– Oshënar Neofiti I Mbyllur –
Neofit, greqisht do të thotë: ai që u mboll rishtas. Kështu quheshin në Kishën e vjetër ata që sapo pagëzoheshin. Shën Neofiti lindi në vitin 1134, në Amathundë të Qipros, prej prindërish të varfër, por shumë besimtarë. Që në moshë të vogël ai filloi të punonte në kultivimin e vreshtave. E fejuan në moshën 17-vjeçare, por fejesa u prish dhe oshënari hyri në një manastir në afërsi të Nikosisë, ku mësoi të shkruajë, si dhe mësoi përmendësh tërë Psaltirin!
Pas 7 vjetësh bëri një pelegrinazh në Vendet e Shenjta dhe rrezikoi për shkak të një furtune të madhe. Duke mos gjetur vend të përshtatshëm qetësie shpirtërore, u kthye në manastirin e tij, por shpejt vendosi të lundrojë për në Azinë e Vogël dhe të hyjë në malin e murgjve, Latros. Gjatë udhëtimit, në Pafos të Qipros i vodhën paratë e udhëtimit. Ndaj qëndroi jashtë qytetit dhe në një vend tërheqës, në një anë humnere, gërmoi një shpellë dhe u mbyll në të. Gradualisht në atë vend u krijua një manastir me aktivitet të çmuar deri sot të cilin e drejtonte me dashuri dhe aftësi. Ishte prift që në moshën 36-vjeçare. Në moshën 64-vjeçare gërrmoi dhe krijoi shpellën e dytë, më lart, që të gjejë qetësi nga pelegrinët e shumtë. Kur qe duke e përfunduar, shpëtoi për mrekulli nga një shkëmb që u rrokullis nga lart. Të dyja shpellat komunikonin midis tyre me anë të një çarjeje, për të dëgjuar shërbesat dhe për të marrë Kungatën hyjnore.
E vazhdoi jetën e mbyllur deri në fjetjen e tij (22.4.1219). Varri i tij, të cilin e kishte hapur vetë, ishte i panjohur nga viti 1571 deri më 27 shtator 1750, kur u rizbulua rastësisht dhe lipsanet e tij të shenjta u çuan në kishën e manastirit ku dhe ruhen.
Shenjti shkroi Testamentin Tipik, domethënë kanonizmin për vëllazërinë e tij, si dhe 15 vepra të ndryshme shpirtërore, vepra që kanë dhe vlera të mëdha letrare.
Gjetja e lipsanit kremtohet më 27-28 shtator. Disa herë kremtohet edhe më 24 janar.