Gjetja e Kryqit nga shën Elena.

 

Kur shën Elena gjeti mrekullisht Kryqin e Nderuar të Zotit tonë Jisu Krisht, bashkë me kryqet e dy kusarëve, gjeti edhe gozhdët që ishin përdorur për kryqëzimin e tyre. Gozhdët e kusarëve ishin nxirë dhe ndryshkur, ndërsa ato të Shpëtimtarit shkëlqenin.

Shenjtorja i solli në Konstandinopojë dhe ia ofroi birit të saj, shën Konstandinit, i cili një nga ato vendosi në përkrenaren e tij dhe një tjetër në frerin e kalit, për të treguar se ndeshej për fitoren e Krishterimit, ndërsa gozhdën e tretë e vendosi në këmbën e statujës së tij, që ishte vendosur në majë të një shtylle porfiri ngritur pranë Forumit, që Konstandinopoja të mbrohej nga fuqia e Krishtit.

 

* * * * *

42 dëshmorët e Amorit (Aeti, Melisini, Krateri, Kalisti etj.).

 

Në vitin 838, kur Perëndia e ktheu zemërimin e tij ndaj perandorit ikonoklast Theofil (829-842), kalifi i Bagdadit, në krye të një ushtrie të fuqishme saraçenësh, korri një fitore të madhe kundër Bizantit dhe rrethoi qytetin e Amorit, në Frigjinë e Sipërme. Pas trembëdhjetë ditësh saraçenët arritën të futeshin me tradhti në qytet dhe kalifi i vrau të gjithë banorët, po ashtu dhe gjithë fshatarët nga rrethinat, të cilët ishin përpjekur të gjenin atje strehë.

Kalifi kurseu vetëm jetën e dyzet e dy zyrtarëve më të lartë, të gjithë njerëz të shquar dhe nga familje fisnike, të cilët i lidhi me zinxhirë të rëndë dhe i dërgoi në Siri, ku i mbyllën në një burg të errët dhe të neveritshëm. Pija e tyre e vetme ishin lotët, ndërsa për ushqim kishin copa buke të mykura që herë pas here u jepnin gardianët, ose ajo çka fitonin kur ndonjëri prej tyre lejohej të lypte në rrugë. Trupat dhe rrobat iu mbuluan nga krimbat dhe në errësirën e dendur nuk arrinin dot të shikonin njëri-tjetrin. Ishin të dobësuar në limit, e megjithatë nuk e humbën guximin dhe fisnikërinë e shpirtit dhe iu rezistuan të gjitha propozimeve të të dërguarve të kalifit që të hiqnin dorë nga besimi i krishterë.

Kalifi, nëpërmjet tyre, u premtoi se do t’u falte jetën nëse ata do të shtireshin sikur e kishin ndryshuar besimin dhe të bashkoheshin me të në lutjen e tij publike. Martirët iu përgjigjën të dërguarve: “A do të pranonit të bënit të njëjtën gjë po të ishit në vendin tonë?”. “Natyrisht, iu përgjigjën myslimanët, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme se liria”. Atëherë të krishterët iu përgjigjën: “Por ne nuk marrim këshilla për çështjet e besimit prej atyre që nuk janë të qëndrueshëm në besimin e tyre!”

Pas disa ditësh të tjerë njerëz u dërguan për t’i bindur të ktheheshin në fenë islame, duke u premtuar të mira të shumta materiale. Me sytë të ngulitur në qiell dhe të armatosur me fjalë të frymëzuara nga Shkrimi i Shenjtë, luftëtarët e besimit iu përgjigjën se premtime të tilla dëshmojnë falsitetin e besimit tyre, i cili nënshtron shpirtin e arsyeshëm, që është krijuar sipas ikonës së Perëndisë, ndaj tiranisë së trupit.

Martirët e shenjtë i lanë në atë gjendje për shtatë vjet, por e ruajtën të pacenuar Besimin, të cilin e ushqenin çdo ditë me anë të psaljes së Psalmeve të Davidit dhe me anë të Shërbesave të përditshme të Kishës, duke falënderuar Perëndinë që i bëri të denjë të vuanin për Të. Më 5 mars të vitit 845, Badixi, tradhtari që dorëzoi qytetin e Amorit dhe më pas mohoi Krishtin, shkoi fshehtazi në burg. Pasi thirri Konstandinin, sekretarin e patricit Theofil, e informoi se ishin dënuar me vdekje dhe do ekzekutoheshin ditën tjetër dhe i sugjeroi që të shtireshin sikur do të luteshin në publik me kalifin, që t’i shpëtonin vdekjes, por pa e lënë besimin që kishin. Konstandini e largoi femohuesin me shenjën e Kryqit dhe e njoftoi zotërinë e tij se po afrohej ora që do të largoheshin nga kjo botë. Ky i fundit mblodhi të gjithë shokët e tjerë dhe e kaluan natën duke i psalur himne lavdëruese Perëndisë së vërtetë.

Sapo zbardhi dita, një oficer me një ekskortë të madhe erdhi në burg për t’i marrë dhe u përpoq për herë të fundit t’i bindte të luteshin bashkë me kalifin. Martirët iu përgjigjën se ata sigurisht do të luteshin për armiqtë e tyre, por me mënyrën që Zoti Jisu Krisht i mëson, duke iu lutur Perëndisë për të ndriçuar ndërgjegjet e tyre të ngurtësuara dhe për t’i drejtuar ata te njohja e së Vërtetës. Kur dëgjuan këto fjalë, ushtarët ua lidhën duart mbrapa kurrizit dhe i tërhoqën zvarrë, ashtu si delet që i çojnë në thertore, deri në bregun e lumit Eufrat, ku një numër i madh saraçenësh ishin mbledhur për të parë ekzekutimin.

Oficeri thirri Theodhor Kraterin dhe, duke folur me zë të lartë dhe duke thënë se Theodhori kishte qenë prift dhe më pas e kishte braktisur priftërinë për t’iu bashkuar ushtrisë, iu drejtua me fjalët: “Ti që ke marrë armët dhe ke vrarë njerëz, pse dëshiron të dukesh se je i krishterë? A nuk do të ishte më mirë për ty t’i luteshe për ndihmë Muhamedit, meqenëse nuk ke më shpresë te Jisu Krishti, të Cilin e ke mohuar?”. Theodhori iu përgjigj: “Përkundrazi, për shkak të asaj që kam bërë, unë duhet të derdh gjakun tim për Të, që Ai të m’i falë mëkatet!”. Dhe me këto fjalë, duke marrë bekimin e patricit Theofil, bëri një lutje të shkurtër dhe uli kokën te xhelati. Të gjithë të tjerët, njëri pas tjetrit, duke mos u frikësuar e duke mos ngurruar, morën kurorën e lavdisë, duke i bërë saraçenët t’i admironin për guximin e tyre.

Më pas kalifi thirri tradhtarin Badix para tij dhe i tha: “Po të kishe qenë njeri i ndershëm, nuk do ta kishe dorëzuar qytetin tënd; ndërsa, po të kishe qenë një i krishterë i mirë, ti nuk do ta kishe mohuar besimin pas tradhtisë”, dhe dha urdhër t’i prisnin kokën.