– Ungjilli – Marku 2:23-3:5.
Edhe ndërsa ai po shkonte një ditë të shtunë nëpër të mbjella, nxënësit e tij, duke bërë udhë, zunë të shkoqin kallinj. Edhe Farisenjtë i thoshin: Shih, pse bëjnë të shtunën atë që nuk lejohet? Edhe ai u thoshte atyre: Kurrë s’keni lexuar ç’bëri Davidi kur pati nevojë dhe i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të?
Si hyri në shtëpinë e Perëndisë në ditët e kryepriftit Abiatar dhe hëngri bukët e blatës, të cilat nuk lejohet t’i hajë tjetër njeri, veç priftërinjve, edhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të? Edhe u thoshte atyre: E shtuna është bërë për njeriun, jo njeriu për të shtunën. Prandaj i biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.
Edhe hyri përsëri në sinagogë; edhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë. Edhe vinin re atë nëse do ta shëronte të shtunën, që ta akuzonin. Edhe ai i thotë njeriut që kishte dorën e thatë: Ngrihu e qëndro në mes.
Edhe u thotë atyre: A lejohet të bëjë njeriu mirë të shtunave apo të bëjë keq? Të shpëtojë jetë apo të vrasë? Po ata s’bënin zë. Atëherë si i vuri re për rreth me zemërim, sepse i erdhi keq për ngurtësinë e zemrës së tyre, i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu; edhe dora e tij u bë përsëri e shëndoshë si tjetra.