– Oshënar Grigor Pallamai –

Ati ynë i shenjtë Grigori lindi në Konstandinopojë, më 1296. Prindërit e tij, aristokratë që emigruan nga Azia e Vogël për shkak të invazionit osman, bënin pjesë në oborrin e perandorit besëmirë, Androniku II Paleologu (1282-1328). Me gjithë funksionet e tij të larta, i ati bënte një jetë plot lutje. Madje dhe kur ndodhej në senat, i ndodhte që të mos e dëgjonte perandorin kur i drejtohej, sepse ishte i zhytur në lutje. Vdiq kur Grigori ishte i ri, pasi veshi skimën murgërore. Edhe e shoqja donte të bëhej murgeshë, por e shtyu për pak kohë, që të siguronte edukimin e 7 fëmijëve të saj. Më i madhi, Grigori, iu besua mësuesit më të mirë të shkencave dhe pas disa vjetësh arriti një zotërim të shkëlqyer të arsyetimit filozofik, në atë pikë sa mësuesi i tij besonte se dëgjonte vetë Aristotelin, kur ai fliste. Me gjithë sukseset e tij intelektuale, i riu kishte interes për gjërat e Perëndisë. Vizitonte murgjit e famshëm të kryeqytetit dhe kishte si atë shpirtëror Theoliptin e Filadelfisë (1250-1325), i cili e futi në vigjilencën e shenjtë dhe në lutjen e zemrës.

Rreth vitit 1316, Grigori vendosi të braktiste kotësitë e botës dhe tërhoqi për në jetën murgërore të ëmën, dy motra, dy vëllezër dhe një numër të madh shërbëtorësh. Kur arriti në Malin Athos, Grigori dhe dy vëllezërit e tij shkuan në rrethinat e Manastirit të Vatopedit, nën drejtimin e jeront Nikodhimit.

Ditë e natë i drejtohej Perëndisë me lot, duke thënë: “Ndriço errësirën time!”. Pas ca kohësh Hyjlindësja, së cilës ia besonte problemet që i ri, i dërgoi shën Joan Theologun që t’i premtonte mbrojtjen e tij në këtë jetë dhe në tjetrën. Por, pas 3 vjetësh, vdekja e parakohshme e vëllait të tij, Theodhosit, e më pas edhe ajo e Nikodhimit, e shtynë Grigorin dhe vëllain tjetër, Makarin, të shkonin në Lavrën e Madhe. Grigori u caktua psalt dhe fitoi admirimin e murgjve për zellin në virtytet e shenjta ungjillore. Bënte jetë të ashpër, sa ngjante se ishte çliruar nga pesha e trupit: mund të qëndronte pa fjetur për 3 muaj. I përsosur në jetën e përbashkët, shpirti i tij ishte i etur për ëmbëlsinë e vetmisë; prandaj dhe u tërhoq, pas 3 muajsh, në Skitin e Glosias, nën drejtimin e një murgu të shquar, i quajtur Grigori i Bizantit.

Nga pastrimi i pasioneve, mundi, përmes lutjes, të ngrihej drejt soditjes së mistereve të krijimit.

Megjithatë, sulmet e shpeshta të piratëve turq e detyruan Grigorin dhe murgjit të braktisnin banesën e tyre. Qëndroi për disa kohë në Selanik, ku mori pjesë në aktivitetet e një rrethi shpirtëror, të frymëzuar nga patriarku i ardhshëm, Isidori, i cili, duke përfituar nga përvoja e murgjve, u përpoq të përhapte praktikën e lutjes së Jisuit te besimtarët.

Më 1326, u hirotonis prift, pasi mori në një vegim sigurinë se ky ishte vullneti i Perëndisë. Më pas u nis për të themeluar një skit rreth Verias, ku gjatë 5 vjetëve u dha në asketizëm të ashpër.

Pas vdekjes të së ëmës, u kthye në Konstandinopojë dhe i mori motrat e tij dhe i solli në një skit pranë të vetit. Por qetësinë s’e pati për shumë kohë, sepse krahina shkatërrohej vazhdimisht nga sulmet e serbëve. Vendosi të kthehej në Athos, në qelinë e Shën Savës, pak më lart se Lavra. Ky qëndrim i ri ishte për të rasti për t’u izoluar më shumë nga njerëzit, për të biseduar me Perëndinë.

Një ditë pa në ëndërr sikur ishte i mbushur me një lloj qumështi që vinte nga qielli, i cili, pasi e përshkoi, u shndërrua në verë dhe mbushi atmosferën përreth me erë të këndshme. Kjo ishte një shenjë, e cila i zbuloi se kishte ardhur tashmë koha t’u mësonte vëllezërve misteret që Perëndia i kishte zbuluar. Hartoi atëherë disa shkrime asketike dhe u caktua igumen i Manastirit të Esfigmenit (1335). Por zelli i tij dhe kërkesat shpirtërore që kishte nuk u kuptuan nga 200 murgjit që jetonin atje, kështu që pas një viti u kthye në skitin e vet.

Në atë periudhë, një murg nga Kalabria, Varlaami, kishte fituar famë të shkëlqyer në qarqet intelektuale të kryeqytetit, falë shkathtësisë për spekullimet arbitrare. I pëlqente, veçanërisht, të komentonte shkrimet mistike të shën Dionis Areopagjitit (3 tetor), por u jepte një interpretim filozofik, duke e bërë njohjen e Perëndisë objekt të arsyetimeve të thata dhe jo të përvojës. Pasi kishte njohur disa murgj të thjeshtë, ky humanist i brishtë ishte skandalizuar nga metodat e tyre të lutjes dhe vendit që i linin elementit të ndjenjës në jetën shpirtërore.

Varlaami gjeti rast për të shpifur për murgjit dhe t’i akuzonte për herezi. Hezikastët thirrën Grigorin, i cili hartoi shumë ligjërata polemike, në të cilat i përgjigjej akuzave të Varlaamit, duke e vendosur spiritualitetin murgëror në një sintezë të gjerë dogmatike. Ai tregonte se asketizmi dhe lutja janë shtegu i çdo misteri të Shpengimit dhe se janë mjet për këdo që kërkon të lulëzojë hiri që mori në pagëzim. Ai mbronte të mirën e themeluar nga metodat e përdorura nga hezikastët, për të përqendruar mendjen në zemër: sepse, pas Mishërimit, në trupat tanë të shenjtëruar nga misteret dhe nga Eukaristia e Trupit të Krishtit duhet të rikërkojmë hirin e Shpirtit.

Ky hir është lavdia e vetë Perëndisë, i cili, duke buruar nga trupi i Krishtit në ditën e Shpërfytyrimit, i çuditi dishepujt (Matth. 17) dhe që, duke shkëlqyer tani në zemrën e pastruar nga pasionet, na bashkon vërtet me Perëndinë, na ndriçon, na hyjnizon dhe na jep siguri të lavdisë që do të shkëlqejë në trupin e shenjtorëve pas Ngjalljes së përgjithshme. Duke siguruar kështu realitetin e plotë të hyjnizimit, Grigori nuk mohonte që Perëndia është absolutisht transhendent dhe i panjohur në esencën e Tij.

Në gjurmët e Etërve të shenjtë, por në mënyrë më të qartë, ai dallon te Perëndia esencën, në të cilën nuk merret pjesë dhe energjitë e përjetshme, krijuese dhe providenciale, përmes të cilave Zoti i bën qeniet e veta të marrin pjesë në Qenien, në Jetën dhe në Dritën e Tij, sidoqoftë pa futur asnjë ndarje në unitetin e natyrës hyjnore. Për shën Grigorin, Perëndia nuk është, pra, koncepti i filozofëve, por është Dashuri, Person i gjallë dhe “zjarr që konsumon”, siç mëson Shkrimi, i cili bën gjithçka për të na hyjnizuar. Fillimisht, të njohura nga autoritetet e Athosit në Tomosin Agjiorit, përkufizimet e ndritura të shenjtit u adoptuan nga Kisha, e cila dënoi Varlaamin dhe bashkë me të humanizmin filozofik gjatë dy sinodeve, të mbledhura në Shën Sofi, më 1341.

Varlaami u dënua dhe gjeti strehë në Itali, por, megjithatë, polemika nuk ishte mbyllur. Grigori, i cili për të shkruar ligjëratat e tij kishte jetuar disa kohë i izoluar në një shtëpi në Selanik, gjeti me vështirësi kohë dhe u kthye në skitin e tij në Athos, sepse një nga miqtë e vjetër, Akindini, rimerrte thelbin e argumenteve të kalabrezit, duke e akuzuar Grigorin se po fuste risi me dallimin mes esencës dhe energjive. Fillimisht, arbitër mes Varlaamit dhe Grigorit, Akindini ishte një nga konservatorët formalë, të cilët kënaqeshin me përsëritjen e formulave të thjeshta për të dënuar “humanistët”, pa kërkuar të depërtonin në frymën e traditës.

Në atë kohë shpërtheu edhe një luftë e tmerrshme civile nga rivaliteti mes Dukës së madh Aleksi Apokavkos dhe ambiciozit Joan Kantakuzeni, mik i Pallamait. Patriarku Joan Kalekasi mori anën e Apokavkosit dhe, nëpërmjet Akindinit, i ngriti Grigorit një proces, pas të cilit e shkishëruan shenjtin dhe e dënuan me burgim. Gjatë 4 viteve të izolimit, Grigori nuk hoqi dorë nga veprimtaria e tij: mbajti një korrespodencë të gjerë dhe hartoi një fjalim të rëndësishëm kundër Akindinit.

Rreth vitit 1346, duke parë se përparësia po i kalonte Kantakuzenit, regjentja Ana e Savuasë mori mbrojtjen e shenjtit dhe e shkarkoi patriarkun, ditën e hyrjes triumfale të Kantakuzenit në kryeqytet. Ky emëroi si patriark Isidorin (1347-1350) dhe mblodhi një sinod të ri për të drejtësuar hezikastët. Polemika gjeti një zgjidhje përfundimtare më 1351, gjatë mbledhjes së një sinodi të tretë kundër humanistit Niqifor Gregora. Në Tomosin sinodal, doktrina e shën Grigor Pallamait për energjitë e pakrijuara dhe për natyrën e Hirit u njoh si rregull i besës për Kishën Orthodhokse.

Isidori mori pjesë në dorëzimin e një sërë episkopësh të rinj dhe i besoi Grigorit fronin e Selanikut (mars 1347). Por, meqë qyteti ishte në duart e partisë zelote, kundërshtare e Kantakuzenit, mitropoliti i ri nuk hipi dot në fron. I strehuar për disa kohë në Limnos, ku tregoi devotshmëri heroike gjatë një epidemie, më në fund Grigori mundi të hynte në qytet, i shoqëruar me brohoritje, si Krishti kur hyri në Jerusalem.

Në veprimtaritë e tij të shumta baritore, besimtarët përfituan nga hiret e shumta që kishte fituar në vetmi. Bëri të shkëlqente në qytet drita që i ndriçonte zemrën dhe shpërndau me bollëk mësimet e tij shpirtërore, duke këmbëngulur në lidhjen e ngushtë që duhet të bashkojë lutjen dhe jetën e mistereve në jetën e çdo të krishteri. Me fuqinë e Krishtit, bëri shumë mrekulli dhe shërime.

Gjatë një udhëtimi për në Bizant, ra në duart e turqve dhe u burgos për një vit në Azinë e Vogël. Liria e pjesshme që kishte dhe fryma e tij e hapur i lejuan të hynte në biseda theologjike miqësore me theologë myslimanë dhe me birin e emirit Orkham. I liruar nga një shpërblim që erdhi nga Serbia, u kthye në Selanik, ku vazhdoi veprën e tij baritore dhe çudibërëse. U sëmur për një kohë të gjatë dhe, pak para fjetjes, pa shën Joan Gojartin t’i shfaqej e ta ftonte të bashkohej me korin e hierarkëve të shenjtë, kur do të kremtohej festa e tij.

Në vitin 1359, shenjti dorëzoi shpirtin te Perëndia. Kur dha shpirt, fytyra i shkëlqente plot dritë si shën Stefanit (Vep. 6-7). Perëndia tregoi, në personin e shërbëtorit të tij, të vërtetën e doktrinës së tij mbi realitetin e hyjnizimit nga drita e pakrijuar e Shpirtit të Shenjtë.

Shën Grigori u kanonizua më 1368 dhe, për mrekullitë e tij, konsiderohet si mbrojtësi i dytë i Selanikut, pas shën Dhimitrit.

 

 

* * * * *

OSHËNAR GRIGOR DIALOGU, PAPË I ROMËS.

Ati ynë oshënar, Grigori, lindi në Romë, rreth vitit 540, në një familje të rangut senatorial, e cila kishte nxjerrë disa papë. Pas përfundimit të studimeve në mënyrë të shkëlqyer, u bë prefekt i qytetit të Romës. Por, i prirë që në rini në studimin e librave të shenjtë, mendonte se nuk ishte për atë detyrë, ndaj hoqi dorë pas vdekjes së të atit. Pasurinë e pamasë që i mbeti e shpërndau, duke ua dhënë disa manastireve: gjashtë në Sicili dhe njërit në Romë, i cili u ngrit mbi pallatin e tij dhe iu dedikua apostullit të shenjtë Andrea, ku hyri edhe vetë si murg i thjeshtë. Jetoi në vetëmohim të plotë dhe arriti të bisedonte vazhdimisht e në liri të plotë me Perëndinë dhe të shijonte ëmbëlsinë e soditjes, të cilën e pengojnë shqetësimet e ndryshme në botë. Si pasuri kishte vetëm një tas argjendi, në të cilin merrte ushqimin. Kur njëherë takoi një tregtar, të cilit i ishte mbytur anija dhe kishte përfunduar të kërkonte lëmoshë, Grigori i dhuroi tasin dhe që atëherë ndihej plotësisht i lirë. Si përgjigje, Perëndia i dha pushtet të kryente mrekulli.

Por nuk arriti të përfitonte për shumë kohë paqen e manastirit. Sapo u ngrit në pontifikat, papa Pelagji II (579-590) e emëroi apokrisar dhe e ngarkoi të shkonte në Konstandinopojë, që të bënte perandorin dhe patriarkun të interesuar për çështjet e Italisë së shtypur nga lombardët. Grigori qëndroi atje për gjashtë vjet, duke u bërë shembull me thjeshtësinë dhe virtytet e tij dhe duke hedhur poshtë gabimet e patriarkut Eftik. Kur u kthye në Romë me lipsane të çmuara, shkoi përsëri në manastirin e tij, ku pas pak u zgjodh igumen. Të gjithë murgjit e donin dhe shenjtori i ndihmonte në të gjitha kërkesat, si shpirtërore dhe ato materiale, me qëllim që t’i ruante nga përkujdesjet e tjera; por dinte të ishte i rreptë dhe të ruante traditat murgërore. Kështu, ai e hodhi në një grumbull mbeturinash trupin e një murgu të vdekur, i cili mbante fshehur tri monedha ari, por pastaj kreu për të Liturgji për tridhjetë ditë rresht dhe mori nga Perëndia faljen për të. Manastiri i Grigorit, falë rreptësisë së tij, u bë një shkollë e vërtetë shenjtërie dhe i gjithë populli e konsideronte igumenin si mbrojtësin e tij.

Një ditë, tek po kalonte në mes të tregut ku shiteshin si skllevër fëmijë biondë e të bukur, shën Grigori u prek dhe pyeti se nga vinin këta engjëj të veshur me trup. Mësoi se vinin nga Anglia, tokë që ende nuk e kishte marrë Lajmin e Mirë të Ungjillit. Shenjtori qau dhe nga ai çast vendosi të nisej me mision atje bashkë me disa murgj. Pasi kishin ecur tri ditë në këmbë drejt Veriut, e arritën lajmëtarët e dërguar nga papa, të cilët e njoftuan se populli kishte ngritur krye dhe kërkonte kthimin e tij.

Vitet e mëpasshme shërbeu si sekretar i papa Pelagjit dhe, kur ky i fundit ra viktimë e një epidemie murtaje, në vitin 590, kleri, senati dhe populli e detyruan Grigorin të merrte fronin, pavarësisht nga protestat dhe thirrja që i bëri Mavrikut, perandorit të Konstandinopojës. Fatkeqësisht, murtaja po përhapej kudo dhe shenjtori e nxiti popullin të pendohej dhe të kuptonte se ky ndëshkim vinte nga qielli, për shkak të mëkateve të tyre. Organizoi një procesion të madh nëpër qytet me në krye një ikonë të Hyjlindëses, në të cilin morën pjesë të gjithë murgjit dhe murgeshat. Tregohet se kudo që kalonte ikona e shenjtë, pastrohej ajri i ndotur dhe Kryeengjëlli Mihail, i cili u shfaq me shpatë në dorë mbi kështjellën që sot quhet fortesa e Engjëllit të Shenjtë (Castle Sant’Angelo), e futi atë në mill. Murtaja pushoi menjëherë, por Grigori u largua, që t’u shpëtonte nderimeve. U fsheh në një shpellë, por një shtyllë e ndritshme bëri që ta zbulonin dhe kundër dëshirës e çuan përsëri në Romë, ku u dorëzua papë më 3 shtator 590.

Përgëzimeve iu përgjigjej duke qarë: “Me barrën e episkopit, ja ku jam lidhur me botën më ngushtë se kur isha laik. E humba gëzimin e thellë të qetësisë sime; nga jashtë është një lartësim, përbrenda një rënie. Kur e përmbushja detyrën e përditshme, përpiqesha të kthehesha brenda vetes dhe nuk mundesha; mundime të zhurmshme dhe të kota më sulmonin”. Kisha ishte në fakt në gjendje të mjeruar, e skllavëruar nga herezitë, skizmat, nga shtypja barbare apo nga trazirat e princave të krishterë. Ndërkohë që në Romë mbretëronte uria, papa organizoi ndarje ushqimesh dhe ndihma për të vobektët. Përditë priste në tryezë 12 të varfër, të cilëve u lante duart dhe e quante veten përgjegjës për ata që vdisnin nga uria. Një ditë, një mysafir i trembëdhjetë u shfaq në tryezën e dashurisë dhe pas pyetjes së papës i zbuloi se ishte engjëll i dërguar nga Perëndia për ta ndihmuar deri në fund të këtij shërbimi.

Grigori e organizoi jetën në pallatin pontifikal sipas ikonës së manastirit. Kujdesej për Shërbesat Liturgjike dhe Tipikonë e adhurimit, nxiti nderimin e lipsaneve të shenjta, organizoi litani të shpeshta, caktoi lutjet dhe leximet që duhet të thuheshin gjatë vitit liturgjik dhe reformoi himnimin kishtar. Në të gjitha kishat që vareshin nga Roma, vëzhgoi zgjedhjen e rregullt të episkopëve, shoi simoninë dhe nuk u lejoi episkopëve të qëndronin jashtë dioqezave të tyre. Mblodhi sinode lokale, me qëllim që të luftonin kundër herezive dhe çrregullimeve morale dhe pengoi ndërhyrjen e autoriteteve civile në punët e Kishës, si dhe atë të episkopëve në drejtimin e manastireve. Shqetësimi i tij shtrihej kudo, predikonte në kishat e Romës dhe, kur nuk mundej për shkak të sëmundjeve të shpeshta, hartonte omelinë, të cilin e lexonte një klerik tjetër në vend të tij. Kujdes të veçantë tregonte për korrespondencën e gjerë me të gjithë botën e krishterë, por gjente edhe kohë të shkruante ligjërata shpirtërore.

Papa i shenjtë ishte i përulur si vetë Ai që tha: “Jam i butë dhe i përulur” (Math. 11:29). Priftërinjtë i quante vëllezërit e tij dhe laikët zotërinjtë e tij. Në të gjitha letrat përdorte vetëm këtë titull: “Shërbëtor i shërbëtorëve të Perëndisë”, dhe e konsideronte veten me sinqeritet si mëkatarin më të madh. Patriarkut të Konstandinopojës, shën Joanit të IV-t, Kreshmuesit (2 shtator), i cili, në veprat e tij kishte përdorur titullin Patriark Ekumenik, shën Grigori i bëri vërejtje me kujdes, duke i kujtuar se asnjë episkop nuk mund të merrte nga vetja autoritetin që u rezervohet Sinodeve Ekumenike dhe Kishës në tërësinë e saj.

I zhytur pa dëshirën e tij në zemër të çështjeve të Kishës, në një periudhë të trazuar nga invazionet barbare, iu desh të shtrinte kujdesin e tij baritor në të gjitha fushat e jetës publike, duke i shfrytëzuar dhuntitë e tij si administrator në shërbim të drejtësisë dhe të frymës së Ungjillit. Veproi si diplomat në çastin kur lombardët mbërritën në portat e Romës dhe kërcënuan se do të plaçkitnin qytetin; dhe ai, jo vetëm që arriti t’i pengonte, por arriti edhe armëpushim shpëtimtar. Madje, falë mbështetjes së mbretëreshës së tyre, Theodelinda, e cila ishte orthodhokse, ai punoi me sukses për kthimin e tyre në besimin e vërtetë.

Duke ndrequr turbullirat e brendshme në Itali, u bë financier, që të shfrytëzonte burimet e Kishës, të blinte robërit dhe të bënte lëmoshë në dobi të Vendeve të Shenjta dhe të manastireve në mbarë botën e krishterë. I bindur se Kisha nuk mund të mbijetojë pa lutjet e murgjve, papa i shenjtë favorizoi ndërtimin e sa më shumë manastireve dhe drejtimin e tyre sipas traditave të Etërve të shenjtë, kryesisht të shën Benediktit të Norçias (14 mars), i cili ishte biografi dhe përhapësi i Kanonit të tij në mbarë Perëndimin.

I ndriçuar në mendje dhe realist për shenjat e kohëve, duke ruajtur marrëdhënie të mira me Konstandinopojën dhe me mikun e tij, perandor Mavrikun, shën Grigori i kushtoi vëmendje të madhe kthimit dhe edukimit moral të kombeve barbare, që kishin pushtuar pothuajse mbarë Evropën Perëndimore. Meqë nuk i hiqte nga mendja skllevërit anglosaksonë, që i kishte parë në tregun e Romës, sapo mundi (596), dërgoi me mision në Angli dyzet murgj të drejtuar nga Shën Agustini (28 maj), igumen i manastirit të Shën Andreas dhe iu ofroi gjithë mbështetjen e tij këtyre apostujve të rinj. Kur mësoi për sukseset e para të hierapostullimit të tyre, shkroi me entuziazëm në gjithë perandorinë për të shpallur kthimin e një populli të ri.

Korrespondenca e gjerë që është ruajtur, dëshmon qartë për kujdesin e këtij bariu të mirë jo vetëm ndaj çështjeve të Kishës, por edhe për delen më të vogël shpirtërore. Sëmundjet dhe përkujdesjet e panumërta të detyrës nuk e penguan të vazhdonte veprimtarinë letrare. Gjatë viteve të tij në pontifikat përfundoi hartimin e Mësime për Jovin, komentar i zgjeruar i tekstit të shenjtë, në të cilin zhvillon një interpretim alegorik dhe moral, i cili do të pëlqehej shumë gjatë Mesjetës. Me sens të hollë të meandreve të shpirtit njerëzor, ai paraqet në të aspektet e jetës së krishterë, që nga më praktiket, deri në perspektivat më të larta shpirtërore.

Shkroi gjithashtu edhe librin Mrekulli të Etërve të Italisë, më i njohur me emrin Dialogë, në të cilin tregon, në formën e bisedave me dhjakun e tij, Petron, luftërat asketike dhe mrekullitë e Etërve që jetuan në kohën e tij në zonat e afërta me Romën. Ngjarjet e mëdha shpirtërore, që i kishte grumbulluar për dobinë shpirtërore të murgjve të Shën Andreas, i përdori për të treguar se është i njëjti Shpirt i Shenjtë që vepron për të kryer mrekulli në kohën e tij, si dhe në atë të apostujve dhe si rrjedhim është e mundur në çdo kohë të arrihet bashkimi me Perëndinë. Çdo tregim e mbyll me një mësim doktrinal ose moral, sidomos në Librin IV, i cili i kushtohet jetës së shpirtrave pas vdekjes dhe ndikimit të lutjeve të Kishës për prehjen e tyre.

Dhjaku Petro, sekretari dhe besniku i tij, thoshte se e kishte parë shpesh Shpirtin e Shenjtë të shfaqej në formën e një pëllumbi të bardhë, për t’i diktuar në vesh papës mësimet e tij qiellore. Edhe shën Grigori rrëfente se i ndodhte që nga brenda të dëgjonte Shpirtin e Shenjtë t’i diktonte interpretimet e Shkrimit të Shenjtë, të cilat nuk i kishte menduar kurrë.

Shën Grigori e kreu kështu misionin e tij për dyzet vjet, gjithmonë duke qarë për privimin nga përparësitë e jetës soditëse. Vuante shumë nga gjendja e çrregullt dhe prishja e moralit në Kishë pas invazioneve barbare, si dhe nga sëmundjet e tij, të cilat e sulmonin shumë, sa për dy vjet me zor u ngrit për Liturgjinë e të kremteve të mëdha. Prej Perëndisë kërkonte vetëm këtë ngushëllim: prehjen e përjetshme. Dhe kjo iu dha më 12 mars të vitit 604. Duke u nisur për në banesën e shenjtorëve, la si trashëgimi shkrime dhe mësime, të cilat i përgatitën Kishës një të ardhme të ndritur në Perëndimin barbar, i cili dalëngadalë u kthye në Krishtërim.