NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 9:8-10:4.

Zoti ka dërguar një fjalë kundër Jakobit dhe ajo ka rënë mbi Izraelin. Tërë populli do ta njohë, Efraimi dhe banorët e Samarias, që në kryelartësinë e tyre dhe arrogancën e zemrës së tyre thonë: “Tullat kanë rënë, por do ta rindërtojmë me gurë të latuar; fiqtë e Egjiptit janë prerë, por ne do t’i zëvendësojmë me kedra”. Për këtë Zoti do të nxisë kundër tij kundërshtarët e Retsinit dhe do të nxisë armiqtë e tij: Sirët nga lindja, Filistejtë nga perëndimi, që do ta hanë Izraelin gojëhapur. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

Megjithatë populli nuk kthehet tek ai që e godet dhe nuk kërkon Zotin e ushtrive. Prandaj Zoti do t’i presë Izraelit kokë dhe bisht, degë palme dhe xunkth brenda një dite të vetme. Plaku dhe njeriu nga parësia janë koka; dhe profeti që u mëson të tjerëve gënjeshtra është bishti. Ata që udhëheqin këtë popull e bëjnë të shkojë në rrugë të gabuar, dhe ata që udhëhiqen prej tyre i përpijnë. Prandaj Zoti nuk do të kënaqet me të rinjtë e tij dhe as do t’i vijë keq për jetimët e tij dhe gratë e veja të tij, sepse të gjithë janë hipokritë dhe të çoroditur, dhe çdo gojë thotë marrëzira. Megjithë tërë këto gjëra zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë. Sepse ligësia djeg si një zjarr, që përpin ferra dhe gjemba dhe flakëron në pjesën e dendur të pyllit, që ngrihet lart si një shtyllë tymi.

Për shkak të zemërimit të Zotit të ushtrive vendi digjet dhe populli është si eshkë për zjarrin; askujt nuk i vjen keq për vëllanë e vet. Këputet nga e djathta, por uria vazhdon; gëlltitet nga e majta, por pa u ngopur; secili përpin mishin e krahut të vet. Manasi përpin Efraimin, dhe Efraimi Manasin; dhe tok janë kundër Judës. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

Mjerë ata që nxjerrin dekrete të padrejta dhe ata që vazhdojnë të hartojnë vendime të padrejta, për t’u mohuar drejtësinë të mjerëve, për t’u mohuar të drejtën të varfërve të popullit tim, dhe për t’i bërë gratë e veja pre të tyre dhe jetimët plaçkë të tyre. Çfarë do të bëni ditën e ndëshkimit dhe të shkatërrimit që do të vijë nga larg? Te kush do të ikni për të kërkuar ndihmë dhe kujt do t’ia lini pasurinë tuaj? Atyre nuk do t’u mbetet tjetër veç se të përkulen midis robërve ose të bien midis të vrarëve. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

NGA LIBRI I GJENEZËS 7:1-5.

Atëherë Zoti i tha Noeut: “Hyr në arkë bashkë me tërë familjen tënde, sepse pashë se je i drejtë para meje në këtë brez. Nga çdo lloj kafshe të pastër merr shtatë çifte, meshkuj e femra, si dhe nga kafshët jo të pastra një çift, mashkull dhe femër; edhe nga zogjtë e qiellit merr shtatë çifte, meshkuj e femra, për të ruajtur gjallë farën e tyre mbi faqen e tërë dheut; sepse mbas shtatë ditëve do të bëj që të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet net me rradhë, dhe do të shfaros nga faqja e dheut tërë qeniet e gjalla që kam krijuar”. Dhe Noeu bëri pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti.

NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 8:32-9:11.

Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia! Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë! Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia. Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit. Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen”.

Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj. Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj. Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret: Ai që është budalla të vijë këtu!. Atij që i mungon gjykimi i thotë: Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier. Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes”.

Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara. Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë. Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij. Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia. Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.