Nga Libri i Profetit Isaia 40:18-31.

 

Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë? Një artist shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe argjendari e vesh me ar dhe shkrin zinxhirë të vegjël prej argjendi. Ai që është tepër i varfër për një ofertë të tillë zgjedh një dru që nuk kalbet dhe gjen një artizan të shkathët, që i përgatit një shëmbëlltyrë të gdhendur që nuk lëviz. Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës? Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një vello dhe i hap si një çadër ku mund të banosh.

Ai i katandis princat në një hiç dhe i bën të panevojshëm gjykatësit e tokës. Sapo janë mbjellë, sapo janë hedhur në tokë sapo kërcelli i tyre ka lëshuar rrënjë, ai fryn mbi ta dhe ata thahen; uragani i merr me vete si kashtë. Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baraz me të?, thotë i Shenjti. Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon.

Pse thua, o Jakob, dhe ti, Izrael, shpall: “Rruga ime i është fshehur Zotit dhe për të drejtën time nuk kujdeset Perëndia im? Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme. Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit.

Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.

 

* * * * *

Nga Libri i Gjenezës 15:1-15.

 

Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abrahamit në vegim duke i thënë: “Mos ki frikë, Abraham, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh”.

Po Abrahami i tha: “Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?”. Pastaj Abrahami shtoi këto fjalë: “Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im”.

Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: “Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt”. Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: “Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t’i numërosh”, pastaj shtoi: “Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu”. Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.

Pastaj Zoti i tha: “Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend”. Dhe Abrahami pyeti: “Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?”. Atëherë Zoti i tha: “Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri”. Atëherë Abrahami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau. Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrahami i përzuri.

Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abrahamin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë. Atëherë Zoti i tha Abrahamit: “Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet. Por unë do të gjykoj kombin shërbyesit e të cilit do të kenë qënë; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha. Sa për ty, do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur.

* * * * *

Nga Libri i Fjalëve të Urta 15:7-19.

 

Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve. Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij. Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë.

Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur. Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve! Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët.

Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet. Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi. Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.

Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime. Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.

Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet. Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë.