Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari (Vangjelizmoi).

 

     Festa e Ungjillëzimit të Virgjëreshës Mari është në 25 Mars, nëntë muaj para Krishtlindjes. Ajo është kremtimi i lajmërimit të lindjes së Krishtit te Virgjëresha Mari, siç është shkruar në Ungjillin e Shën Llukës: Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, te një e virgjër, që ishte fejuar me një njeri që quhej Josif, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i Virgjëreshës ishte Maria. Dhe engjëlli hyri te ajo dhe tha: “Gëzohu, o hirplote, Zoti është bashkë me ty; e bekuar je ti në mes të grave”. Por, ajo kur e pa u turbullua nga fjalët e tij dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë. Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vesh emrin Jisu. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakovit përjetë, edhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë mbarim”. Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?” Dhe engjëlli, duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj edhe foshnja e shenjtë që do të lindë prej teje, do të quhet Bir i Perëndisë. Dhe ja, Elisabeta, far’ e fisi yt, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për atë, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”. Atëherë Maria tha: “Ja shër-bëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”. Dhe engjëlli u largua prej saj (Lluka 1:26-38).

    Shërbesat e festës së Ungjillëzimit, Mëngjesorja dhe Mesha Hyjnore, theksojnë përsëri e përsëri sihariqin e gëzuar të shpëtimit të njerëzve në Lindjen e Shpëtimtarit. Sot është nisja e shpëtimit tonë dhe shfaqja e misterit të përjetshëm; i Biri i Perëndisë bëhet i Biri i Virgjëreshës dhe Gabrieli ungjillëzon këtë gëzim. Prandaj, le t’i thërrasim Hyjlindëses: Gëzohu o Hirplote, Zoti është me ty (Përlëshorja)Një tipar i veçantë i kësaj feste është Kanoni Mëngjesor, i cili ka karakterin e një dialogu ndërmjet Kryengjëllit Gabriel dhe Virgjëreshës Mari. Gjithashtu, ndërmjet elementëve më popullorë të festës është Madhërimi, i cili ka formën e përshëndetjes tonë ndaj nënës virgjëreshë me fjalët e Kryengjëllit: Me zërin e kryengjëllit le të thërrasim te ty, o virgjëreshë e kulluar: Gëzohu o Hirplote, Zoti është bashkë me ty! (Madhërimi)

    Prandaj, kremtimi i Ungjillëzimit është festa e marrjes tonë të sihariqit të shpëtimit dhe i lavdërimit tonë të shërbëtores së Perëndisë Maria, e cila u bë Nëna e Perëndisë në mish. Meqenëse festa e Ungjillëzimit bie normalisht në periudhën e Kreshmës së Madhe, mënyra e kremtimit ndryshon nga viti në vit, duke u varur se në cilën ditë bie. Nëse festa bie në një ditë jave të Kreshmës, gjë që ka më shumë mundësi, Mesha Hyjnore e festës bëhet në mbrëmje me Mbrëmësoren dhe kështu, kremtohet mbas një dite agjërimi të plotë. Kur ndodh kjo, ndiqen rregullat e agjërimit të Meshës së Dhuratave të Parashenjtëruara. Mesha Hyjnore e Ungjillëzimit, është e vetmja Meshë e Shën Joan Gojartit që lejohet në një ditë jave, gjatë Kreshmës së Madhe.