* * * * *
Oshënar Gjerasimi në Jordan.
Ati ynë oshënar Gjerasimi lindi në provincën e Likisë, në fund të shekullit të 4-t, dhe që i vogël hyri në një manastir. Si mësoi rregullat e jetës së përbashkët, dëshira e zjarrtë e Perëndisë e drejtoi në vende të shkreta, ku ushqehej me bimët që mbinin atje natyrshëm. Ditë-natë luftonte kundër frymëve të errësirës dhe pasioneve të mishit. Nga aty shkoi në Tokën e Shenjtë, që të ndërmerrte beteja edhe më të mëdha në vendet e shenjtëruara nga prania e shumë asketëve dhe e apostujve të rinj. Si nderoi Vendet e Shenjta në Jerusalem, shkoi në shkretëtirën e afërt të Detit të Vdekur, të cilën e bëri si qytet, ngaqë virtytet e tij tërhiqnin një numër të madh dishepujsh.
Gjatë kohës së trazirave, që turbulluan murgjit e Palestinës pas Sinodit të Kalqedonisë (451) dhe tërhoqën në herezi më shumë se dhjetë mijë nga ata, oshënar Gjerasimi, për shkak të thjeshtësisë së tij, u tërhoq për pak kohë nga elokuenca mashtruese e monofizitit Theodhos, i cili kishte zaptuar fronin episkopal të Jerusalemit, në vend të Juvenalit (2 korrik). Por kur u takua me shën Efthimin në shkretëtirën e Rubas, kuptoi gabimin, e priti me përulësi mësimin e shenjtorit dhe u kthye në Orthodhoksi, për t’u bërë, si me jetën ashtu dhe me mësimdhënien e tij, mbrojtës i zjarrtë i besimit së vërtetë. Në vazhdim mbajti lidhje të shpeshta me shën Efthimin, dhe çdo vit shkonte më thellë në shkretëtirë, që të kalonte atje periudhën e Kreshmës, deri të Dielën e Palmave, duke kreshmuar rreptë dhe lutje të vazhdueshme. Gjatë javës nuk hanin asgjë dhe të dielave u mjaftonte Kungata Hyjnore.
Duke parë se nxënësit e tij po shtoheshin, ndërtoi një lavër në një zonë më të qetë, në brigjet e Jordanit, ku ndërthuri harmonishëm jetën në bashkësi me atë eremite, duke iu ofruar në këtë mënyrë garën e shenjtë në betejat e virtytit. Rishtarët duhet të jetonin, si fillim, në jetë të përbashkët, në kinov, që të mësonin bindjen dhe kanonet e jetës engjëllore, pastaj ata që ishin të sprovuar mjaftueshëm në asketizëm dhe përulësi shkonin e jetonin si eremitë në zonat përreth. Ata jetonin të ndarë në më shumë se 70 qeli të veçuara nga njëra-tjetra, që secili të kishte mundësi të lutej pa u turbulluar, të psalte, duke u ushqyer vetëm me bukë dhe ujë gjatë pesë ditëve të javës. Të shtunën dhe të dielën eremitët dhe kinoviakët mblidheshin në kishë për të celebruar Liturgjinë Hyjnore dhe për t’u kunguar. Pas vaktit të përbashkët, që pasohej nga disa biseda shpirtërore ose ndonjë fjalim i oshënar Gjerasimit, ata merrnin materialet e duhura për punën e dorës, bukë, disa hurma dhe një shtambë ujë, dhe secili nisej në heshtje për betejën e tij, i vetëm para Perëndisë.
Këta eremitë bënin jetë aq të ashpër, saqë në qelitë e tyre nuk kishin as kandil, as diçka për të ndezur zjarr. Duke e munduar barkun dhe luftuar gjithë pasionet trupore, duke luftuar kundër prirjes së natyrës sonë për kënaqësi, ata mësonin të zotëronin trishtimin, zemërimin dhe të gjitha pasionet e shpirtit, dhe e mbanin mendjen të kthjellët në kujtimin e vazhdueshëm të Perëndisë. Oshënar Gjerasimi u mësonte se si të kujdeseshin për të kultivuar “njeriun e fshehur të zemrës dhe të lartësonin shpirtin drejt soditjes së Mistereve Hyjnore”. Ishin të boshatisur nga çdo lidhje me gjërat e botës, dhe kishin si rregull që, kur dilnin nga qelitë ta linin derën të hapur, që kushdo të mund të hynte e të merrte atë që i nevojitej. Në këtë mënyrë imituan përsosmërisht jetën e apostujve dhe arritën të merrnin nga Perëndia të njëjtat hire.
Shën Qirjako Anakoreti (29 shtator), ende i ri për të ndërmarrë betejat e shkretëtirës, i dërguar nga shën Efthimi te Gjerasimi që të bëhej dishepull i tij, tregonte se një herë jerondi, pasi u lajmërua natën nga një vegim me një kolonë zjarri që ngrihej në qiell, i njoftoi se shën Efthimi sapo fjeti dhe se duhej të shkonin në varrimin e tij, duke bërë me këmbë një distancë të madhe, nga shkretëtira deri në Jeriko.
Një herë tjetër, kur shenjtori po shëtiste në bregun e Jordanit, një luan i tmerrshëm i doli përpara, duke ulëritur nga dhimbja dhe i tregoi putrën e tij të ënjtur, ku ishte ngulur maja e një kallami. Plot dhembshuri, ashtu si Perëndia ka për të gjitha krijesat, Gjerasimi ia hoqi atë, ia pastroi plagën, ia lidhi me fashë dhe e la të ikte. Por luani, plot mirënjohje, nuk donte ta braktiste njeriun e Perëndisë; e ndiqte ngado si dishepull shembullor. Egërsia e tij e natyrshme u zbut dhe hante vetëm bukë e perime. Madje kishte marrë një punë përsipër, të çonte gomarin e manastirit që të kulloste në brigjet e lumit. Një ditë, pasi i shpëtoi nga sytë, gomari iku larg dhe e morën disa njerëz që vinin me deve nga Arabia. Luani u kthye në manastir i trishtuar e me kokën ulur. Shenjtori, duke menduar se e kishte ngrënë gomarin, e qortoi ashpër dhe e dënoi që të bënte punët që bënte gomari të sillte ujë nga lumi në manastir. Pas pak kohësh, burri që kishte marrë gomarin kaloi nga ato anë dhe rastësisht i doli para luanit. Kur njohu gomarin, luani iu hodh, e kapi nga kapistra dhe ia çoi oshënar Gjerasimit në manastir, duke tundur bishtin nga gëzimi. Luanin e pafajshëm e quajtën Jordan dhe që nga ajo ditë jetoi në lavër pa u ndarë nga jerondi, duke u bërë mik i të gjithë murgjve.
Pas pesë vjetësh, kur oshënar Gjerasimi fjeti më Zotin (5 mars 475), Jordani nuk ishte në lavër. Kur u kthye dhe murgjit i treguan për vdekjen e jerondit, ai nuk pranoi më të hante dhe, duke u sjellë sa andej-këtej, nxirrte britma dëshpërimi. Meqë murgjit nuk arrinin dot ta qetësonin, njëri nga ata e ftoi ta ndiqte, që t’i tregonte vendin ku ishte varrosur oshënari. Sapo u afruan te varri, luani u gjunjëzua bashkë me murgun dhe, duke vendosur kokën në tokë ngordhi mbi atë vend, duke lëshuar një klithmë. Joan Mosko(Personi që bëri jetëshkrimin), i cili na e transmetoi këtë episod, e mbyll me këto fjalë: “Të gjitha këto u bënë jo që t’i jepet luanit një shpirt i arsyeshëm, por sepse Perëndia do që të lavdërojë ata që e lavdërojnë, jo vetëm gjatë jetës, por edhe pas vdekjes së tyre, dhe donte të tregonte se sa të nënshtruara ishin kafshët ndaj Adamit para se ai të shkelte porosinë dhe të dëbohej nga Parajsa e kënaqësisë”.
Lavra e oshënar Gjerasimit mbeti për shumë shekuj një nga vendet e larta të murgërisë në Palestinë, deri sa u shkatërrua në shekullin e 13-të. Atëherë murgjit morën me vete lipsanet e shenjtorit dhe shkuan për të jetuar në lavrën e Kalamonit, e cila mori emrin e oshënarit dhe u quajt Lavra e Shën Gjerasimit.
* * * * *
Dëshmorët Pavli Dhe Juliana.
Kur perandori Aurelian (270-275), hyri si i tërbuar në qytetin e Ptolemaidës në Siri, Pavli, një i ri i krishterë, i cili ishte bërë anagnost (lexues), doli para njerëzve me shenjën e Kryqit të vizatuar në ballë. E arrestuan menjëherë dhe e çuan para perandorit, ku deklaroi me vendosmëri se nuk i trembej askujt tjetër, përveç ndëshkimeve të përjetshme të ferrit dhe asgjë nuk mund ta zmbrapste nga besimi i tij, i cili sjell jetën e përjetshme. E varën në një shtyllë dhe xhelatët filluan t’i shqyenin mishrat. Motra e shenjtorit, Juliana, shkoi te tirani dhe e qortoi për mizorinë e padrejtë. Ushtarët e kapën edhe atë i bënë të njëjtat tortura dhe më pas i mbyllën bashkë në një burg të errët. Shenjtorët i ndihmoi hiri i Perëndisë, dhe të dy dolën të paprekur nga torturat. Ata madje arritën të kthenin në besim edhe xhelatët, Kodratin dhe Akakin, të cilëve menjëherë u prenë kokat me urdhër të perandorit.
Atëherë Perëndia ndriçoi qelinë e tyre me dritë të shkëlqyeshme dhe i ngushëlloi, duke u paraqitur një tryezë të mbuluar me gjellë të zgjedhura. Pas tri ditësh, Stratoniku, ushtari që ishte ngarkuar t’i rrihte me shkop, ngurroi ta bënte nga keqardhja që ndjeu për vajzën e brishtë. Por ajo i tha me ton të prerë: “Mos ngurro, Stratonik, që të kryesh detyrën tënde; nuk kam frikë nga asgjë, sepse kam me vete Krishtin, që i bën goditjet e tua të buta si ledhatime!”. Stratoniku i hodhi mjetet e torturës para perandorit, duke thirrur: “Po, i madh është Perëndia i të krishterëve!”. Menjëherë e arrestuan edhe atë dhe e vranë, duke marrë kështu kurorën e martirit.
Ndërsa Pavlin e kamxhikonin, Julianën, pasi shpëtoi nga kafshët helmuese dhe nga tortura të tjera, e çuan në një shtëpi publike; por një engjëll e mbrojti dhe askush nuk guxoi t’i afrohej, kështu që mbeti e pacenuar, duke rrezatuar shkëlqimin e virgjërisë.
Atëherë tirani urdhëroi t’i hidhnin në një gropë me zjarr dhe t’i mbulonin me gurë. Por, befas, një stuhi me shi të zjarrtë shpërtheu mbi perandorin dhe nëpunësit e tij. Aureliani u tremb dhe dha urdhër që t’i nxirrnin shenjtorët nga gropa, por pa hequr nga mendja planet makabre. Pasi i morën edhe një herë në pyetje, tirani urdhëroi që t’u prisnin kokat shenjtorëve dhe trupat t’ua hidhnin si ushqim qenve e bishave. Por asnjë bishë nuk guxoi t’u afrohej dhe pas një jave të krishterët i morën lipsanet e shenjta dhe i varrosën me nderim.