– Apostulli – 1 Joani 4:20-5:20.
Në thëntë ndonjë se dua Perëndinë, edhe urren vëllanë e tij, është gënjeshtar; sepse ai që s’do të vëllanë, të cilin e ka parë, si mund të dojë Perëndinë të cilin s’e ka parë? Edhe këtë urdhërim e kemi prej tij: Ai që do Perëndinë, të dojë edhe të vëllanë.
Kushdo që beson se Jisui është Krishti, ka lindur prej Perëndisë; edhe kushdo që do atë që e ka lindur, do edhe atë që ka lindur prej tij.
Nga kjo e dimë se duam të bijtë e Perëndisë, kur duam Perëndinë dhe ruajmë urdhërimet e tij. Sepse kjo është dashuria e Perëndisë, të ruajmë urdhërimet e tij.
Edhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda. Sepse çdo gjë që ka lindur prej Perëndisë e mund botën, edhe kjo është fitorja që mundi botën: besimi ynë.
Cili është ai që mund botën, veç atij që beson se Jisui është i Biri i Perëndisë?
Ky është ai që erdhi me anë uji e me anë gjaku, Jisu Krishti; jo me anë uji vetëm, po me anë uji dhe gjaku; edhe Fryma është ajo që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta.
Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala, edhe Fryma e Shenjtë, edhe këta të tre janë një. Edhe tre janë ata që dëshmojnë në dhe: Fryma, edhe uji, edhe gjaku; edhe këta të tre janë në një.
Në qoftë se pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe; se kjo është dëshmia e Perëndisë që ka dëshmuar për të Birin.
Ai që beson të Birin e Perëndisë, ka dëshminë në veten e tij; ai që nuk beson Perëndinë, gënjeshtar e ka bërë atë, sepse nuk besoi dëshminë që dëshmoi Perëndia për të Birin.
Edhe kjo është dëshmia, se Perëndia na dha jetë të përjetshme, edhe kjo jetë është tek i Biri. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që s’ka Birin e Perëndisë, s’ka jetën.
Këto jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që ta dini se keni jetë të përjetshme, edhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë.
Edhe ky është guximi që kemi tek ai, se nëse kërkojmë gjë sipas dëshirës së tij, na dëgjon. Edhe nëse e dimë që na dëgjon, çfarëdo që të kërkojmë, e dimë se i marrim kërkesat që kemi kërkuar prej tij.
Në paftë ndonjë vëllanë e tij se mëkaton mëkat jo për vdekje, do të kërkojë, edhe Perëndia do t’i japë atij jetë, atyre që nuk mëkatojnë për vdekje. Ka mëkat për vdekje; nuk them të lutet për atë mëkat. Çdo padrejtësi është mëkat; edhe ka mëkat jo për vdekje.
E dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton; por ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij, edhe i ligu nuk e prek. E dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota gjendet nën pushtetin e të ligut.
Por e dimë se i Biri i Perëndisë erdhi, edhe na dha kuptim që të njohim të vërtetin; edhe jemi në të vërtetin, në Birin e tij Jisu Krisht.
Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e përjetshme.