– Apostulli – Juda 11-25.

Mjerë ata! Sepse ecën në udhën e Kainit, edhe për fitim u derdhën me vrap pas mashtrimit të Balaamit, edhe humbën në kundërshtimin e Koreut.
Këta janë njolla në gostitë e dashurisë suaj, kur hanë e pinë bashkë me ju pa frikë, edhe kullosin veten e tyre; janë re pa ujë që sillen andej e këtej prej erërave; janë drurë vjeshte të pafrytshëm, dy herë të vdekur, të shkulur nga rrënjët; valë deti të egra që shkumëzojnë turpet e tyre; yje që enden andej e këtej, për të cilët është ruajtur errësira e zezë për gjithë jetën.
Edhe për këta profetizoi edhe Enohu, i shtati nga Adami, duke thënë: “Ja tek erdhi Zoti me mijëra prej shenjtorëve të tij, që të bëjë gjyq për të gjithë, edhe të qortojë gjithë të pabesët në mes të atyre, për gjithë veprat e pabesisë së atyre që punuan me pabesi, edhe për të gjitha fjalët e ashpra që mëkatarët e pabesë folën kundër tij”. Këta janë murmuritës, qaramanë, që ecin sipas dëshirave të tyre; edhe goja e tyre flet fjalë fort të fryra, edhe përkëdhelin njerëz, që të kenë përfitim nga ata.
Po ju, o të dashur, kujtoni fjalët që u parathanë nga apostujt e Zotit tonë Jisu Krisht, se ju thoshin juve: “se në kohën e fundit do të ketë përqeshës që do të ecin sipas dëshirimeve të pabesive të tyre”.
Këta janë ata që përçajnë, gjallësorë, që s’kanë Frymë.
Po ju, o të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj fort të shenjtë, e duke u lutur me Frymë të Shenjtë, ruani veten tuaj në dashurinë e Perëndisë, duke pritur përdëllimin e Zotit tonë Jisu Krisht për jetë të përjetshme. Edhe disa përdëllejini, kur hahen me ju; edhe të tjerë shpëtojini me frikë, duke i rrëmbyer nga zjarri, edhe duke urryer edhe rrobën që është fëlliqur nga mishi.
Edhe atij që mund t’ju ruajë të pafajshëm dhe t’ju paraqesë përpara lavdisë së tij faqebardhë e me ngazëllim, të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi dhe madhështi, fuqi dhe pushtet, edhe tani edhe në gjithë jetët. Amin.