Nga Libri i Profetit Isaia 37:33-38:6.
Prandaj kështu thotë Zoti kundër mbretit të Asirisë: “Ai nuk do të hyjë në këtë qytet as ka për të hedhur ndonjë shigjetë, nuk do t’i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij. Ai do të kthehet nëpër atë rrugë nga ka ardhur dhe nuk do të hyjë në këtë qytet”, thotë Zoti. Sepse unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për hirin tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim.
Pastaj engjëlli i Zotit doli dhe goditi në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; dhe kur njerëzit u çuan në mëngjes, ja, të gjithë ishin kufoma. Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis dhe u kthye në shtëpi dhe mbeti në Niniv. Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në tempullin e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adramalek dhe Sharetser e vranë me shpatë; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.
Në atë kohë Ezekia u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse. Profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: “Kështu flet Zoti. Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe jo për t’u shëruar”. Atëherë Ezekia e ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit: Të lutem shumë, o Zot, kujto si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të pastër, dhe kam bërë atë që është mirë në sytë e tu. Pastaj Ezekia qau me të madhe.
Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaias, duke thënë: Shko dhe i thuaj Ezekias: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, ati yt: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tua; ja, do t’u shtoj pesëmbëdhjetë vjet ditëve të tua; do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet.
* * * * *
Nga Libri i Gjenezës 13:12-18.
Abrahami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë. Por njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit.
Dhe Zoti i tha Abrahamit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: “Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit. Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë. Dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj nëse dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu. Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty”. Atëherë Abrahami i ngriti çadrat e tij dhe vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit.
* * * * *
Nga Libri i Fjalëve të Urta 14:27-15:4.
Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes. Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve. Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.
Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave. Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë. I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij. Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh.
Drejtësia e lartëson një komb, por mëkati është turpi i popujve. Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi.
Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin. Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira. Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët.
Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.