– Ungjilli – Marku 15:1-15.

 

Edhe menjëherë në mëngjes kryepriftërinjtë mbajtën kuvend bashkë me pleqtë e me shkruesit, dhe gjithë këshillin, edhe si e lidhën Jisuin, e prunë dhe ia dorëzuan Pilatit.

Edhe Pilati e pyeti: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe ai u përgjigj e i tha: Ti po thua. Edhe kryepriftërinjtë e akuzonin shumë, por ai nuk përgjigjej fare. Edhe Pilati përsëri e pyeti, duke thënë: Nuk përgjigjesh fare? Shiko sa dëshmojnë kundër teje. Po Jisui nuk u përgjigj më asgjë, kaq sa Pilati çuditej.

Edhe për të kremte u lironte atyre një të burgosur, cilin të kërkonin. Edhe ishte një, që quhej Baraba, i burgosur bashkë me shokët e tij kryengritës, të cilët në kryengritje kishin bërë vrasje. Edhe turma bërtiti, e nisi të kërkojë siç bënte përherë për ata. Edhe Pilati iu përgjigj atyre, duke thënë: Doni t’ju liroj juve mbretin e Judenjve? Sepse e dinte që kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar për smirë.

Po kryepriftërinjtë nxitën turmën të kërkojë më tepër t’u lirojë atyre Barabën. Edhe Pilati u përgjigj përsëri, e u tha atyre: Ç’doni pra t’i bëj këtij që i thoni mbret i Judenjve? Edhe ata përsëri bërtitën: Kryqëzoje. Edhe Pilati u thoshte atyre: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata më tepër bërtitën: Kryqëzoje.

Edhe Pilati, pasi donte t’i bënte qejfin turmës, u lëshoi Barabën, edhe Jisuin, pasi e fshikulloi, e dorëzoi që të kryqëzohet.