Ngjallja e Llazarit.

Këtë të shtunë nderojmë ngjalljen e Llazarit prej Jisu Krishtit. Llazari ishte shok i Krishtit dhe motrat e tij, Marta dhe Maria, e mikprisnin në shtëpinë e tyre shumë herë, e cila ndodhej në Vithani afër Jerusalemit. Disa ditë përpara pësimeve të Krishtit, Llazari u sëmur dhe të motrat e tij lajmëruan Zotin Krisht, i cili ndodhej në Galile që ta vizitonte. Por Zoti Krisht ndenji aty deri sa vdiq Llazari edhe atëherë u tha nxënësve të tij që të shkonin ta zgjonin.

Kur mbërriti në Vithani mori vesh prej motrave të Llazarit se ai kishte vdekur prej katër ditësh edhe kërkoi prej tyre që të shikonte varrin e tij. Kur arriti në varr qau edhe kërkoi që t’i hiqnin gurin e varrit. Atëherë ngriti sytë prej qiellit, falënderoi Perëndinë dhe Atin, dhe me zë të lartë thirri: Llazar, dil jashtë. Menjëherë doli jashtë i mbështjellë me pëlhura, prej katër ditësh në varr, përpara turmës së njerëzve, që shikonin ç’po ndodhte. Edhe Jisui kërkoi që ta lirojnë nga pëlhurat dhe të shkojë në shtëpi.

Tradita e vjetër na thotë se Llazari ishte 30 vjeç, dhe jetoi edhe 30 vjet të tjera. Ai mbaroi jetën e tij në Qipro, në vitin 63 pas Krishtit. Varri i tij në qytetin e Kition shkruan: “Llazari i katërditshmi dhe mik i Krishtit”. Në vitin 890 pas Krishtit lipsani i tij u transferua në Konstandinopojë nga perandori Leoni i Dituri.

Tradita na thotë se karakteristika që e dallonte Llazarin pas ngjalljes është se ai nuk qeshi asnjëherë, vetëm kur pa një njeri, i cili po vidhte një qyp balte dhe tha: “Balta po vjedh baltën”.

Gjatë kësaj dite nuk bëhen përkujtimore të fjeturish me grurë, por vetëm Trisai.

 

* * * *

Dëshmoret Agapi, Irini, Hionia.

Agapi, Hionia dhe Irini ishin tri motra, me origjinë nga një familje e pasur dhe me influencë në Selanik. Pas shpalljes së ediktit të Dioklecianit (304), i cili e ndalonte mbajtjen në shtëpi të librave të Shkrimit të Shenjtë, ikën nga qyteti për të ruajtur besimin e tyre dhe shkuan në një mal, pranë një liqeni. Atje jetonin me lutje, afër një asketi të shenjtë, që quhej Zoil. Trupat e tyre ishin në mal, por shpirtrat banonin në mënyrë të vazhdueshme në qiell.

Kur ati shpirtëror i shën Anastasi Farmakolitrias (22 dhjetor), shën Krisogoni, u vra me shpatë nga persekutorët, Perëndia i zbuloi Zoilit vendin ku ndodhej trupi i martirit të shenjtë, për ta varrosur me të gjitha nderimet. Disa ditë më vonë, Krisogonit iu shfaq në ëndërr dhe i bëri të ditur se, pas nëntë ditësh, tri motrat do të arrestoheshin dhe, bashkë me shën Anastasinë, do të ofronin jetën e tyre për hir të Krishtit.

Shën Anastasia nuk vonoi të shkonte në vendin ku ato jetonin, i përqafoi me dashuri dhe i inkurajoi të qëndronin të palëkundura deri në fund të përpjekjes së tyre për hir të besimit. Ajo u garantoi mbështetjen e saj, pavarësisht se kjo ishte me rrezik të madh.

Në ditën e parathënë, ushtarët e perandorit zbuluan vendin e fshehtë ku ndodheshin motrat, i kapën dhe i çuan menjëherë para guvernatorit të Maqedonisë, Dulcetit, bashkë me tri vajza të tjera të krishtera: Kasian, Filipën dhe Eftihian dhe një djalë të ri, Agathonin. Guvernatori u tha me ton të ashpër: “Të pamenda, çfarë çmendurie është kjo juaja, që të mos pranoni t’u bindeni urdhrave hyjnorë të perandorëve dhe të cezarëve?”. Pastaj iu drejtua Agathonit dhe i tha: “Po ti, përse nuk pranove të hash mishrat e ofruara perëndive, siç bëjnë ata që janë besimtarë?”. “Sepse jam i krishterë!” – iu përgjigj Agathoni. Pastaj Dulceti pyeti Agapin dhe virgjëresha e re iu përgjigj: “Unë besoj te Perëndia i gjallë dhe nuk dua të humbas dëshminë e mirë të ndërgjegjes sime”. Ai pyeti edhe Irinin, përse nuk i ishte bindur urdhrave të perandorëve. Ajo iu përgjigj: “Për hir të frikës së Perëndisë!”. Hionia dha të njëjtën përgjigje; Kasia i tha se donte të shpëtonte shpirtin e saj dhe Filipa deklaroi se ishte gati më mirë të vdiste sesa të prekte mishrat e idhujve. Eftihia tregoi po të njëjtën kurajë, por, meqenëse ishte shtatëmuajshe shtatzënë, magjistrati e mbajti në burg.

Pastaj nisi përsëri marrjen në pyetje dhe u përpoq ta bindte Agapin. Ajo i tha: “Nuk është mirë t’i nënshtrohesh satanait. Ti nuk do t’ia dalësh të kthesh vendimin tim, që është i pandryshueshëm”. “Kush ju ka tërhequr në këtë marrëzi?”- pyeti Dulceti. “Është Perëndia i tërëfuqishëm dhe Biri i Tij i vetëm, Zoti ynë Jisu Krisht!”- i tha Hionia. Guvernatori, kur pa se nuk mund t’ua dilte dot, shpalli vendimin: “Unë i dënoj Agapin dhe Hionian të digjen të gjalla, meqenëse kanë vepruar me kokëfortësi të madhe kundër vendimeve hyjnore të augustëve dhe besojnë e ushtrojnë ende fenë e ligë të të krishterëve, që është diçka e urryer për të gjithë njerëzit besimtarë. Sa i takon Agathonit, Irinit, Kasias dhe Filipës, do të mbahen në burg, për shkak të moshës së tyre të re”.

Të nesërmen e ekzekutimit të të dyja shenjtoreve, Irinin e çuan përsëri në gjykatë, me pretekstin se te shtëpia e saj kishin gjetur Shkrimet, ndonëse ajo nuk kishte pranuar se i kishte. Dulceti e kërcënoi me vdekje, por i tha se do ta shpëtonte, nëse pranonte t’u ofronte sakrificë idhujve dhe të hante mishin e ofruar. “Në asnjë rast nuk do të bëj një gjë të tillë, – u përgjigj shenjtorja, – sepse ndëshkimi i përjetshëm i pret ata që mohojnë fjalën e Perëndisë, i Cili na ka mësuar ta duam deri në vdekje. Prandaj, më mirë preferojmë të digjemi të gjalla, se të dorëzojmë këto Shkrime!”.

Pasi i morën sërish në pyetje dhe shërbëtorja e Perëndisë tregoi përsëri guxim, guvernatori urdhëroi ta çonin lakuriq në një shtëpi publike. Por hiri i Shpirtit të Shenjtë e mbrojti virgjëreshën e Krishtit dhe askush nuk guxoi t’i afrohej ose t’i drejtonte fjalë fyese. E çuan përsëri para Dulcetit, i cili e pyeti: “Ende vazhdon të këmbëngulësh në marrëzinë tënde?”. “Jo në marrëzinë time, por në adhurimin e Perëndisë së vërtetë”, – iu përgjigj ajo. “Atëherë, – i tha ai, – do të marrësh ndëshkimin që i shkon për shtat paturpësisë sate”. Dhe dha vendimin si më poshtë: “Meqenëse Irini nuk ka pranuar t’u bindet urdhrave të perandorit dhe të ofrojë sakrificë, duke ngulur këmbë në besimin e saj të krishterë, urdhëroj të digjet e gjallë, njësoj si motrat e saj!”.

Ditën tjetër ushtarët e çuan te vendi ku ishin ekzekutuar të motrat. Atje ndezën një zjarr të madh dhe e urdhëruan të hidhej vetë aty brenda. Irini hyri në mes të flakëve duke psalur e duke lavdëruar Zotin dhe, si një sakrificë erëmirë, ia ofroi veten Atij.

* * * * *

Dëshmorët Feliks episkopi, Januar presviteri, Furtunati, Septimini.

Në vitin 304, guvernatorin Magnien e dërguan në qytetin e Thibiukas, në Likaoni, për të ekzekutuar ediktin e perandorëve, që urdhëronte të digjeshin kudo librat e të krishterëve. Ai thirri në gjyq episkopin Feliks, priftin Januar dhe dy besimtarë, Fortunatin e Septiminin dhe, pasi u lexoi ediktin, i urdhëroi të dorëzonin librat e kishës së tyre.

Episkopi i shenjtë iu përgjigj: “Është e shkruar, o guvernator: Mos ua jepni të shenjtën qenve; as mos i hidhni margaritarët tuaj përpara derrave (Matth. 7:6). Prandaj, ti po mundohesh më kot teksa na kërkon të dorëzojmë librat e shenjtë, edhe kur na nxjerr para syve ediktet perandorake”. Guvernatori e kërcënoi se do t’i dërgonte te prokonsulli, që do t’i dënonte. Feliksi u përgjigj: “Siç paraqitem para teje, kështu do të qëndroj edhe përpara mbretit tënd!”. E futën në burg, ku e lanë tri ditë pa bukë e pa ujë. Pastaj e sollën përsëri para magjistratit, por tregoi të njëjtën vendosmëri, ndaj iu dorëzua prokonsullit bashkë me shokët e tij.

Pas njëmbëdhjetë ditësh në burg, prokonsulli i dërgoi përsëri te prefekti i Pretorit, që i mori në pyetje dhe i futi më pas në një qeli të errët. Qëndruan atje për katërmbëdhjetë ditë dhe më pas i detyruan të hipnin në një anije, të lidhur pas këmbëve të kuajve, që i godisnin me shqelma. Katër ditë më vonë, mundën të dilnin në një port ku disa të krishterë i pritën në fshehtësi. Që aty shkuan përsëri në Likaoni dhe mbërritën në një qytet të quajtur Elure ose Rule. Guvernatori mundi t’i arrestonte përsëri dhe, pasi u hoqi prangat, u kërkoi “me butësi” t’i dorëzonin Shkrimet dhe t’u ofronin sakrificë idhujve. Meqenëse shenjtorët mbetën të palëkundur në besimin e tyre, urdhëroi t’u pritej koka.