– Dëshmorët Rafaeli, Nikolla, Irini –
Në vitin 1959, gjatë punimeve që po bëheshin në një paraklis të vogël, që ndodhej mbi një kodër, afër fshatit Thermi, në ishullin e Mitilinit, një punëtor gjeti një varr me kocka njerëzish të panjohur. Duke qenë besimpak dhe pa respekt për gjërat e shenjta, i la pa kujdes lipsanet rrëzë një peme, duke u tallur me to. Por në çast iu paralizuan duart, të cilat mundi t’i lëvizte përsëri vetëm pasi bëri shenjën e kryqit, për herë të parë pas njëzet e shtatë vjetësh. Në vazhdim, ai pa pranë kishës vetë shenjtorin dhe u rikthye në besim, duke u bërë një predikues i zjarrtë i hirit të këtij shenjtori, që sapo ishte zbuluar nga Perëndia. Edhe gruaja e tij ishte dëshmitare në këto ngjarje. Që para se të ndërtohej kisha, ajo kishte parë atje një hieromonak shtatlartë, por i shoqi e kishte qortuar të mos u besonte gjërave të tilla.
Nga ai çast, shenjtori u shfaq shumë herë, kur ishin në gjumë apo zgjuar, gruas së pronarit të tokës dhe grave të tjera të devotshme të fshatit. Ai iu shfaq veç e veç edhe disa fëmijëve e burrave. Disave u shfaqej pa u folur, si një hieromonak i veshur me rrobat e Liturgjisë ose me rroba murgërore. Disa të tjerëve u zbulonte emrin e tij, duke u thënë: “Mua më quajnë Rafael!” dhe u bënte të ditur se kishte mbërritur koha për ta nderuar, bashkë me shokët e tij të martirizimit, dhe që ikona e tyre të pikturohej e kujtimi t’u kremtohej të Martën e Ndritshme, sepse do të bënin shumë mrekulli. Të tjerëve u shfaqej në shoqërinë e Hyjlindëses Mari dhe të shën Parashqevisë, duke u treguar martirizimin e tij në detaje që përputheshin plotësisht tek të gjithë besimtarët.
Shën Rafaeli jetoi në shek. 15, në kohën e rënies së Konstandinopojës. Ishte me origjinë nga ishulli i Itakës. U quajt Gjergj në Pagëzimin e shenjtë dhe mori një formim të shkëlqyer, si të krishterë ashtu dhe në dijen e botës. U bë murg me emrin Rafael dhe u hirotonis prift, duke u nderuar arkimandrit dhe protosingjel. Për shkak të aftësive, u dërgua me mision nga Patriarkana Ekumenike në Francë, në qytetin Morle. Atje u miqësua me dhjakun Nikolla, i cili u bë bashkëpunëtori dhe biri i tij shpirtëror. Pas rënies së Konstandinopojës, ata u strehuan në Maqedoni dhe më vonë, kur turqit pushtuan Thrakën, më 1454, shkuan në ishullin e Mitilinit (Lesbos). Aty u vendosën në Thermi, në manastirin e Hyjlindëses, që ndodhej pikërisht në vendin ku u zbuluan lipsanet. Të Enjten e Madhe të vitit 1463, turqit sulmuan manastirin dhe kapën igumenin Rafael, të cilin e torturuan keq. Të Martën e Javës së Ndritshme, më 9 prill, pasi e rrahën me topuzët e tyre, e tërhoqën zvarrë nga mjekra, që nga maja e kodrës e deri poshtë. Pastaj e varën në një pemë, ia çanë ijët me shtiza dhe i shqyen nofullën. Kjo ishte mënyra me të cilën Rafaeli u bashkua përjetësisht me Krishtin e ngjallur. Në fakt, skeleti i gjetur nga punëtori nuk kishte nofull; ajo u gjet pak më larg, pas një shfaqjeje tjetër të shenjtorit.
Shfaqjet e shenjtorëve u shumuan dhe shën Nikolla u zbuloi mjaft njerëzve vendin e saktë të varrit të tij. Pas disa ngurrimeve, për shkak se besimtarët kishin frikë se mos i tallnin të pabesët në rast dështimi, gërmuan dhe gjetën, më 13 qershor 1960, lipsanin e trupit të shën Nikollës. Mësuan nga shën Rafaeli, se shën Nikolla ishte me origjinë nga Raghesi i Medisë, por ishte rritur në Selanik. Kur erdhi ora e tij, turqit e kapën dhe e torturuan; vdiq gjatë torturave, nga një atak në zemër.
Njëkohësisht, një vajze iu shfaq një vashë dymbëdhjetëvjeçare, me pamje engjëllore, martirja e shenjtë Irini. Hyjlindësja Mari i zbuloi një tjetri, se Irini ishte vajza e kryetarit të fshatit, Vasilit, i cili kishte gjetur strehë në manastir bashkë me banorë të tjerë. Turqit u përpoqën që të mësonin nga ai se ku ndodheshin luftëtarët e krishterë, por nuk ia dolën. Prandaj, morën të bijën dhe, në sy të prindërve, ia prenë të dyja duart, e hodhën në një vozë të madhe dhe i vunë zjarrin, duke e djegur të gjallë. Pastaj masakruan prindërit e vajzës dhe Theodhorin, mësuesin e fshatit. Në vazhdën e një zbulese tjetër, u gjetën lipsanet e shën Irinit, në vozë, sipas rrëfimit të bërë, dhe pranë varreve të shën Rafaelit dhe Nikollës, u zbuluan edhe varret e martirëve të tjerë.
Shën Rafaeli u shfaq gjatë zbulesave të tjera të lavdishme i rrethuar nga një numër i madh shenjtoresh, që ishin murgesha që jetonin në atë manastir një shekull para tyre. Më 11 maj 1235, igumenia Olimbiadha dhe murgesha Efrosini u masakruan aty nga piratët turq. Shën Rafaeli lejoi të zbulohej edhe një ikonë e Krishtit dhe një burim ajazme, nëpërmjet të cilave u kryen mrekulli të shumta. Në fakt, shenjtorët nuk u mjaftuan të tregonin vetëm për ekzistencën dhe rrethanat e martirizimit të tyre.
Afërsinë e tyre me Perëndinë e provuan me anë të mrekullive, që sa vijnë e shtohen. Shën Rafaeli vazhdon edhe sot t’u shfaqet, në ëndërr apo kur janë zgjuar, shumë njerëzve, besimtarë të përshpirtshëm apo indiferentë, nga Greqia e deri në Amerikë e Australi. Ai shëron të sëmurët e pashërueshëm, zgjon ndërgjegjet e rënduara nga mëkati, lehtëson dhimbjet e hidhërimet dhe shfaq se Zoti lavdërohet në shenjtorët e Tij, sot ashtu si dje e në jetë jetëve.
* * * * *
– Oshënare Athanasia e Egjinës –
Oshënare Athanasia mendohet të ketë lindur në shek. 9, në ishullin e Egjinës. Qysh fëmijë dallohej për jetën e virtytshme dhe dëshironte t’ia përkushtonte jetën e saj Zotit. Por, prindërit e detyruan të martohej. Gjashtëmbëdhjetë ditë pas martesës, barbarët u dyndën në ishull dhe i masakruan të shoqin, i cili po punonte në arë. Shenjtorja mendoi të përfitonte nga rasti, për t’u bërë murgeshë, por një edikt perandorak, që doli në atë kohë, urdhëronte që vajzat dhe vejushat e reja të martoheshin me paganë. Ajo iu nënshtrua përkujdesjes hyjnore dhe bëri një martesë të dytë, por shembulli i jetës së saj të virtytshme pati një shkëlqim dhe ndikim aq të madh tek i shoqi, saqë ai vendosi të bëhej murg. Pak kohë pas hyrjes në manastir, ai ndërroi jetë dhe shenjtorja ua shpërndau të varfërve pasurinë e saj. Kështu arriti, më në fund, të përqafonte jetën murgërore dhe me anë të shembullit të saj tërhoqi pas vetes një numër të madh grash të ishullit. Athanasia jetonte me asketizëm të rreptë; ushqehej me bukë e ujë dhe gjatë Kreshmës hante një herë në dy ditë pak perime. Pas katër vjetësh e zgjodhën igumene, por ajo tregonte një përulësi aq të madhe, sa asgjë nuk e dallonte nga motrat e tjera.
Dashuria për Perëndinë u shtua në zemrën e saj dhe pas katër vitesh si igumene, Athanasia u tërhoq bashkë me disa nxënëse, për të bërë jetën hezikaste, nën drejtimin e asketit të shenjtë që quhej Matthe. Kur asketi ndërroi jetë, ajo shkoi në Konstandinopojë, ku jetoi shtatë vjet në një manastir, duke ruajtur nostalgjinë për jetën eremite në Egjina. Pasi u urdhërua në një vizion, që të kthehej përsëri, i kaloi atje ditët e fundit të jetës së përkohshme, duke u mësuar nxënëseve parimet e jetës së virtytshme. Ditën që Zoti e kishte paralajmëruar, ajo caktoi një pasuese dhe e dorëzoi shpirtin te Perëndia, duke thënë Psaltirin së bashku me murgeshat e tjera. Që në çastin e varrimit, në varrin e saj ndodhën mrekulli të shumta. Kur luteshin atje, shumë të verbërve iu kthye përsëri drita e syve. Pas 12 ditësh, dy murgesha panë shenjtoren, të veshur me rroba mbretërore, të qëndronte me lavdi përpara derës së kishës.