes dhe Hadhit dhe hapi dyert e Parajsës .

Por Zoti nuk erdhi të shpëtojë vetëm ata njerëz që jetonin në kohën e Tij, por erdhi të shpëtojë edhe ata njerëz që kishin fjetur para Tij.

Ju e dini që është në traditën e kishës sonë, që Zoti zbriti në Hadh dhe atje predikoi dhe gjithë ata që besuan, fituan Parajsën. Na thuhet se disa nga njerëzit e shenjtë u shfaqën në Jerusalen dhe u panë nga të tjerë pas Ngjalljes së Zotit.

Zoti u sakrifikua, jo vetëm për të fjeturit e atëkohëshëm, por për të gjithë. Po pse Zoti thotë për shumë njerëz atëhere? Sepse jo të gjithë do të besojmë mesazhin e Ungjillit, jo të gjithë do ta besojnë Krishtin si shpëtimtarin e tyre. Zoti erdhi dhe e bëri e ofertën e Tij për të gjithë ne, tani varet në lirinë e secilit prej nesh dhe Zoti e di se në lirinë e tyre jo të gjithë do të zgjedhin Krishtin si shpëtimtarin e tyre.

Ky do të jetë dhe gjykimi i secilit prej nesh.

Ka shumë njerëz që dëgjojnë mesimet e Krishtit , ka shumë njerëz që shikojnë mrekullitë e Krishtit në jetën e tyre dhe nuk e besojnë dhe nuk e pranojnë Atë si Mesian, si shpëtimtarin e tyre.

Ka shumë njerëz, që kur shikojnë shumë vështirësira në jetën, foshnja, fëmijë të vegjël dhe të pafajshëm që vriten, njerëz që vuajnë nga uria, padrejtësi të shumta që bëhen ne mbarë botën, thonë si mund të besoj te Perëndia me të gjitha këto?!

Ku është Zoti?!

Këto padrejtësi nuk ndodhin vetëm te njerëzit që nuk janë besimtarë, fatkeqësisht kemi dëgjuar të tilla ngjarje, në shekuj me radhë.

Edhe të krishterët që ishin pjesë e Kishës kanë bërë padrejtësi edhe ata kanë bërë luftë. Në kohët e sotme ekziston një luftë midis një populli që janë vëllezër dhe flasin këtu për luftën midis Ukrainës dhe Rusisë .

Janë vëllezër dhe shumë familje janë të afërm me njëri – tjetrin, por janë në luftë.

Mos do të thotë kjo që Perëndia nuk ekziston, mos do të thotë kjo që Ungjilli e ka humbur vlerën e Tij?

Mos do të thotë, që pushteti i Krishtit nuk është ashtu si na thotë Ai ?!

Aspak.

Ungjilli ka të njëjtën vlerë si kishte te të Krishterët e parë.

Krishti, Perëndia ka të njëjtin pushtet, por Zoti i lejon të gjitha këto sepse Ai respekton lirinë e zgjedhjes te të gjithë të Krishterët.

Të qënit i pagëzuar dhe të qënit i krishterë, nuk na bën automatikisht të shpëtuar.

Disa grupe të krishterësh thonë që u pagëzove, more shpëtimin.

Po besove Krishtin je i shpëtuar. Nuk besoj se nëse vret njerëz je i shpëtuar.

Nëse nuk jeton sipas Ungjillit, nëse nuk jeton sipas porosive të Perëndisë, nuk je i shpëtuar.

Vetë zgjedhim me lirinë tonë, me veprimet tona, të jemi ose jo bijë të Perëndisë.

Nëse jemi bijë Perëndie, duhet të jetojmë si do Perëndia, si do Ati ynë, atëherë quhemi me të vërtetë të Krishterë.

Këto fjalë të Krishtit dhe gjithë këto që shohim në jetët tona, duhet të na bëjnë të reflektojmë mbi jetën tonë.

A është me të vërtetë jeta që unë bëj ashtu si do Zoti, a është sipas mësimeve të Perëndisë? Nëse ecim në udhën, që na mëson Krishti, nëpërmjet Ungjillit dhe atëherë do të shikojmë sa fuqi ka Ungjilli dhe sa fuqi ka Krishti, që vlera dhe fuqia e tyre nuk kanë rënë.

Vetëm me jetën tonë do të tregojmë që Krishti dhe Ungjilli kanë vlera në jetë të jetëve .

Amin !