– Apostulli – 1 Korinthianëve 6:12-20.

 

Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha sjellin dobi; të gjitha më lejohen, por unë nuk sundohem prej ndonjë gjëje. Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia edhe këtë, edhe ato do t’i prishë. Po trupi nuk është për kurvërinë, por për Zotin, edhe Zoti për trupin. Dhe Perëndia edhe Zotin e ngjalli, edhe ne do të na ngjallë me anë të fuqisë së tij.

A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr pra unë gjymtyrët e Krishtit, e t’i bëj ato gjymtyrë lavireje? Qoftë larg! A nuk e dini se ai që bashkohet me laviren është një trup me të? Sepse “do të jenë, thotë, të dy në një mish”. Po ai që bashkohet me Zotin, është një shpirt me atë. Largoni kurvërinë.

Çdo mëkat që bën njeriu, është jashtë trupit; po ai që kurvëron, mëkaton në trupin e vet. Apo nuk e dini se trupi juaj është tempull i Frymës së Shenjtë që rri në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe nuk jeni të vetvetes? Sepse u bletë me çmim; lavdëroni pra Perëndinë me trupin tuaj, edhe me shpirtin tuaj, që janë të Perëndisë.