Omologjet Jakovi i Katanias.

 

Ati ynë Jakovi, që kur ishte i ri bënte një jetë asketike, që të dilte para Perëndisë si enë e zgjedhur e Hirit. Hyri në manastirin e Studitëve dhe u bë dishepull i shën Theodhorit (11 nëntor), i cili i frymëzoi dashurinë e zjarrtë për Perëndinë dhe zellin për besimin orthodhoks. I shkëlqyer nga virtytet, u ngrit në gradën episkopale.

Hoqi persekutime e internim për shkak se mbronte nderimin e ikonave të shenjta. Si vuajti me qëndrueshmërinë e martirëve uri, etje dhe keqtrajtime nga agjentët e perandorit heretik, dha shpirtin te Zoti dhe mori kurorën e pavyshkur të luftëtarëve konfesorë të Orthodhoksisë.

 

* * * * *

Dëshmorët Filimoni, Domnini.

 

Ishin nga Roma dhe në kohën e persekutimit udhëtuan nëpër Itali, duke shpallur pa frikë besimin e tyre më Krishtin dhe duke pagëzuar të gjithë ata që i besuan mësimit të tyre. Paganët i kapën dhe i nxorën para qeveritarit të krahinës.

Kur panë se qëndruan të patundur në besimin e tyre, pasi i torturuan në mënyrë çnjerëzore, i shtrinë lakuriq në tokë, ua lidhën këmbët në katër hunj dhe katër ushtarë i rrihnin pa mëshirë. Përfundimisht, të dy shenjtorët fituan kurorën e martirit me prerje koke.

 

* * * * *

Oshënar Serapioni në Egjipt.

 

Ati ynë i shenjtë Serapioni kishte fituar një kulturë të gjerë letrare dhe ishte i njohur si orator. Megjithatë, ai e braktisi kotësinë e mësimeve të kësaj bote për të përqafuar jetën murgërore dhe u bë nxënës i shën Andonit të Madh. Më vonë u bë igumen i një manastiri. Perëndia e nxori nga qetësia e tij e u dorëzua episkop dhe bashkë me mikun e tij, shën Athanasin, punuan në shërbim të Orthodhoksisë, e cila ishte në rrezik. Në vitin 339 shën Athanasi i shkroi nga Roma, ku gjendej në internim, për t’i dhënë udhëzime për rrugën që do të ndiqte në qeverisjen e Kishës.

Në vitin 353 kryepiskopi i Aleksandrisë e dërgoi në Perëndim, në krye të një delegacioni episkopësh dhe priftërinjsh, te perandori Konstanc dhe papa Liberi, që t’i vinte në dijeni për kërcënimin e herezisë ariane. Pavarësisht se ishte larg kryepiskopit të internuar, Serapioni i shkruante atij rregullisht, që të merrte sqarime për vështirësitë doktrinore që dilnin në kishën e tij. Kështu, shën Athanasi i shkroi për vdekjen e Ariosit dhe i drejtoi katër letra që kishin rëndësi të madhe dogmatike, dhe i dha një përcaktim të saktë të Hyjnisë së Shpirtit të Shenjtë, si një kundërshti ndaj herezisë së re të Makedonit.

Përveç detyrave të tij baritore, shën Serapioni nuk i la pas dore murgjit, të cilët i vizitonte shpesh dhe u drejtoi një lavdërim madhështor. Shën Andoni i tregonte vizionet në lidhje me situatën e Kishës dhe para se të vdiste i la atij, si dhe shën Athanasit, dy rrobat e veta, si profeti Ilia ia la Eliseut (1 Mbret. 2:12), duke treguar kështu se fryma e tij prehej mbi ta. Pas vdekjes së “patriarkut të murgjve”, Serapioni iu drejtoi një letër nxënësve të tij duke u thënë: “Bota humbi një ndërmjetues të madh; qielli mirëpriti një njeri të jashtëzakonshëm; qielli mori atë që mbolli; toka humbi atë që e kishte të sajin”.

Duke duruar me guxim internimin për shkak të mbrojtjes së shën Athanasit, shën Serapioni, me anë të letrave të tij, u jepte kurajë episkopëve të tjerë egjiptianë që kishin gjetur strehë në Dioqesari, në Palestinë. Ai dha shpirtin e tij në duart e Perëndisë rreth vitit 356.