Fjeti Më Zotin Patriarku I Sofies, Neofiti – Një Jetë Kushtuar Kishës Dhe Popullit Të Bullgarisë

Në datën 16 mars, populli bullgar dhe bota orthodhokse i dhanë lamtumirën Patriarkut dhe Mitropolitit të Sofies, Neofitit. Me këtë rast ishin shpallur nga qeveria bullgare dy dite zie kombëtare. Në shërbesën e varrimit, në katedralen e Sofies “Shën Aleksandër Nevski”, morën pjesë mijëra besimtarë. Më pas, me një litani, trupi i Patriarkut u vendos në kishën e Shën Nedelias (Shën e Dielës/Kiriakisë).

Shërbesa e varrimit u kryesua nga Patriarku Ekumenik Vartholomeu, me pjesëmarrjen e hierarkëve të Sinodit të Kishës së Bullgarisë, hierarkëve të përfaqësuesive të Patriarkane dhe Kishave Autoqefale të botës, në prani të shumë e shumë klerikëve dhe besimtarëve laik. Në të mori mori pjesë dhe një përfaqësi nga Kisha jonë, e kryesuar nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia Joani, i cili u shoqërua nga Epitropi Arkihieratik i Mitropolisë së Korçës Stavrofor Mihal Sanellari. Hirësi Joani, shprehu ngushëllimet në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për largimin nga kjo jetë e Kryehierarkut.

Në funeral morën pjesë autoritetet më të larta të shtetit bullgar. Patriarku i ri do zgjidhet sipas traditës brenda një periudhe katërmujore.

Menjëherë pas fjetjes, në 14 mars 2024, Kryepiskopi Anastas i drejtoi Hirësisë së Tij Joanit, Mitropolit i Varnës dhe Mbikëqyrës i Patriarkanës së Bullgarisë, një mesazh ngushëllimi:

Hirësi dhe vëlla i shenjtë, me hidhërim të thellë mësuam lajmin e fjetjes në Zotin të vëllait dhe bashkëmeshëtarit tonë të dashur, Mitropolitit të Sofias dhe Patriarkut të Bullgarisë, z. Neofit. Vëllai ynë i gjithmonëkujtueshëm dha dëshminë e besimit orthodhoks përmes përulësisë, durimit gjatë sprovës së sëmundjes dhe dashurisë së çiltër. Ai e drejtoi popullin orthodhoks të Kishës së Bullgarisë me dhembshuri dhe përkujdesje atërore, me thjeshtësi dhe çiltërsi.

Duke shprehur ngushëllimet e përzemërta të Sinodit të Hirshëm të Kishës së Shqipërisë, të të gjithë klerit dhe besimtarëve të saj ndaj Kishës motër të Bullgarisë, në Kryepiskopatën e Hirshme të Tiranës kryem Trisai dhe u lutëm për prehjen e shpirtit të zgjedhur të Patriarkut të lumur, z. Neofit, “në tendat e të drejtëve”.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! “Lum ata që vdesin të bashkuar në Zotin”.

* * *

Patriarku i Bullgarisë, Neofiti lindi në Sofie më 15 tetor 1945. Pasi kreu studimet teologjike dhe dha mësim në Akademinë Teologjike të Sofies, më 3 gusht 1975 u dorëzua murg dhe disa ditë më pas hierodhjakon. Në 25 mars 1976 u dorëzua hieromonak dhe në vitin 1977 u ngrit në rangun e arkimandritit. Në vitin 1981 u caktua si protosingjel i Mitropolisë së Sofies dhe në vitin 1985 dorëzua episkop nga Patriarku Maksim, në një shërbesë të kryer në katedralen “Shën Aleksandër Nevski” të Sofies dhe shërbeu si episkop ndihmës.

Në vitin 1989 u caktua rektor i Akademisë Teologjike të Sofies dhe më pas kreu detyrat e Kryesekretarit të Sinodit të Shenjtë, Mitropolit i Durotorit etj. Në 24 shkurt 2013 u zgjodh Patriark i Gjithë Bullgarisë.


Foto Album:

 

Fjeti Më Zotin Patriarku I Sofies, Neofiti - Një Jetë Kushtuar Kishës Dhe Popullit Të Bullgarisë