Mrekullia E Grurit Nga Shën Theodhori

Më 361, Julian Apostati po përpiqej, me sa kishte në dorë, të rivendoste zakonet pagane. Duke e ditur se të krishterët e kishin zakon të shenjtëronin veten e tyre gjatë Javës së Parë të Kreshmëve të Mëdha me lutje dhe kreshmë, tirani i lig i tha prefektit të Konstandinopojës të spërkaste të gjitha ushqimet që shiteshin në treg me gjakun e kafshëve të sakrifikuara për perënditë pagane. Në këtë mënyrë, asnjë njeri në qytet nuk do t’i shpëtonte dot ndotjes së idhujtarisë. Por Perëndia i të krishterëve nuk e braktisi popullin e Tij të zgjedhur. Ai dërgoi shërbëtorin e Tij, Theodhorin, për të turpëruar tiranin. Shën Theodhori iu shfaq në një vizion patriarkut Evdhoks (360-364) dhe e informoi për çka ndodhte dhe se duhej të urdhëronte të krishterët të mos blinin ushqim në treg, por, në vend të tyre, të hanin koliva, grurë të zier. Kështu, falë ndërhyrjes së martirit të shenjtë, Theodhorit, populli i krishterë u ruajt i pacenuar nga ndotja e idhujtarisë.

Kisha ka caktuar përkujtimin e kësaj mrekullie të shtunën e parë të Kreshmës së Madhe, për t’u kujtuar besimtarëve se kreshmimi dhe përkorja kanë fuqinë për të pastruar të gjitha njollat e mëkatit.

* * * * *

Nga Jeta E Shën Theodhorit

Ky martir i madh dhe i shenjtë i Krishtit e kishte origjinën nga Amasia e Pontit dhe ishte një legjionar romak në kohën e persekutimit të madh të Maksimianit (rreth 303). Ishte i krishterë që prej fëmijërisë, por e mbante të fshehtë besimin e tij, jo nga frika, por sepse nuk kishte marrë ende një shenjë nga Perëndia për ta paraqitur veten për martirizim. Ndërsa kohorta e tij ishte vendosur pranë qytetit të Efkaitës (Helenoponti), mësoi se njerëzit e asaj krahine kishin frikë nga një bishë, që kishte bërë strehë në pyllin atje pranë. E kuptoi se në këtë ngjarje fshihej përgjigjja që Perëndia do t’i jepte, nëse kishte ardhur koha ose jo që të martirizohej. Ndaj shkoi thellë në pyll, ku gjeti një fshat të shkretuar, banorja e vetme e të cilit ishte Efsevia, një princeshë e krishterë, e cila i tregoi se ku strehohej bisha. Theodhori e gjeti dhe, pasi u armatos me shenjën e Kryqit të shenjtë, e gjuajti me shtizën e tij bishën që ulërinte e tërbuar dhe e vrau.

I bindur se tashmë, me anë të hirit të Perëndisë, ishte gati për të fituar edhe mbi dragoin shpirtëror, Djallin, siç kishte bërë me bishën e dukshme, shën Theodhori u kthye në kamp, i gatshëm për të pohuar besimin e tij. Kur komandanti i kohortës së tij urdhëroi që të bëhej një sakrificë për zotat e perandorisë, Theodhori qëndroi në tendën e tij. “Unë jam i krishterë”, i tha ai skuadrës që erdhi për ta kërkuar. “Unë adhuroj vetëm Krishtin. Ai është mbreti që unë i shërbej dhe vetëm Atij jam gati t’i ofroj therore”. Pasi i bënë pyetje me djallëzi, ata e lanë për të pyetur edhe ushtarë të tjerë të krishterë.

Theodhori, duke marrë zemër prej zjarrit të zellit hyjnor, i nxiti edhe të krishterët e tjerë që ta shfaqnin veten e tyre të denjë për Krishtin, i Cili i kishte zgjedhur ata ushtarë në mbretërinë e Tij qiellore. Atë natë ai shkoi në tempullin pagan dhe shkatërroi altarin e Reas, nënës së zotave, duke e bërë copa-copa. E kapën teksa po bënte këtë veprim dhe e çuan te guvernatori Publius.

Në Efkaita u bë trazirë e madhe kur u mësua për këtë ngjarje, por Theodhori iu përgjigj me qetësi guvernatorit, duke i treguar absurditetin e të besuarit se një copë e vogël druri, që ishte djegur në pak minuta, ishte një hyjni. Kur e kërcënuan me tortura të frikshme, shenjtori u përgjigj: “Kërcënimet tuaja nuk më frikësojnë, sepse, në mes të këtyre torturave, fuqia e Krishtit do të jetë gëzim dhe ngazëllim për mua”. Duke kërcëllitur dhëmbët nga inati, guvernatori e futi në një burg të errët. Atë natë Krishti iu shfaq në burg shërbëtorit të tij besnik dhe i premtoi se Hiri i Tij do të ishte ushqimi, pija, gëzimi dhe mbrojtja e tij. I ngushëlluar në këtë mënyrë, Theodhori i psali tërë natën himne Perëndisë së bashku me engjëjt, aq sa rojat menduan se kishte edhe të krishterë të tjerë aty brenda edhe pse dyert e burgut ishin të mbyllura. Kur i ofruan bukë dhe ujë, Theodhori i refuzoi duke thënë se Krishti i kishte premtuar atij ushqim prej qiellit.

Kur mbërriti te Publiusi për herë të dytë, atij i ofruan një post të lartë priftëror të idhujve, por shenjti qeshi dhe e siguroi guvernatorin se ishte gati të vdiste për hir të dashurisë për Krishtin. Atëherë e varën nga thembrat dhe trupin ia çanë me thonj hekuri. Por kur panë qëndresën e pathyeshme të shenjtorit, torturuesit e kuptuan se lodheshin më kot dhe guvernatori, duke parë vendosmërinë e tij e duke pasur frikë shembullin e tij, që do të inkurajonte edhe të krishterë të tjerë, e dënoi me vdekje.

Kur mbërritën te turra e druve, martiri i hoqi vetë rrobat dhe iu lut nxehtësisht Perëndisë, që t’i forconte edhe martirët e tjerë. Ai shkoi vetë drejt flakëve, që e rrethuan por nuk e prekën, sikur donin të tregonin me këtë bindjen e tyre. Në mes të atij rrethi triumfal shën Theodhori ia dha frymën Perëndisë, duke e falënderuar Atë. Efsevia shpresëtare bleu trupin e tij dhe e çoi në Efkaita. Aty u ndërtua një kishë për nder të shën Theodhorit, ku pelegrinët e shumtë fitonin shëndetin e shpirtit dhe të trupit, duke u lutur me besë.

Shën Theodhor Tironi përveç mrekullisë grurit, kreu edhe shumë mrekulli të tjera për ata që i luteshin me besë.

Një ditë, duke shkëlqyer mbi një kalë të bardhë, ai iu shfaq një vejushe të varfër dhe i solli djalin e saj të vetëm, që ishte kapur rob prej saraçenëve. Ai i çonte shpesh në vend të sigurt shumë njerëz që i zinte stuhia e tmerrshme; drejtonte hajdutët në pendim dhe shumë të arratisur i ktheu përsëri në paqe pranë fëmijëve të tyre.

Në të gjitha mrekullitë ky legjionar romak tregoi se është mbrojtës qiellor i të krishterëve.

 

* * * * *

Dëshmor Nikoni e 199 nxënësit e tij.

 

Ati ynë i shenjtë Nikon lindi në shekullin e III-të në zonën e Napolit. I ati ishte pagan, ndërsa e ëma e krishterë. U fut në ushtri, ku një ditë u përball me një situatë të rrezikshme. Iu kujtuan mësimet e perëndishme të nënës dhe thirri: “Zot, Jisu Krisht, ki mëshirë për mua!”. I armatosur me shenjën e kryqit hyri me guxim në betejë, dhe doli fitimtar e i mbuluar me lavdi. Kur u kthye në vendlindje, vizitoi nënën dhe ia tregoi ngjarjet që i kishin ndodhur, si dhe dëshirën për të shkuar që të pagëzohej në Lindje në burimin e Besimit.

Dhe kështu bëri. Zbriti në ishullin Hios, u izolua në një mal dhe qëndroi në kreshmë e lutje për një jave, që të përgatitej për pagëzimin e shenjtë. Një engjëll i Zotit iu shfaq dhe e udhëzoi të zbriste në liman. Atje gjeti një anije dhe shkoi me të deri në malin Ganos, në Thrakë, ku takoi episkopin Theodhor të Kizikës, i cili bënte jetë eremiti në një shpellë në mal.

Episkopi ishte informuar që më përpara për ardhjen e tij, e mbajti pas vetes, duke i dhënë mësimet themelore të besimit dhe e pagëzoi në emër të Trinisë së Shenjtë. Nikoni vendosi të jetonte përgjithmonë atje ku përkujdesja e Perëndisë e kishte drejtuar. Pas tre vjetësh Theodhori e dorëzoi prift dhe më pas, kur erdhi koha të thirrej nga Perëndia, i dha nën drejtim 190 dishepujt që ishin mbledhur rreth tij.

Në Lindje kishte shpërthyer atëherë Persekutimi i Decit (251) dhe kjo e detyroi Nikonin e dishepujt të largoheshin që aty. Pasi qëndruan për pak kohë në Mitilini, arritën në Itali, ku Nikoni mundi ta shikonte nënën e tij para se ajo të vdiste.

Gjatë këtij qëndrimi të shkurtër në vendlindje, Nikoni pagëzoi edhe nëntë bashkatdhetarë të tij, të cilët braktisën familjet për t’u bashkuar me ushtrinë e të 190-ve. Të dyqind murgjit shkuan në Sicili, ku u vendosën në malin Taormina, në rrënojat e një ndërtese të vjetër termale. Por qëndruan në paqe vetëm për pak kohë, sepse prefekti pagan i Sicilisë, Kuintiani, kur mori vesh për praninë e asketëve të shenjtë, i kapi dhe i nxori përpara gjykatës. Dishepujt e Nikonit, të frymëzuar edhe nga fjalët e atit të tyre shpirtëror, refuzuan t’u flijonin idhujve dhe rrëfyen fuqishëm Krishtin.

Prefekti urdhëroi t’i rrihnin me kamxhikë prej deje kau dhe pastaj t’u prisnin kokat. Trupat ua hodhën në furrën e ndezur me këtë rast të qendrës termale. Kur i erdhi radha Nikonit i shqyen gjymtyrët dhe ushtarët e dogjën me pishtarë. Pastaj e lidhën me rripa pas disa buajsh, të cilët e hodhën në një përroskë të thellë. Pasi e nxorën prej andej ende të gjallë, i thyen nofullat me gurë, i prenë gjuhën dhe në fund edhe kokën. Lipsanet e çmuara të shën Nikonit dhe të shokëve të tij u gjetën më vonë nga episkopi i Mesinisë, Theodhosi, i cili ndërtoi një kishëz për nder të tyre.

 

* * * * *

Oshënar Dëshmor i ri Llukai.

 

Shën Llukai lindi në gjirin e një familjeje të krishterë të Adrianopojës. Pas vdekjes së të atit, kur s’ishte as gjashtë vjeç, e ëma ia besoi edukimin e tij një tregtari grek të Konstandinopojës. Kur ishte trembëdhjetë vjeç u përlesh me një fëmijë turk. Kur panë se po fitonte, turma e mbledhur u sul mbi të me britma, duke e kërcënuar me vdekje. I frikësuar, djali thirri atëherë: “Më lini dhe do të bëhem mysliman!”. E çuan si shërbëtor te një turk i pasur dhe e rrethprenë. Me gjithë kujdesin e zotërinjve të tij dhe premtimet për karrierë, ndërgjegjja e Llukait nuk gjeti prehje dhe i përbuzi të gjitha kënaqësitë, duke vajtuar fshehtazi se s’mund të shpëtonte nga ajo shtëpi dhe nga skllavëria e të Ligut.

Megjithatë, arriti t’i shprehte tutorit, me anë të një mesazhi, dëshirën e tij për të ikur dhe ai e dërgoi si çështje te ambasada e Rusisë, duke shpresuar për ndihmë. Pasi të gjitha tentativat për ta larguar dështuan, Llukai arriti të arratisej dhe si ndërroi rrobat që kishte me veshje të krishterë, u nis me një anije, që e çoi në Smirnë. Aty u rrëfye te një prift, i cili e këshilloi të shkonte në Malin e Shenjtë, për të gjetur atje udhën e shpëtimit.

Por, në shumicën e manastireve të Malit të Shenjtë ku shkoi, nuk e pranuan për shkak të moshës së tij të re. Duke mos gjetur paqen e shpirtit dhe i sulmuar nga shumë tundime, arriti në përfundimin se, nëse s’do të gjente një vend të favorshëm për t’u penduar në këtë vend, ku jetuan shumë shenjtorë, kjo tregonte se Perëndia kërkonte nga ai sakrificën e fundit, martirizimin, për të fshirë fajin me gjak dhe për të pastruar ndërgjegjen.

Ati shpirtëror i Skitit të Shën Anës, të cilit i tregoi planin, si pa moshën e tij të re, nga frika se mos e mohonte besimin për herë të dytë, u përpoq t’i kthente mendjen, por më kot. Vendosi atëherë ta sprovonte dhe i tha të bënte 800 metani në ditë dhe të ushqehej vetëm me bukë të thatë dhe ujë. Llukai iu nënshtrua me gëzim këtij kanoni, duke medituar vazhdimisht mbi vdekjen e lavdishme për Krishtin. Pasi mori përfundimisht bekimin për t’u martirizuar, u vesh me Skimën e Madhe dhe lundroi për në Mitilini, bashkë me hieromonakun Visarion, i cili qe ngarkuar nga ati i tij shpirtëror ta shoqëronte dhe t’i jepte zemër deri në çastin e fundit.

Sapo mbërriti në Mitilini, Llukai ndjeu gëzim të pamasë në zemër dhe dëshira e madhe për t’u martirizuar i rritej në çdo hap, duke menduar edhe betejën e lavdishme që kishte bërë më përpara martiri i shenjtë Theodhor (17 shkurt). Pasi u përgatit në një kishë fshati, me anë të agripnive dhe Mistereve të Shenjta, u vesh me rroba të thjeshta mbi rason, u kërkoi të falur me lot priftërinjve të kishës e shokut të tij, dhe u paraqit në gjykatën lokale.

Por kjo përpjekje e parë dështoi dhe i riu u kthye te Visarioni i trishtuar, duke thënë: “Atë, zjarri i Krishtit nuk është ndezur!”. Mori zemër dhe shkoi përsëri te Nazir agai dhe kërkoi që drejtësia të vihej në vend për sa i përkiste rrethprerjes së detyruar që i kishin bërë kur ishte fëmijë. U tallën me të, por ai i tregoi gjykatësit se nuk e kishte humbur arsyen dhe se ishte gati të përballonte pasojat e ligjit mysliman për një rast të tillë. E çuan të shoqëruar deri te shtëpia e gjykatësit, ku takoi episkopin e Mitilinit, të cilin e kishin thirrur atje për shkak të kthimit në besimin e krishterë dhe arratisjen e një familjeje myslimane, ngjarje që kishte provokuar tërbimin e pushtuesve dhe i kishte bërë të krishterët e ishullit të jetonin nën frikën e një reprezaljeje të përgjakshme. Llukai u përgjunj para hierarkut dhe i kërkoi të lutej për realizimin e dëshirës së tij.

Me gjithë rrezikun, episkopi bëri Paraklise në të gjitha kishat për shërbëtorin e Perëndisë. Ndërkohë që të krishterët ishin në ankth, Llukai vetë kishte besim dhe guxim kur doli para gjykatës. Tri herë e morën në pyetje dhe tregoi të njëjtin vendim të palëkundshëm, që të dënohej me dënimin kapital, duke i përbuzur premtimet e kota të kënaqësive mishore nga ana e turqve. Nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, gjeti citime nga Shkrimi i Shenjtë për të hedhur poshtë pretendimet e tyre, por persekutorët i inatosi edhe mungesa e plotë e frikës.

E lanë për tri ditë në burg, me shpresën se do ndryshonte mendje, por kur e nxorën përsëri para gjykatësit, Llukai kërkoi që të ekzekutohej një orë me parë. Vendimi u dha dhe shenjtori shkoi në vendin e ekzekutimit plot gëzim, sa një nga rojet e pyeti: “Në dasmë po shkon, që po nxiton kështu?”. Pastaj kërkoi një moment pushimi dhe u lut për të krishterët e veçanërisht për ata që kishin qenë të pranishëm në kthimin e tij. Ai i rrëfeu një besimtari që ndodhej atje se kishte vetëm një brengë, që nuk e kishin torturuar. Kur arriti te trekëmbëshi, me qetësi i la t’i vinin litarin në qafë dhe dorëzoi shpirtin në duart e Perëndisë.

Për tri ditë, gjatë të cilave trupi mbeti i varur, pamja e tij nuk frikësonte siç ndodh zakonisht me të dënuarit, por dukej sikur flinte, plot hir hyjnor. Asnjë insekt s’guxoi t’i afrohej dhe prej tij buronte erë miro, duke dëshmuar kështu pëlqimin që shenjtori kishte gjetur pranë Perëndisë. Pas tri ditësh turqit lidhën një gur trupit të shenjtorit dhe e hodhën aty ku deti ishte më i thellë. Por, për çudinë e të gjithëve, doli përsëri në sipërfaqe, ndërsa një stuhi e fortë kërcënonte anijen. Lipsani i tij i shenjtë doli në breg, ku të krishterët e varrosën me ndere, pavarësisht se agai e kishte ndaluar.