– Ungjilli – Marku 14:10-42.

 

Edhe Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë atë atyre. Edhe ata kur dëgjuan, u gëzuan; edhe iu zotuan t’i japin argjendë. Edhe ai kërkonte sesi në kohën e duhur ta dorëzojë atë.

Edhe të parën ditë të të pabrumëtave, kur thernin qengjin e pashkës, nxënësit e tij i thonë: Ku do të shkojmë e të bëjmë gati që të hash pashkën? Edhe dërgon dy nga nxënësit e tij, edhe u thotë atyre: Shkoni në qytet, edhe do t’ju takojë ju një njeri që mban një shtambë uji; shkoni pas tij, edhe ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë se Mësuesi thotë: Ku është vendi ku do të ha pashkën bashkë me nxënësit e mi? Edhe ai do t’ju tregojë juve lart një dhomë të madhe të shtruar gati; atje bëjeni gati për ne. Edhe nxënësit e tij dolën dhe erdhën në qytet, edhe gjetën siç u kishte thënë, edhe bënë gati pashkën.

Edhe kur u ngrys, vjen me të dymbëdhjetët. Edhe ndërsa po rrinin në tryezë e po hanin, Jisui tha: Me të vërtetë po ju them juve se një prej jush do të më dorëzojë, ai që ha bashkë me mua. Edhe atyre zuri t’u vijë keq, edhe t’i thonë një nga një: Mos vallë unë? Edhe tjetri: Mos vallë unë? Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Një nga të dymbëdhjetët, ai që ngjyen bashkë me mua në pjatë. I Biri i njeriut shkon, siç është shkruar për të, po mjerë për atë njeri, me anë të të cilit dorëzohet; mirë do të ishte për atë njeri të mos kishte lindur.

Edhe ndërsa po hanin, Jisui mori bukën, edhe si e bekoi, e theu, edhe ua dha atyre, edhe tha: Merrni hani. Ky është trupi im. Edhe mori potirin, edhe si falënderoi, ua dha atyre. Edhe pinë prej tij të gjithë. Edhe u tha atyre: Ky është gjaku im, i dhiatës së re, që derdhet për shumë. Me të vërtetë po ju them juve se nuk do të pi më nga pema e hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë.

Edhe si psalën himne, dolën në Malin e Ullinjve.

Edhe Jisui u thotë atyre se të gjithë do të skandalizoheni në mua këtë natë; sepse është shkruar: “Do të godas bariun dhe dhentë do të shpërndahen”. Por pasi të ngjallem, do të shkoj më përpara se ju në Galile. Po Pjetri i tha: Edhe në u skandalizofshin të gjithë, unë jo. Edhe Jisui i thotë atij: Me të vërtetë po të them se sot, këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, tri herë do të më mohosh. Po ai edhe më tepër thoshte se në u dashtë të vdes unë bashkë me ty, nuk do të të mohoj. Po ashtu thoshin edhe të gjithë.

Edhe vijnë në një vend që quhet Gjethsimani; edhe u thotë nxënësve të tij: Rrini këtu deri sa të lutem.

Edhe merr me vete Pjetrin dhe Jakovin dhe Joanin, edhe nisi të tronditet e të angështohet. Edhe u thotë atyre: Shpirti im është i pikëlluar deri në vdekje; qëndroni këtu, dhe rrini zgjuar. Edhe si shkoi pak përpara ai ra me fytyrë përdhe, edhe lutej që, në qoftë se është e mundur, të largohet prej tij kjo orë. Edhe thoshte: Abba, o Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë potir; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti.

Edhe vjen e i gjen ata duke fjetur; edhe i thotë Pjetrit: Simon, po fle? S’mundët të rrini zgjuar një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos hyni në ngasje. Sepse shpirti është gati, por mishi është i dobët. Edhe përsëri shkoi e u lut duke thënë po atë fjalë.

Edhe kur u kthye i gjeti ata përsëri duke fjetur; sepse sytë e tyre ishin rënduar, edhe nuk dinin ç’t’i përgjigjen atij.

Edhe vjen të tretën herë, e u thotë atyre: Flini pra, edhe prehuni; mjaft; erdhi ora. Ja Biri i njeriut tek dorëzohet në duart e mëkatarëve. Zgjohuni, le të shkojmë. Ja ai që më dorëzon tek u afrua.