Oshënare dëshmore Evdhokia.

 

Martirja e shenjtë e Krishtit, Evdhokia, ishte me origjinë nga Samaria dhe jetonte në Iliopolis, në Feniki të Libanit, në kohën e sundimit të perandorit Trajan (96-116). Duke qenë se nuk dinte asgjë rreth Perëndisë, kishte rënë në imoralitet dhe e kishte njollosur në prostitucion trupin e saj, të cilin Perëndia ia kishte stolisur me bukuri të rrallë. Të shumtë ishin ata që vinin nga larg dhe i ofronin shuma të mëdha për kënaqësi. Nga kjo tregti e turpshme Evdhokia ishte pasuruar dhe jetonte e shkujdesur deri ditën kur një murg i quajtur Gjermano, i cili erdhi në qytet për të mbaruar disa punë, qëndroi në shtëpinë ngjitur. Në mbrëmje, pasi psali shërbesën brenda në dhomë në orën e caktuar, sikur të ishte në manastir, Gjermanoi filloi të lexonte me zë të lartë një libër që përshkruante ditën e Gjykimit, ndëshkimet e mëkatarëve dhe shpërblimet e të drejtëve. Duke dëgjuar këto fjalë të tmerrshme, Evdhokia u trondit, ndërgjegjja iu zgjua nga topitja ku ishte zhytur për kaq vjet në mëkat dhe derdhi lot gjatë gjithë natës.

Në mëngjes vrapoi te Gjermanoi, i ra ndër këmbë dhe e luti mes lotësh t’i tregonte udhën e shpëtimit. Pasi i foli për besimin, si atë i kujdesshëm shpirtëror, që të provonte vendosmërinë e saj, Gjermanoi i tha të kthehej në shtëpi, ku të lutej për një javë rresht. Ndërsa lutej natën, duke vajtuar për jetën e kaluar, Evdhokia pa papritur një dritë dhe Kryeengjëllin Mihail të zbriste dhe ta drejtonte në qiell, ku bashkësia e të zgjedhurve e priti me gëzim, ndërsa nga jashtë djalli, në trajtën e një qenieje gjigante, i zi dhe i neveritshëm, e akuzonte Perëndinë për padrejtësi, pasi e kishte pranuar menjëherë pendimin e asaj gruaje të përdalë. Një zë i ëmbël u dëgjua që lartazi: “Ky është pëlqimi i Perëndisë, të pranojë me dhembshuri njerëzit që pendohen”. Dhe me urdhër të Perëndisë, Kryeengjëlli e çoi Evdhokinë në banesën e saj, duke i premtuar ndihmën, që do t’i sillte Hiri hyjnor gjatë betejave që do të duhej të bënte kundër mëkatit.

E mbushur me gëzim dhe besim te mëshira e Zotit, Evdhokia u pagëzua nga episkopi i qytetit, Theodhoti, dhe, duke ndjekur me besnikëri mësimet e atit të saj shpirtëror. Pasurinë e përftuar me pandershmëri ia dha një prifti, që t’ua shpërndante nevojtarëve. Pasi u çlirua nga çdo lidhje me botën e çdo përkujdesje jetësore, shkoi të takonte Gjermanoin, i cili e pranoi në një manastir grash, afër me atë ku ndodhej vetë.

Që kur hyri në stadiumin e virtyteve, e lumura tregoi zell të zjarrtë për të fshirë me asketizëm dhe lot pendimi të gjitha gjurmët e pasioneve të saj të hershme. Mbante vazhdimisht në trup, pa e ndërruar kurrë, tunikën që kishte veshur në pagëzim; mësoi përmendësh Psaltirin dhe lutja dhe meditimi i Shkrimeve ishin ushqimi i saj më i parapëlqyer nga çdo ushqim tjetër tokësor. Nga kjo sjellje e admirueshme dhe ndryshim i mirë, ajo mori nga Zoti pushtetin për të kryer mrekulli dhe, kur fjeti igumenia e saj, u zgjodh nga vëllazëria për ta pasuar.

Në këtë kohë, kur disa nga të miqtë e saj të mëparshëm mësuan se për dashurinë e Krishtit Evdhokia kishte hequr dorë nga kënaqësitë e kësaj jete dhe nga kulti i idhujve, e denoncuan te perandori, se kishte përdorur pasurinë e saj për të ndërtuar në shkretëtirë strehë për të krishterët, të cilët kishin ngritur krye ndaj autoritetit perandorak dhe fesë së perandorisë. Por, kur një funksionar i dërguar nga perandori dhe treqind ushtarët e eskortës së tij kërkuan të futeshin në manastirin e shenjtores, një fuqi hyjnore i pengoi dhe i erdhën rrotull murit për tri ditë, duke kërkuar më kot të hynin. Madje, përveç magjistratit dhe tre ushtarëve, të gjithë të tjerët vdiqën.

Kur mori këtë lajm, perandori dërgoi të birin për të kapur shenjtoren. Por edhe ky u godit nga Perëndia dhe vdiq duke rënë nga kali. Duke ndjekur këshillën e njërit nga miqve të saj të mëparshëm, sovrani i shkroi shenjtores, duke i kërkuar të lutej që i biri të ngjallej. Evdhokia iu përgjigj me përulësi, duke i deklaruar se ishte e pafuqishme për të bërë një gjë të tillë. Ajo bëri tri herë kryqin mbi letër, e mbylli dhe e ktheu mbrapsht. Sapo lajmëtari e çoi letrën në pallat para kufomës së princit, ai erdhi në jetë; perandori dhe i gjithë oborri thirrën: “I madh është Perëndia i të krishterëve, që kryen mrekulli të tilla!”. Thuhet se sovrani u pagëzua bashkë me një rreth nga të tijtë dhe princi që u ngjall u bë kryepiskop i qytetit, ndërsa e motra, Gjelasia, u bë murgeshë në manastirin e Evdhokisë.

Perandori Adrian (117-138), që pasoi në fron, ishte idhujtar fanatik. Ai dërgoi në Iliopolis qeveritarin Diogjen, i njohur për mizori, i cili kishte qenë fejuar me Gjelasinë. Meqë ajo kishte parapëlqyer jetën murgërore, ai kishte urrejtjen më të madhe për Evdhokinë. Ndaj, me të marrë detyrën, dërgoi pesëdhjetë burra të armatosur për të kapur shenjtoren. Ndërsa ata ishin gjatë udhës, Krishti iu shfaq Evdhokisë dhe e lajmëroi se kishte ardhur ora që të merrte kurorën e martires. Ajo shkoi në kishë, u kungua, priti me qetësi ushtarët dhe i ndoqi pa kundërshtuar. Gjatë rrugës i paraprinte një engjëll që mbante një pishtar të ndezur, pa e kuptuar paganët.

E lanë katër ditë në burg, pa ngrënë e pa pirë dhe pastaj e nxorën para gjyqit me fytyrë të mbuluar. Por, sapo ia hoqën mbulesën, fytyra e saj shkëlqeu nga drita, gjë që shkaktoi britma habie të të gjithë të pranishmëve. Shenjtorja iu përgjigj me guxim pyetjeve të qeveritarit dhe e ftoi të zbatonte pa humbur kohë planin e tij për ekzekutim dhe të mos e merrte kot në pyetje. E lanë të zgjidhte mes tri alternativave që të shpëtonte: të adhuronte idhujt, të kthehej në jetën e saj të mëparshme ose t’ia kalonte pasurinë e saj thesarit publik. Evdhokia deklaroi se, tani që kishte njohur të vërtetën, nuk bëhej fjalë të kthehej më në jetën e mëparshme, dhe se nuk zotëronte më pasuri, sepse i kishte shpërndarë.

Me urdhër të Diogjenit, katër burra e rrahën dy orë resht. Pastaj, kur u përpoqën ta zhvishnin dhe ta lidhnin në drurin e dënimit, i gjetën enën ku mbante Kungatën e Shenjtë. Kur qeveritari u përpoq ta hapte, doli një flakë dhe i dogji ata që ndodheshin përreth dhe e la Diogjenin gjysmë të paralizuar. Meqenëse ai ra në gjunjë, duke iu lutur perëndisë Diell ta çlironte nga kjo magji, një shkëndijë çau qiellin dhe Diogjeni ra përtokë i vdekur. Ndërkohë, një engjëll i ndritshëm zbriti nga qielli dhe fliste me shenjtoren, pasi e kishte mbuluar me një vello. Një ushtar, që kishte qenë dëshmitar i kësaj skene, u pendua, shkoi ta zgjidhte dhe iu lut të ndërmjetonte për ata që i kishte goditur zemërimi i Perëndisë, që të ktheheshin në jetë dhe të pendoheshin. Evdhokia pati dhembshuri, u lut dhe menjëherë të vdekurit u ngjallën, duke sjellë edhe kthimin e një pjese të mirë të popullit.

Shenjtorja qëndroi në qytet për disa kohë për të mësuar popullin dhe kreu edhe shumë mrekulli të tjera, deri ditën ku Diogjeni vdiq dhe në Iliopolis erdhi qeveritari Vikent, me vendimin e patundur për t’i dhënë fund famës së Evdhokisë. Ai dërgoi ushtarë atje ku banonte, të cilët ia prenë kokën pa asnjë proces gjyqësor, duke i ofruar kështu përmbushjen e dëshirës së saj më të shtrenjtë: bashkimin përfundimtar me Dhëndrin qiellor. Që atëherë lipsani i shën Evdhokisë kreu mrekulli të shumta, të cilat dëshmojnë ndër brezat e të krishterëve fuqinë e pendimit.

* * * * *

Dëshmorët Markeli, Andonina.

 

Shën Andonina ishte një e krishterë nga Nikea e Bitinisë, në kohën e persekutimit të Dioklecianit (rreth vitit 305). U akuzua për blasfemi ndaj perëndive dhe e çuan para qeveritarit, por, pavarësisht nga torturat, rrëfeu me guxim Krishtin. Pas disa kohësh e nxorën nga burgu, por refuzoi t’u digjte temjan idhujve. Pas kësaj e varën në trekëmbësh dhe duroi rrahjet me shkopinj, duke u tallur me pafuqinë e paganëve.

Kur dy xhelatë iu afruan për ta zhveshur, një engjëll zbriti befas nga qielli dhe i largoi. Më pas shenjtoren e shtrinë mbi një skarë të përvëluar, por hiri i Perëndisë e ruajti të paprekur nga djegiet. Në fund, e mbyllën në thes dhe e hodhën në një liqen dhe kështu Shën Andonina fitoi kurorën e martires.