Nga Libri i Profetit Isaia 10:12-20.

 

Por do të ndodhë që, kur Zoti të ketë mbaruar tërë veprën e tij në malin Sion dhe në Jeruzalem, ai do të thotë: “Unë do të dënoj frytin e mëndjemadhësisë së zemrës së mbretit të Asirisë dhe lavdinë e syve të tij krenarë”.

Në fakt ai thotë: “E bëra me forcën e dorës sime dhe me diturinë time, sepse jam i zgjuar; lëviza kufijtë e popujve, plaçkita thesaret e tyre dhe si një njeri i fuqishëm shfuqizova ata që rrinin mbi fron. Dora ime ka gjetur si një fole pasuritë e popujve; ashtu si dikush mbledh vezët e braktisura, kështu unë grumbullova tërë dheun dhe nuk pati asnjeri që të lëvizë krahët, apo të hapë sqepin dhe të pingërojë”. Mos vallë sëpata lëvdohet me atë që pret me të apo mburret sharra me atë që e përdor? Ashtu si shufra të duhej të drejtonte atë që e ngre, apo shkopi të mund të ngrihej a thua se nuk është prej druri!

Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, do të dërgojë ligështimin midis radhëve të tyre më të fuqishme, dhe në vend të lavdisë së tij ai do të ndezë një zjarr, si flakët e një zjarri. Kështu drita e Izraelit do të bëhet një zjarr dhe i Shenjti i tij një flakë, që do të flakërojë dhe do të përpijë ferrat dhe gjembat brenda një dite të vetme. Ai do të konsumojë lavdinë e pyllit të tij dhe të fushës pjellore të tij nga shpirti deri te trupi; do të jetë si një i sëmurë që ligështohet.

Pjesa tjetër e drurëve të pyllit të tij do të katandiset në një numër aq të vogël sa edhe një fëmijë mund t’i numërojë. Atë ditë do të ndodhë që pjesa që mbetet e Izraelit dhe ata që kanë shpëtuar nga shtëpia e Jakobit nuk do të mbështeten më mbi atë që i godiste, por do të mbështeten në të vërtetë mbi Zotin, të Shenjtin e Izraelit.

 

Nga Libri i Gjenezës 7:6-9.

 

Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur mbi tokë ndodhi përmbytja e ujërave. Kështu Noeu u fut në arkë bashkë me bijtë e tij, me të shoqen dhe me gratë e bijve të tij, për shkak të ujërave të përmbytjes. Nga kafshët e pastra dhe nga kafshët jo të pastra, nga zogjtë e nga të gjitha llojet që zvarriten mbi tokë, erdhën dy nga dy para Noeut, në arkë, një mashkull e një femër, ashtu si e kishte porositur Perëndia atë.

 

Nga Libri i Fjalëve të Urta  9:12-18.

 

Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t’i kesh vetëm ti.

Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë. Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit, për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre: Ai që është budalla të vijë këtu!

Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë: Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme. Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.