– Apostulli – 1 Joani 3:21-4:11.
Të dashur, nëse nuk na dënon zemra jonë, kemi guxim tek Perëndia. Edhe çfarëdo që të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse ruajmë urdhërimet e tij, edhe bëjmë ato që i pëlqejnë atij. Edhe ky është urdhërimi i atij: Të besojmë në emrin e Birit të tij Jisu Krisht, edhe të duam njeri-tjetrin, siç na la urdhërim. Edhe ai që ruan urdhërimet e tij, mbetet në atë, edhe ai në këtë, edhe nga kjo e dimë se mbetet ndër ne, nga Fryma që na dha.
Të dashur, mos i besoni çdo fryme, por provoni frymërat nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë dolën në botë. Nga kjo e njihni Frymën e Perëndisë; çdo frymë që rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia. Edhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; edhe kjo është fryma e antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se vjen, edhe që tani është në botë.
Ju djemthit e mi, jeni nga Perëndia, edhe i keni mundur ata; sepse ai që është ndër ju është më i madh se ai që është në botë. Ata prej botës janë; prandaj prej botës flasin, edhe bota i dëgjon ata. Ne jemi nga Perëndia; ai që njeh Perëndinë, na dëgjon; ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Nga kjo e njohim frymën e së vërtetës edhe frymën e mashtrimit.
Të dashur, le të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia, edhe kushdo që ka dashuri ka lindur prej Perëndisë edhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri, nuk e njohu Perëndinë; sepse Perëndia është dashuri. Në këtë u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne: se Perëndia Birin e tij, të vetëmlindurin, e dërgoi në botë, që të rrojmë me anë të atij. Në këtë është dashuria, jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij shlyerje për mëkatet tona.
Të dashur, nëse na deshi kështu Perëndia, edhe ne kemi detyrë të duam njëri-tjetrin.