Oshënar Titi, çudibërës.
I përkushtuar te Perëndia që në fëmijëri, ati ynë i shenjtë Titi u bë murg në një manastir pranë Konstandinopojës, me shumë gjasa në kohën e persekutimit ikonoklast. Shkëlqimi i virtyteve, bindja absolute dhe përulësia e pashtirur, bënë që t’i kalonte në virtyt jo vetëm vëllezërit e manastirit, por të gjithë murgjit e kohës së tij.
Më pas u bë igumen manastiri dhe sillej me shumë mirësi dhe ëmbëlsi me delet e tij shpirtërore, duke u transmetuar gëzimin dhe dashurinë e tij për Perëndinë. Pastërtia engjëllore e denjësoi të kryente një numër të madh mrekullish, saqë u quajt mrekullibërës. Kur e përmbushi rrugën e tij tokësore, fjeti në paqe, duke u lënë nxënësve si trashëgimi jetën e tij të shenjtë, si ikonë të gjallë të plotësisë së virtyteve ungjillore.
* * * * *
Dëshmore Theodhora.
Ishte nga Tiro dhe që në moshën 17-vjeçare u vlerësua që të fitojë kurorën e martirizimit. Shën Theodhora kishte brenda saj hirin e Perëndisë, i cili jep urtësinë e vërtetë bijve të Tij besnikë, si edhe guximin dhe trimërinë të virgjërve. Pa u frikësuar, ajo pohoi përpara tiranit Urbani besimin e saj të krishterë. Tirani mendoi se nuk do të ishte aspak e vështirë të ndërronte besimin e asaj vajze 17-vjeçare me anë të premtimeve joshëse. Por ndodhi e kundërta. Theodhora i qëndroi besnike besimit të saj te Krishti. Atëherë Urbani, duke parë se përpjekjet e tij për ta bindur shenjtoren shkuan dëm, urdhëroi që ta torturonin.
Theodhora u gëzua shumë sapo dëgjoi këto, pasi kurora më e bukur dhe më e shndritshme për të ishte që të pësonte për Krishtin. Kështu, si një heroinë e vërtetë, pranoi martirizimin pa hezituar aspak. Pas torturave, tirani shkoi të shihte nëse Theodhora kishte ndërruar mendim. Por ajo me plot entuziazëm i tha shprehjen më të dashur të martirëve: “Jam e krishterë.” Urbani u egërsua më tepër dhe urdhëroi që ta hidhnin Theodhorën në mes të detit.
Kështu gjatë natës e sollën në mes të detit, në thellësi të heshtura e të frikshme. Duke ditur fundin e saj, ajo lutej nxehtësisht në heshtje me sytë e ngritur lart në qiell. Në mes të asaj errësire të thellë, brenda saj lindi drita e ngazëllimit dhe gëzohej duke menduar se së shpejti do të ndodhej atje ku mbretëron drita që s’ka perëndim. Dhe ja, momenti kishte arritur. Fundi i errët i detit do të bëhej varri i trupit të saj të nderuar. Pasi bëri shenjën e kryqit dhe me zë të lartë thirri emrin e Zotit tonë Jisu Krisht, e hodhën në det. As xhelatët, me gjithë ashpërsinë e shpirtit të tyre, nuk mund të mos emocionoheshin nga trimëria e kësaj vajze të re.
Le t’i lutemi, pra, dëshmores Theodhora që të ndërmjetojë për ne pranë Krishtit Perëndi, për shpëtimin e shpirtrave tanë.