Doli Në Qarkullim Libri Liturgjik I Ungjillit Të Shenjtë.

Pas një punë intensive sapo doli në qarkullim libri liturgjik i Ungjillit të shenjtë.

Ky libër është Ungjilli i shenjtë i fragmentizuar sipas një sistemi të hershëm fragmentesh, të përzgjedhura ose sipas vazhdimësisë, ku paraqiten këto dhe koha e leximit të tyre.

Ai përbëhet nga disa pjesë:

1) Pjesa e parë, paraqet leximin në vazhdim të ungjijve, të ndarë në pjesë, që quhen ndryshe edhe perikope, çdo ditë nga e Diela e Pashkës deri në Javën e Madhe. Fillon me Ungjillin sipas Joanit, nga Pashka deri në Pentikosti, pason Ungjilli sipas Mattheut nga e hëna pas Pentikostisë deri në mes të shtatorit, pastaj Ungjilli sipas Llukait nga e hëna pas së Dielës pas Lartësimit të Kryqit (pra të vitit të ri kishtar) deri në fillim të Kreshmës së Madhe dhe në fund Ungjilli sipas Markut tre javë përpara Triodit e duke vazhduar gjatë Kreshmës së Madhe.

2) Pjesa e dytë paraqet fragmentet (perikopetë) që lexohen gjatë Javës së Madhe dhe ato njëmbëdhjetë ngjallësorë të së dielave, që quhen ndryshe ungjijtë mëngjesorë ngjallësorë.

3) Pjesa e tretë vazhdon me fragmentet (perikopetë) e përzgjedhura sipas Mujores: nga 1 shtator deri në 31 gusht, sipas të kremteve dhe kujtimeve të shenjtorëve kremtues.

4) Pjesë e katërt, sjell fragmentet (perikopetë) e përzgjedhura për mistere dhe raste të tjera (Pagëzim, Martesë, Shërbesën e Varrimit etj.).

5) Pjesa e pestë – shtojcë – e mbyll librin me rregullatorin e leximeve, që përfshin: Shpjegime për kohën dhe leximin e perikopeve ungjillore përgjatë gjithë vitit, tabelat e tyre bashkë me të dielat, të kremtet, kreshmët dhe tingujt të periudhave kur Pashka bie më 22 mars – 8 maj, tabela e bashkëleximeve të perikopeve ungjillore dhe apostolike të javëve të vitit, gjetja e ciklit të lëvizjes së Diellit e të Hënës, gjetja e datës së Pashkës, të gjitha këto bashkë me tabelat rregullatorë të tyre si edhe të gjetjes së Pashkës sipas kalendarit Julian (kalendari i vjetër) dhe kalendarit Julian të korrigjuar (kalendari i ri ose Grigorian) dhe së fundi tabela e Pashkëve 1941-2099.

Në shënimin e botuesit, Kryepiskopi Anastas shkruan:

“Teksti i këtij botimi është përkthim në gjuhën shqipe i tekstit origjinal në gjuhën greke dhe lexohet gjatë vitit liturgjik. Është bazuar në botimin e Dhiatës së Re të Patriarkanës Ekumenike, si edhe në rishikimet e mëvonshme të tij. Ky botim, siç dihet, përmban tekstin bizantin të Dhiatës së Re, ashtu siç paraqitet në dorëshkrimet e të quajturit “grup i Konstandinopojës”.

Në frazat hyrëse dhe mbyllëse të pjesëve (perikopeve), të cilat janë shtuar që të lehtësojnë leximin e tyre të pavarur, janë bërë ndërhyrje të vogla, me hulumtim të kujdesshëm, rast pas rasti, nga një komision kryepriftërinjsh dhe profesorë universitetesh. U shtuan gjithashtu edhe referencat biblike nga Dhiata e Vjetër sipas tekstit të të Shtatëdhjetëve (Septuagintës). Në këtë përpunim të studiuar u ndreqën edhe elemente liturgjike në përmbajtjen e aneksit (Rregullatorit të leximeve), sipas udhëzimeve të Tipikosë së Patriarkanës Ekumenike. Për faqosjen dhe dekorin e këtij vëllimi u morën parasysh botime kaligrafike paleotipe, dorëshkrime Ungjijsh, si dhe dorëshkrime liturgjike bizantine.

Ky botim liturgjik në gjuhën shqipe ka ndjekur formën e botimit të lartpërmendur në gjuhën greke “Ungjilli Hyjnor dhe i Shenjtë”, botim i Apostolikis Dhiakonias të Kishës së Greqisë (1982). Botimi në shqip është bazuar në tekstin e Dhiatës së Re, të përkthyer nga Konstandin Kristoforidhi në dialektin tosk (1879); ribotuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë, 1994; përpunuar në gjuhën shqipe bashkëkohore nga një komision i posaçëm”.

Përveç të tjerash, sa u thanë në shënimin e botuesit, libri liturgjik i sapobotuar përmban në çdo fragment (perikope): kapitujt dhe vargjet, si edhe temat kryesore të perikopeve, të gjitha këto edhe të përmbledhura në një tabelë për çdo ungjill sipas ungjillorëve.

Ungjilli liturgjik lexohet në shërbesat kishtare vetëm prej klerikëve: episkopit, priftit, dhjakonit (sipas rregullave përkatëse) dhe simbolizon vetë Zotin Jisu Krisht, Fjalën e mishëruar të Perëndisë. Libri liturgjik i Ungjillit të shenjtë temjaniset, nderohet e puthet, nxirret në litani ose procesion, vendoset gjithmonë në Tryezën e Shenjtë dhe vishet me kujdes të veçantë me kapakë kryesisht metalikë dhe ikona e zbukurime sipas traditës orthodhokse. Në anën e përparmë të kapakut paraqitet Kryqëzimi dhe në të prapmë Ngjallja.

Ungjilli liturgjik në shqip, që botohet, vjen në dy formate përmasash: të mesëm dhe të madh. Libri në formatin e mesëm, mund të përdoret përveç klerikëve, edhe nga çdo besimtar laik për të lexuar, vetë ose me familjen, sipas një programi shpirtëror çdo ditë pjesën ungjillore të përcaktuar nga kalendari kishtar orthodhoks vjetor.

Ky libër tashmë është botimi i dytë në historikun e llojit të vet në gjuhën shqipe, por tani i përmirësuar dhe plotësuar, pas 97 vjetësh nga botimi i parë i vitit 1930.

Kryepiskopi Anastas në mbyllje të shënimit të tij, uron:

“…Ungjilli i shenjtë është përmbledhja e misterit të zbulesës në Krishtin. Për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për çdo anëtar të saj, Ungjilli le të jetë gjithnjë kriter absolut dhe busull e saktë për rrugëtimin e drejtë. Le të jetë burim jetëdhënës i forcës, i dashurisë dhe i shpresës, si edhe i kungimit tonë me Perëndinë Triadik.”

 

 

Episkop Asti

 


 

Doli Në Qarkullim Libri Liturgjik I Ungjillit Të Shenjtë.