Hierodëshmorët Efremi, Vasili, Evgjeni etj.

 

Në vitin e dhjetë të mbretërimit të Dioklecianit (300), patriarku i shenjtë i Jerusalemit, Hermoni (300-314), dërgoi episkopë në vende të ndryshme, për të predikuar Ungjillin si apostuj të rinj, veçanërisht në Krime dhe në vendin e skithëve.

Kur arriti në Kerson, shën Vasili nisi menjëherë të shpallte Lajmin e Mirë te paganët, duke i nxitur njerëzit të braktisnin perënditë e rreme dhe të përqafonin rrugën e virtytit, për të fituar jetën e përjetshme. Paganët, duke e akuzuar të zemëruar se po kërkonte të zhdukte traditat e tyre, e dëbuan me forcë nga qyteti. Shenjtori u vendos atëherë në një shpellë në malin Parthenos, brenda së cilës lutej për kthimin e të pabesëve.

Ndërkohë, vdiq papritur djali më i vogël i njërës nga familjet më të pasura të Kersonit. Po atë natë ai iu shfaq në vegim prindërve që vajtonin dhe u kërkoi të thërrisnin hierapostullin që kishin dëbuar, që të lutej për të. Sapo shenjtori filloi të lutej dhe të spërkaste trupin e pajetë me ujë të bekuar, djali u kthye përsëri në jetë. Prindërit dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm besuan te Krishti dhe i kërkuan shenjtorit të pagëzoheshin. Por disa paganë zemër gurë, duke parë me frikë shtimin e të krishterëve, në bashkëpunim me disa judenj, e kapën episkopin, e lidhën me litar dhe e tërhoqën zvarrë nëpër rrugë dhe nëpër vende publike. Me këtë martirizim ai e stolisi fronin episkopal të Kersonit me kurorën e parë triumfale.

Shën Efremi u dërgua në Skithi dhe atje kudo që shkonte predikonte Krishterimin te paganët. Idhujtarët e kapën dhe, kur refuzoi t’u bënte fli idhujve, i prenë kokën. Tregohet se ditën e martirizimit të tij u shfaq një yll mbi lipsanin e shenjtorit, të cilin paganët e kishin hedhur në një grumbull plehrash.

Pak kohë pas kësaj, mbërritën në Kerson episkopët e rinj hierapostuj, Evgjeni, Agathodhori dhe Elpidi. Edhe ata morën gjithashtu kurorën e martirizimit, pikërisht një vit pas martirizimit të shën Vasilit (6 mars).

Pas disa vjetësh, gjatë mbretërimit të Konstandinit të Madh (330), kryepiskopi i Jerusalemit dërgoi shën Eterin si episkop të ri të Kersonit. Duke parë ashpërsinë e banorëve të kësaj krahine, shën Eteri udhëtoi për në Konstandinopojë dhe atje siguroi mbrojtje për të krishterët. Me edikt të perandorit, të pabesët u dëbuan nga qyteti dhe më në fund u bë i mundur ndërtimi i kishës së parë në Kerson. Kur Eteri po kthehej në Konstandinopojë, për të falënderuar shën Konstandinin për mirësinë që kishte treguar ndaj të krishterëve, shenjtori u kap nga paganët, të cilët e mbytën në Danub.

Me kërkesën e të krishterëve të Kersonit, të mbetur jetimë, perandori u dërgoi një episkop të ri, shën Kapitonin. Sapo ai mbërriti në qytet e mirëpriti një grumbull i madh njerëzish, por paganët i kërkuan t’i nënshtrohej provës së zjarrit, që të tregonte vërtetësinë e predikimit të tij. Ata përgatitën një turrë drush dhe i vunë zjarrin. Shenjtori u vesh me rrobat e tij episkopale dhe pas një lutjeje të gjatë në heshtje, urdhëroi dhjakun të thoshte thirrjen liturgjike: “Le të vëmë re!”.

Më pas hyri në mes të flakëve dhe doli prej andej i paprekur nga zjarri, me felonin e tij të mbuluar me thëngjij të ndezur. Atëherë njerëzit thirrën njëzëri: “Ka vetëm një Perëndi të vërtetë, Perëndia i të krishterëve, i cili është lavdiplotë dhe i tërëmadh!”. Të gjithë të pranishmit u pagëzuan. Që nga ajo kohë besimi u fuqizua pa pengesa. Kjo mrekulli u njoh nga Etërit e Sinodit të Parë të Nikeas (325). Thuhet se pas disa vjetësh, kur shenjtori po kthehej nga Konstandinopoja, anija ku ai kishte hipur hasi në një stuhi dhe u përplas në grykëderdhjen e Dnieprit, ku shenjtorin e mbytën disa paganë vendas, më 22 dhjetor.

 

* * * * *

Oshënar Pavli i Thjeshtë.

 

Pavli i lumur, i cili jetonte në Egjipt në kohën e shën Andonit të Madh, ishte bujk i thjeshtë dhe i patëkeq. Ishte martuar me një grua shumë të bukur, por imorale, e cila për shumë kohë arriti t’ia fshihte fajet të shoqit. Një ditë, kur erdhi nga ara, e gjeti duke kryer mëkat me një burrë tjetër. Qeshi me qetësi dhe u tha: “S’ka gjë, s’ka gjë. Por për Jisuin, nuk po e pranoj më. Ik, rri me të dhe fëmijët e saj. Ndërsa unë po iki të bëhem murg.” Shkoi në shkretëtirën e thellë ku jetonte shën Andoni dhe, pasi i trokiti në derë, i kërkoi të bëhej murg nën drejtimin e tij. “Je 60 vjeç, iu përgjigj shenjti, je tepër plak për t’u bërë murg dhe të mbash sprovat e shkretëtirës. Kthehu më mirë në fshat, puno dhe jeto duke falënderuar Perëndinë.”

Por, meqë Pavli këmbënguli dhe i premtoi se do të bënte çdo gjë që do ta urdhëronte, shën Andoni e këshilloi të shkonte në një manastir ku vëllezërit mund të ndihmonin dobësinë e tij dhe pastaj ia mbylli derën e nuk dha asnjë shenjë jete për tri ditë. Por Pavli nuk lëvizi nga vendi, duke qëndruar pa ngrënë dhe, kur Andoni e hapi derën ditën e katërt, ai i tha: “Është e pamundur që unë të vdes diku tjetër dhe jo këtu!”.

Eremiti e pranoi dhe i caktoi një mënyrë jete të ashpër. I dha gjethe palme të lagura dhe e porositi të thurte litarë, duke ndjekur shembullin e tij. Në orën e nëntë, pasi Pavli ishte munduar shumë, Andoni u hoq sikur nuk ishte i kënaqur me punën e tij dhe e urdhëroi ta prishte e ta ribënte që nga fillimi. Pavli e bëri pa u ankuar dhe pa u dekurajuar. Kur erdhi mbrëmja, shën Andoni i tha: “A do që të hamë pak bukë?”. “Si të duash, ava,” iu përgjigj Pavli, pa treguar aspak uri, ndonëse kishte katër ditë pa ngrënë. Andoni kishte disa bukë, i zhyti në ujë dhe, për ta zgjatur provën e rishtarit, përsëriti dymbëdhjetë herë me ngadalë psalmin dhe lutjet që thuhet para ngrënies.

Kur Andoni mbaroi një çyrek, i propozoi plakut të hante dhe një tjetër. “Nëse ha edhe ti një bukë tjetër, o atë, po marr edhe unë një të dytë; përndryshe, as unë nuk do të ha.” “Një më mjafton, sepse jam murg,” tha Andoni. “Edhe mua gjithashtu më mjafton një, u përgjigj Pavli, sepse edhe unë dua të bëhem murg.” Andoni u ngrit, recitoi dymbëdhjetë lutje dhe dymbëdhjetë psalme; pastaj, pas një gjumi të lehtë, u ngrit në mes të natës që të lutej deri në zbardhjen e ditës.

Kur pa se Pavli kishte ndjekur me zell çdo lëvizje të tij, i tha: “Nëse mund të jetosh gjithë ditët kështu, rri me mua”. Pavli iu përgjigj: “Nëse ndonjëherë del diçka më e mundimshme, nuk e di nëse do ta duroj; por atë që pashë këtu, e bëj me lehtësi”. Ditën tjetër shën Andoni i tha i gëzuar: “Ja ku u bëre murg!”.

Pas disa muajsh, duke parë përparimet e dishepullit të tij, i ndërtoi një qeli disa metra larg së tijës dhe i tha: “Je murg tani. Duhet të qëndrosh vetëm, që të sprovohesh nga demonët.” Pavli luftoi me trimëri në vetmi për një vit dhe mori nga Perëndia dhuntinë të dëbonte demonë dhe të shëronte të sëmurë. Një ditë, kur Andonit i çuan një të demonizuar, shenjtori tha: “Kjo punë nuk është për mua, sepse nuk kam pushtet të nxjerr demonë të këtij lloji, por është për Pavlin”. E çuan të demonizuarin te Pavli dhe, duke pasur besim te lutja e atit të tij shpirtëror, i ra mbi shpinë me rrobën e tij, duke thënë: “Dil nga ky njeri, tha ava Andoni!”. Si përgjigje mori fyerjet e demonit për atë vetë dhe për Andonin.

Pastaj doli nga qelia në mesditë, kur i nxehti përvëlonte si furra e Babilonisë, shkoi mbi një shkëmb, u lut dhe i tha Krishtit se nuk lëvizte prej andej nëse nuk e nxirrte demonin nga ai njeri. Demoni nxori atëherë një britmë: “O mizori, u dëbova nga thjeshtësia e Pavlit!”. Dhe, duke dalë nga njeriu, demoni u kthye në një dragua të frikshëm, që u hodh në Detin e Kuq. Kjo është mbështetja që Perëndia u jep atyre që, si Pavli, i përkushtohen Atij tërësisht, me gjithë thjeshtësinë e zemrës.