Oshënar Theofilakti i Nikomedisë.

 

Ati ynë oshënar, Theofilakti, lindi rreth vitit 765. Ndonëse ishte ende i ri, la vendin e tij dhe shkoi në Konstandinopojë, ku hyri në shërbimin e shën Tarasit (25 shkurt), ndërsa ishte ende kryesekretar. Kur me dëshirën e Perëndisë Tarasi u ngjit në fronin patriarkal (784), Theofilakti u bë murg në manastirin që Tarasi kishte themeluar, në grykën e Pont-Efksinit, së bashku me shën Mihailin, episkopin e ardhshëm të Sinadhës (23 maj). Dy vëllezërit shpirtërorë nxitnin njëri-tjetrin në përpjekjet asketike, duke medituar për Fjalën e Perëndisë ditë dhe natë dhe duke flakur tutje të gjitha kënaqësitë dhe dëshirat trupore.

Një ditë vere, ndërsa etja i kishte topitur, murgjit hapën vetë cisternën e manastirit dhe e lanë ujin të derdhej në tokë, pa pirë vetë asnjë pikë. I holluan trupat e tyre dhe hiri i Perëndisë banonte në shpirtrat e tyre, duke rrezatuar edhe në trupat e tyre, duke i bërë të dy dishepujt ikona të gjalla të virtytit. Shën Tarasi, duke mos dashur të mbetej e fshehur drita e dy dishepujve të tij, i ngriti, kundër dëshirës së tyre, në fronin episkopal: shën Mihailin si mitropolitin e Sinadhës, në Frigji dhe shën Theofilaktin në qytetin e famshëm të Nikomedisë, në Bitini.

Bariu i ri, që imitonte shërbesën e shenjtë që kryente ati i tij shpirtëror në Konstandinopojë, nuk mjaftohej vetëm me mësimin e besimit të vërtetë, por u mor me vepra bamirësie. Ashtu si shën Vasili dikur në Qesari, e ktheu gjithë Nikomedinë në një qytet bamirësie: ndërtoi një godinë dy katëshe me gjithçka që nevojitej për mirëpritjen dhe përkujdesjen për të sëmurët; organizoi një spital me doktorë dhe infermierë, brenda të cilit kujdeseshin jo vetëm për shërimin e trupit, por edhe të shpirtit dhe ndërtoi një kishë pranë tij, kushtuar anargjendëve të shenjtë, Kozma dhe Damian.

Ishte atë i jetimëve, mbrojtës i vejushave dhe drejtonte me dashuri grigjën e tij shpirtërore. Duke ndjekur shembullin e shën Tarasit, Theofilakti kishte ndërmarrë hartimin e regjistrave me emrat e të gjithë të varfërve të qytetit, që t’u shpërndante një lëmoshë mujore. Çdo javë, pas agripnisë së natës, ai iu ofronte të sëmurëve të spitalit banjë me ujë të ngrohtë dhe, pasi ngjishte mesin me një peshqir ashtu si Krishti, shkonte e u mjekonte plagët.

Shën Theofilakti drejtoi kishën e tij në paqe deri ditën kur perandori i ri, Leoni V Armeni (813-820), nxiti një persekutim kundër ikonave të shenjta. Në gjithë perandorinë shkatërroheshin ikonat dhe përndiqeshin murgjit, duke u bërë tortura të tmerrshme.

Në vitin 815, patriarku i shenjtë, Niqifori (2 qershor), mblodhi në kryeqytet një grumbull murgjish, igumenësh dhe episkopësh orthodhoksë, ndërmjet të cilëve ishin shën Efthimi i Sardës (26 dhjetor), shën Emiliani i Kizikës (8 gusht), shën Josifi i Selanikut (14 korrik), Evdhoksi i Amorit, Mihaili i Sinadhës dhe Theofilakti. Pa iu trembur tërbimit të perandorit, ata dolën para tij të bashkuar me anë të besimit të patundur dhe i shpjeguan vlerën e nderimit të ikonave të shenjta. Përpjekjet e tyre iu kundërvunë vullnetit të keq të perandorit dhe të teologëve të oborrit. Kur dëgjoi argumentet e tyre, Leoni u inatos dhe urdhëroi t’i internonin në vende të ndryshme.

Shën Theofilaktin, pasi i rrojtën mjekrën dhe e rrahën në mënyrë barbare, e dërguan në kështjellën e Strovilos, në temën e Sibiriotëve. Ai qëndroi atje për afro 30 vjet, pa mundur të përfitonte nga amnistia që shpalli perandori Mihaili II, kur erdhi në pushtet në vitin 820. Shenjtori duroi me qetësi çdo lloj keqtrajtimi, duke vazhduar të kujdesej nga larg për Kishën e tij. Sistematik në lutjet e gjata të natës për shpëtimin e popullit dhe përforcimin e Orthodhoksisë, ai pati një korrespondencë të gjerë, ku nxiste disa njerëz që të refuzonin të mirat materiale dhe nderet e kota që u bënin ikonoklastët dhe të ktheheshin në besimin e vërtetë dhe të merrnin kryqin dhe inkurajonte të tjerët të qëndronin besnikë deri në vdekje gjatë dëshmisë së tyre.

Në një nga letrat e tij, shën Theodhor Studiti e quan atë: “Kolona e së vërtetës, themeli i Orthodhoksisë, mbrojtësi i besimit dhe mbështetja e Kishës”. Pavarësisht nga gjendja e tij e vështirë në mërgim, Theofilakti mësonte për nevojat e të varfërve dhe të të vuajturve, me qëllim që t’i ndihmonte. Kushdo që i afrohej për të shijuar mjaltin e fjalëve të tij, largohej i shndërruar, duke harruar hidhërimin që kishte dhe falënderonte Perëndinë.

Duke i shtuar martirizimit të tij pa gjak, pra atij të pohimit të besimit, edhe një sëmundje të gjatë që duroi pa u ankuar, shën Theofilakti e dorëzoi shpirtin e tij në duart e Perëndisë rreth vitit 840. Kur perandoresha e devotshme, Theodhora, ndërmori rivendosjen e Orthodhoksisë dhe thirri nga internimi rrëfyesit e Besimit Orthodhoks (843), patriarku i shenjtë, Metodi, e çoi lipsanin e shën Theofilaktit në Nikomedi dhe e vendosi në kishën e Shenjtorëve Kozma dhe Damian.

* * * * *

Oshënar Llazari.

 

Oshënar Llazari ishte me origjinë greke. Kryepiskopi Vasil e ftoi në Novgorod, ku kaloi disa vjet nën drejtimin e tij shpirtëror. Kur ndërroi jetë hierarku, Llazari pa një vegim, ku ftohej të themelonte një manastir në ishullin e vogël Murmansk, në liqenin Onega, i banuar nga fise idhujtare. Pasi i dhanë një sipërfaqe toke, që i përkiste një fisniku të Novgorodit, Llazari u vendos atje, por u përball shpejt me armiqësinë e banorëve, që i vunë flakën qelisë së tij.

Shenjtori u strehua në një shpellë, pa arritur të merrte me vete ikonën e Fjetjes së Perëndilindëses, të cilën ia kishin dhënë ditën e qethjes murg. Pak më vonë, pa ikonën të varej në degët e një peme dhe dëgjoi një zë nga qielli, që e urdhëroi të ndërtonte aty kishë kushtuar Fjetjes së Hyjlindëses. Iu vu menjëherë punës dhe rrezatimi i virtyteve që e dallonin dhe shërimi i shumë të sëmurëve, falë lutjeve të tij, nuk vonuan të tërhiqnin vendasit, që u kthyen në besim.

Kur ishte episkop shën Moisiu i Novgorodit (25 janar), oshënar Llazari vizitoi qytetin dhe mori aprovimin për ngritjen e manastirit. Që nga larg filluan të vinin nxënës, të cilët në fillim e ndihmuan në ndërtimin e kishës kushtuar Ngjalljes së Llazarit. Më pas, dy nxënës me origjinë nga Kievi, Jonai dhe Efrosini, ndërtuan kishën e Fjetjes së Hyjlindëses, ndërsa një nxënës tjetër, Theodhosi, i cili erdhi nga Mali i Shenjtë, ndërtoi kishën e Shën Joanit. Kur shën Llazari ia dorëzoi shpirtin Perëndisë (1391), Theodhosi mori përsipër drejtimin e vëllazërisë dhe ia kushtoi manastirin Fjetjes së Hyjlindëses.

Gjatë shekullit të 15-të, i lumuri Athanas, që kishte famë për jetën e tij asketike, mori përsipër detyrat e igumenit dhe shkëlqeu me shenjtërinë e tij. Lipsani i tij nderohet në një paraklis përbri kishës së shën Llazarit, ku kishin vendosur lipsanin e shenjtorit themelues. Përbri arkës me lipsanin e Athanasit u vendosën edhe zinxhirët që ai mbante në trup.