Gjithmonë pranë njerëzve, për t’i ndihmuar
Intervistë e Radios “Ngjallja” me z. Vasil Marko, mjek fizioterapist në Qendrën Diagnostike “Ungjillëzimi”
Me profesion jam fizioterapist dhe vij nga një familje e respektuar orthodhokse. Kontributi im në Kishë është i hershëm, qysh në fillimet e saj në klinikën e vogël “Shën Llukai” e deri më sot në Qendrën Diagnostike “Ungjillëzimi”, ku vazhdoj me përkushtim sipas motivit: “Të zbusim sadopak dhimbjen trupore të pacientëve, duke ofruar më të mirën tonë”.
Dëshiroj të ndaj me ju dhe të gjithë ndjekësit e radios “Ngjallja” përvojën time dhe bashkëpunimin tim si dëshmitar i veprimtarisë humanitare për të gjithë shtresat në nevojë, pa dallim feje, që ka ofruar Kisha jonë ndër vite.
Me ndryshimin e sistemeve vendin tonë e kishte përfshirë varfëria, dëshira për t’u larguar nga vendi, boshllëku shpirtëror. Por Perëndia nuk e braktis grigjën e Tij dhe dërgoi hierapostullin, Kryepiskopin Anastas, i cili guxoi të vinte si dritë në mes të errësirës, me moton se: “Kisha jonë do të mjekonte jo vetëm plagët e shpirtit, por dhe edhe ato të trupit”.
Pa me sytë e tij nevojën e madhe që ishte në vitet e para të demokracisë si për jetën shpirtërore në ringritjen e Kishës, por edhe për vizita mjekësore, barna, ushqime etj. Dhe veproi shpejt, pa ngurrim për të mbështetur njerëzit, duke shtrirë dorën për bashkëpunim gjithandej. Me përpjekjet e shumta të Fortlumturisë dhe me bekimin e tij, u siguruan fonde dhe ndihma që në emër të dashurisë u shpërndanë te njerëzit e pashpresë dhe të zhgënjyer.
Por si u ngrit infrastruktura për shpërndarjen e ndihmave?
Fillimisht u angazhua zyra e “Diakonia Agapes” me anë të një bordi anëtarësh, që shumica prej jush i njihni, si p.sh. atë Martin Ritsi, Artan Kosti, Nina Gramo dhe Motër Dhominiqi, që me këshillat dhe shembullin e saj më tregoi se së bashku jemi më të fortë për të arritur objektiva të mëdha.
Ndihmat vinin kryesisht nga Greqia dhe vendoseshin në magazinat në Lundër. Shpërndarja bëhej me anë të një mikrobusi shoqëruar nga bashkëpunëtori Vangjel Gjore. Përbërja e ndihmave në të shumtën e përqindjeve ishin medikamente, karroca invaliditeti, paterica, ushqime për fëmijë e të rritur, elektroshtëpiake, veshmbathje etj. Shpërndarja e tyre u bë masivisht; në qendrat spitalore, në fshatrat dhe qytetet e thella të vendit tonë pa dallim.
U sollën dy ambulanca, njëra prej të cilave iu bë dhuratë Drejtorisë së Burgjeve. Ndihma të shumta janë dërguar dhe në jetimoren “Zyber Hallulli”.
Në vitin 1998 një njësi dentare u vu falas në dispozicion të popullsisë në zona të ndryshme të vendit aty ku nevoja ishte dhe më e madhe. Shërbimi kryhej në shkolla, kopshte, institucione të ndryshme publike, për banorët e fshatrave apo qyteteve pa dallim. Që nga fillimi janë shërbyer më
shumë se 11.000 pacientë.
Duhet theksuar veçanërisht ndihma gjatë viteve 1998-1999 për vëllezërit refugjatë të Kosovës. Që në fillim u hap një kamp për pritjen e tyre dhe kampi i fundit ishte i administruar po nga Kisha jonë, te kompleksi “Dinamo”.
Është për t’u theksuar kontributi i Fortlumturisë së Tij dhe në sigurimin e trajtimin mjekësor për pacientë, kur ka qenë e mundur, edhe jashtë shtetit. Ndihma ka konsistuar në dërgimin në Greqi për trajtim më të detajuar kryesisht të fëmijëve të moshave nga 0-15 vjeç, për problemet që nuk trajtoheshin në vendin tonë.
Të gjitha këto sollën gëzim, sollën shpresë, sollën jetë, krijuan shoqëri të vërtetë dashurie mes njëri-tjetrit, frymëzuan brezat sidomos të rinjtë. U forcua bindja se nuk jemi vetëm, se Perëndia kurrë nuk e braktis krijimin e Tij.
I sjell me nostalgji këto përvoja ndër vite. Kam qenë vetë pjesë e shpërndarjes së tyre nga të cilat kam kuptuar se Kisha është vërtet institucioni tokësor dhe qiellor, që mjekon plagë dhe përmirëson cilësinë e jetës së njeriut. E ka bërë dhe vazhdon ta bëjë, duke pasur në drejtimin e saj personin dhe Kryepriftin e dhembshur, Kryepiskopin Anastas, që ka dashuri për njeriun. Pranë tij kam bashkëpunuar dhe vazhdoj të bashkëpunoj me përgjegjësi të plotë.
Më lejoni ta mbyll me thënien e tij se: “Sa më pranë njëri-tjetrit të jemi, aq më pranë jemi me Perëndinë dhe sa më pranë jemi me Perëndinë, aq më pranë jemi me njëri-tjetrin”.
Udhëtimi i jetës vazhdon dhe i lutem Zotit që t’i dhurojë shëndet të plotë për të përmbushur dhe vazhduar misionin për të cilin na ka thirrur në jetë dhe në shoqëri.