Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë –
Hirësisë së tij, z. Joan, Mitropolit i Varnas dhe Mbikëqyrës i Patriarkanës së Bullgarisë
Hirësi dhe vëlla i shenjtë, me hidhërim të thellë mësuam lajmin e fjetjes në Zotin të vëllait dhe bashkëmeshëtarit tonë të dashur, Mitropolitit të Sofias dhe Patriarkut të Bullgarisë, z. Neofit. Vëllai ynë i gjithmonëkujtueshëm dha dëshminë e besimit orthodhoks përmes përulësisë, durimit gjatë sprovës së sëmundjes dhe dashurisë së çiltër. Ai e drejtoi popullin orthodhoks të Kishës së Bullgarisë me dhembshuri dhe përkujdesje atërore, me thjeshtësi dhe çiltërsi. Duke shprehur ngushëllimet e përzemërta të Sinodit të Hirshëm të Kishës së Shqipërisë, të të gjithë klerit dhe besimtarëve të saj ndaj Kishës motër të Bullgarisë, në Kryepiskopatën e Hirshme të Tiranës kryem Trisai dhe u lutëm për prehjen e shpirtit të zgjedhur të Patriarkut të lumur, z. Neofit, “në tendat e të drejtëve”. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! Si përfaqësues i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në shërbesën Varrimit të Primatit të ndjerë të Kishës së Bullgarisë do të marrë pjesë Mitropoliti i Korçës, z. Joan, i shoqëruar nga Stavrofori i nderuar atë Mihal Sanellari. “Lum ata që vdesin të bashkuar në Zotin”.
Me nderim të veçantë dhe me dashuri vëllazërore në Krishtin,
Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Tiranë, 14 mars 2024