Nga Libri i Profetit Isaia 45:11-17.

 

Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: “Përsa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhëra rreth veprës së duarve të mia? Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejtë dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre. Unë e ngjalla atë në drejtësinë time dhe do të sheshoj tërë rrugët e tij; ai do të rindërtojë qytetin tim dhe do t’i kthejë të lirë të mërguarit e mi pa paguar shpengim dhe pa bërë dhurata”, thotë Zoti i ushtrive.

Kështu thotë Zoti: “Fryti i mundimeve të Egjiptit dhe mallrat e Etiopisë dhe të Sabejve, njerëz me shtat të lartë, do të të kalojnë ty dhe do të të përkasin ty; ata do të ecin pas teje, të lidhur me zinxhirë; do të bien përmbys para teje dhe do të të luten fort, duke thënë: “Me siguri Perëndia është te ti dhe nuk ka asnjë tjetër; nuk ka Perëndi tjetër”.

Në të vërtetë ti je një Perëndi që fshihesh, o Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar. Do të mbeten të gjithë të turpëruar dhe të hutuar, po, do të ikin të gjithë bashkë, të mbuluar me turp, sajuesit e idhujve. Por Izraeli do të shpëtohet nga Zoti me një shpëtim të përjetshëm; ju nuk do të turpëroheni ose të hutoheni kurrë më përjetë.

 

* * * * *

Nga Libri i Gjenezës 22:1-18.

 

Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: “Abraham!” Ai u përgjigj: “Ja ku jam”. Dhe Perëndia tha: “Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahëve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj”. Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për sakrificën; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte. Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin.

Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: “Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush”. Kështu Abrahami mori drutë e sakrificës dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy. Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: “Ati im!”. Abrahami iu përgjigj: “Ja ku jam, biri im”. Dhe Isaku tha: “Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?”. Abrahami u përgjigj: “Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën”. Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë.

Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve. Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin. Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: “Abraham, Abraham!”. Ai u përgjigj: “Ja ku jam”. Engjëlli i tha: “Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke”.

Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si sakrificë në vend të të birit. Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: “Do të furnizohet mali i Zotit”.

Engjëlli i Zotit e thirri për të dytën herë Abrahamin nga qielli dhe tha: Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke, unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij. Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim”.

 

* * * * *

Nga Libri i Fjalëve të Urta 17:17-18:5.

 

Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira. Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij. Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim. Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe. Atij që i lind një budalla do t’i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim.

Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat. I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë. Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut. Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur. Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre.

Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.

Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar.

Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë. Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij. Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi. Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar.

Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq.