– Ungjilli – Marku 2:1-12.

 

Edhe pas disa ditësh përsëri hyri në Kapernaum; dhe u dëgjua se është në një shtëpi. Edhe përnjëherë u mblodhën shumë vetë, aq sa as vendet pranë derës s’i nxinin më; edhe ai u predikonte atyre fjalën. Edhe vijnë tek ai e sjellin një të paralizuar që e ngrinin katër vetë. Edhe pasi s’mund të afroheshin tek ai nga turma, zbuluan kulmin ku ishte ai, edhe si bënë një vrimë, zbritën shtratin, mbi të cilin dergjej i paralizuari.

Edhe Jisui, kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit: Bir, t’u falën mëkatet e tua. Edhe ca nga shkruesit ishin atje duke ndenjur, edhe duke menduar në zemrat e tyre: Ç’flet ky kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?

Edhe Jisui menjëherë si e mori vesh në shpirtin e tij se po mendohen kështu me veten e tyre, u tha atyre: Përse i mendoni këto në zemrat tuaja? Ç’është më lehtë t’i them të paralizuarit: T’u falën mëkatet, apo t’i them: Ngrihu, e merr shtratin tënd, edhe ec? Po që ta dini se i Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate mbi dhe, – i thotë të paralizuarit: Ty të them, ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde.

Edhe ai u ngrit menjëherë dhe mori shtratin, edhe doli përpara të gjithëve, aq sa të gjithë çuditeshin dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se kurrë s’kemi parë kështu.