Nga Libri i Profetit Isaia 41:4-14.
Kush ka vepruar dhe ka kryer këtë, duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë Zoti, jam i pari dhe, me ata të fundit, do të jem po ai”. Ishujt e shohin dhe i ka zënë frika, skajet e tokës dridhen; po afrohen, po arrijnë. Secili ndihmon shokun e tij dhe i thotë vëllait të tij: “Kurajo”. Farkëtari i jep zemër argjendarit dhe ai që i jep dorën e fundit punës me çekiç i jep zemër atij që i bie kudhrës dhe thotë për saldaturën: “Mirë është” dhe e përforcon me gozhda që të mos lëvizë.
Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim, ty që të mora nga skajet e tokës, që kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: “Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë”. Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.
Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken. Ti do t’i kërkosh, por nuk do t’i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më. Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: “Mos u frikëso, unë të ndihmoj”. Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj, thotë Zoti; “Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.
* * * * *
Nga Libri i Gjenezës 17:1-9.
Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: “Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje dhe do të të shumoj fort”.
Atëherë Abrami përuli fytyrën në tokë dhe Perëndia i foli, duke i thënë: Sa për mua, ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh. Dhe nuk do të quhesh më Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse unë të bëj babanë e një shumice kombesh.
Do të të bëj shumë frytdhënës. Pastaj do të bëj prej teje kombe dhe prej teje kanë për të dalë mbretër. Dhe do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje, si dhe me pasardhësit e tu, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën unë do të marr përsipër. Dhe ty dhe pasardhësve të tu pas teje, do t’u jap vendin ku ti banon si një i huaj: tërë vendin e Kanaanëve, në pronësi për gjithnjë; dhe do jem Perëndia i tyre”.
Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: “Nga ana jote, ti do ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit e tu, nga një brez në tjetrin.
* * * * *
Nga Libri i Fjalëve të Urta 15:20-16:9.
Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën. Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt. Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh. Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur! Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.
Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t’i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve. Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra. Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar. Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija. Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.
Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat. Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët. Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë. Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia.
Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti. Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët. Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen. Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë. Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t’i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar.
Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja. Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të. Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi. Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.