Dëshmorët Isihi, senator, e Eftalia.
Shën Eftalia banonte në Leontini, qytet afër Sirakuzës në Sicili, me të ëmën, që kishte të njëjtin emër, e cila ishte shëruar nga një hemorragji pas shfaqjes së martirëve të shenjtë Alfi, Filadelfi dhe Qiprini (2 maj). Që të dyja u pagëzuan. Sermiliani, vëllai i shenjtores, i cili ishte pagan, kur mori vesh lajmin, iu sul me tërbim së ëmës për ta goditur, por ajo i shpëtoi nga duart falë ndërhyrjes së njërës prej shërbëtoreve.
Kur Eftalia nisi ta kritikonte të vëllain për qëllimet kriminale ndaj së ëmës, Sermiliani iu përgjigj: “Mos do dhe ti të jesh e krishterë?”, “Po, jam e krishterë, iu përgjigj shenjtorja, dhe jam gati të vdes për Krishtin!”. Sermiliani i pabesë i grisi rrobat, e rrahu dhe ia dha një shërbëtori të vet për ta çnderuar. Por, kur burri iu afrua shenjtores, u verbua me lutjen e shën Eftalisë, e cila kishte kërkuar ndihmën e martirëve. Atëherë Sermialiani u tërbua fare, iu sul me shpatë në dorë dhe, si një Kain, i preu fytin së motrës.
* * * * *
Oshënar Nikolla Plana.
Shën Nikolla Plana lindi nga prindër shpresëtarë në vitin 1851, në ishullin Naksos. Që në moshë të re dallohej për thjeshtësinë dhe përkushtimin. Bukën që i jepte e ëma, ua ndante të varfërve të fshatit dhe madje u falte fëmijëve të varfër edhe rrobat e tij. Gjatë gjithë jetës nuk ruajti asgjë për kënaqësinë apo rehatinë personale. U martua në moshën 17-vjeçare dhe pati një djalë, por e shoqja nuk i kuptonte aspiratat e tij shpirtërore dhe e qortonte shpesh. Pas disa vjetësh mbeti i ve e të birin ua besoi prindërve dhe, pasi ia la gjithë trashëgiminë një bashkatdhetari që ishte mbytur në borxhe, mundi t’i përkushtohej tërësisht Perëndisë, duke bërë në mes të Athinës jetën e asketëve të shkretëtirës. U hirotonis prift në vitin 1884, por shpejt u dëbua nga kisha e Shën Pandeleimonit, ku ishte caktuar, dhe u vendos në kishën e thjeshtë të Shën Joan “Gjuetarit”: famulli e përbërë nga vetëm tetë familje, prej të cilave nuk merrte asnjë pagesë.
Megjithëse i pashkolluar, atë Nikolla u bë me përulësinë e tij prifti më popullor në Athinë. Për pesëdhjetë e dy vjet celebroi përditë Liturgjinë Hyjnore në kisha të ndryshme të qytetit, dhe më shpesh në kishëza gjysmë të rrënuara të fshatrave. Duke e identifikuar jetën e tij me atë të Kishës, për të ishte e paimagjinueshme të kryente Blatën e shenjtë e të pagjakshme, pa e shoqëruar me tërë shërbesat e tjera kishtare, ashtu siç kremtohet në manastiret më të rrepta. Fillonte rreth orës 8 të mëngjesit dhe mbaronte në orën 2 ose 3 të drekës. Gjatë Proskomidhisë, ai kujtonte për dy a tri orë emrat e të gjallëve dhe të vdekurve, shkruar në copa të panumërta letrash, të cilat i kishte vendosur me kujdes si pako dhe i mbante përherë me vete. Kur i jepnin emra për t’i kujtuar, bashkë me ndonjë kacidhe, cilado të ishte shuma, ai i kujtonte këta emra për vite me radhë. Dhe kur i kërkonin të celebronte agripni gjatë gjithë natës, lutje ndërmjetuese, Efqeli etj., i kryente të gjitha ato pa llogaritur as kohën dhe as mundin.
Në fund të Liturgjisë, lexonte më shpesh tre ose katër Ungjij, ngadalë e duke i ngrënë fjalët e vështira, dhe pastaj përmendte një listë të gjatë shenjtorësh, sikur të mos donte të hiqte asnjë nga miqtë e Perëndisë që ishin padukshëm të pranishëm. Dhe shpesh, fëmijët dhe shpirtrat shpresëtarë e panë të ngritur mbi tokë gjatë kohës që celebronte.
Këto Liturgji të të thjeshtit Papa Nikolla ishin mistagogji të vërteta, të cilat i zbutnin edhe zemrat më të ngurta dhe tërhiqnin turma besimtarësh, veçanërisht kur kryente agripni në kishën e Profetit Elise, ku psalnin Aleksandër Papadiamanti dhe Aleksandër Moraitidhis. Si një engjëll në mish, prifti i shenjtë ishte gjithnjë i gatshëm të shërbente kudo ku ndodhej dhe të lutej pa dallim për të gjithë, të pasur e të varfër. Paratë që i jepnin besimtarët nuk i zinte mbrëmja, se ua shpërndante menjëherë nevojtarëve ose i dhuronte për ndonjë vepër kishtare. Në këtë mënyrë arriti të ndërtonte edhe kishën e tij, ndihmoi për pajën e shumë vajzave jetime dhe financoi studimet e studentëve të varfër, ndërsa për mbijetesën e tij i mjaftonin disa qindarka. Ushqehej me pak bukë dhe bimë që i mblidhte andej-këndej, ose me ndonjë gotë qumësht që ia ofronin barinjtë.
Me fytyrë përherë të ndriçuar nga një buzëqeshje fëmijërore, ishte e pamundur të kishte armiq: falte ata që e vidhnin, gjente justifikime për ata që e fyenin ose shpifnin për të dhe kaloi përmes gjithë hidhërimeve të jetës me anë të Hirit të Ngushëllimtarit (Paraklitit, Shpirtit të Shenjtë), që banonte tek ai. Vetëm një gjë mund ta bezdiste: t’i ndërprisnin lutjen ose ta pengonin të adhuronte Zotin. Në atë periudhë, ndikimet reformatore të tipit perëndimor u ndjenë edhe në Kishën e Greqisë dhe mitropoliti Melet Metaksakis i ndaloi klerit të kryeqytetit të celebronte agripni. Atë Nikolla iu lut me zjarr Zotit, për pesë ditë e net, që të merrte leje, e cila më në fund iu dha.
Kur kalonte në rrugë, duke ecur ngadalë dhe me vështirësi për shkak se në kishë qëndronte gjithmonë në këmbë, fëmijët e shoqëronin, njerëzit e përshëndesnin dhe tregonin respekt për të. Shoferët e taksive grindeshin mes tyre se kush ta merrte i pari, sepse e dinin se atë ditë do kishin mbarësi. I ashpër me veten, atë Nikolla ishte plot zemërbutësi me besimtarët që shkonin për t’u rrëfyer tek ai, sepse gjenin ngushëllimin e Atit qiellor. Shikonte thellë në shpirtra dhe parashikonte të ardhmen. Një ditë, një grua i dha një bukë meshe për të celebruar Liturgjinë Hyjnore, por shenjti ia refuzoi duke thënë: “Nuk e pranoj për sa kohë që ti bashkëjeton pa qenë e martuar”. Një herë tjetër piu një shishe ku kishte arsenik, duke e kujtuar verë meshe, por e mbrojti Hiri dhe nuk pësoi asgjë.
Model i meshtarit orthodhoks, njeri që u identifikua tërësisht me traditën e shenjtë, bari i njerëzve të varfër e të përulur, atë Nikolla kishte fituar në popull autoritetin e një apostulli të ri. Pas një sëmundjeje të rëndë, fjeti në paqe dhe me buzëqeshje në buzë, më 2 mars 1932, i rrethuar nga shumë njerëz, që kishin ardhur për ta nderuar.