Oshënar Kasiani (Joan Kasiani) Në Romë
Ati ynë oshënar, Joan Kasiani, i caktuar nga Perëndia të sjellë në Perëndim dritën e murgërisë së Lindjes, lindi nga një veprim i lumur i Providencës së Perëndisë rreth vitit 365, në kufijtë e dy botëve, në Skithinë e Vogël, në krahinën e Danubit (Dobruxhia e sotme në Rumani). Bir i një familjeje të shquar, ndoqi me sukses studimet klasike, por, meqenëse kishte etje të zjarrtë për përsosmërinë, ende i ri hoqi dorë nga kënaqësitë e botës dhe shkoi në Tokën e Shenjtë, në shoqërinë e mikut të tij, Gjermanit, vëllai i tij jo nga lindja, por nga shpirti dhe u bënë murgj në një manastir të Betlehemit. Pasi mësuan gjërat kryesore të jetës murgërore kinoviake dhe përvetësuan mënyrën e jetesës së murgjve të Palestinës, të Mesopotamisë dhe të Kapadokisë, ndjenë brenda vetes dëshirën për të pasur më tepër përsosmëri në jetën murgërore. Prandaj vendosën të shkonin në shkretëtirat e Egjiptit, pranë eremitëve, arritjet e të cilëve i kishin dëgjuar të lavdëroheshin nga oshënar Pinufi, që kishte gjetur strehë në manastirin e tyre për t’iu shmangur famës (shih kujtimin e tij më 27 nëntor).
Igumeni i manastirit u dha me ngurrim bekimin, duke i bërë të premtonin se do të ktheheshin shpejt. Pasi admiruan mënyrën e jetesës së murgjve kinoviakë të Deltës së Nilit, Joani dhe Gjermani u futën thellë në shkretëtirë. Kudo që shkonin, kërkonin me ngulm eremitë të shenjtë, për të nderuar tek ata shkëlqimin e Hirit dhe pasurinë e fryteve të tyre, dhe për t’i pyetur gjatë për shkencën e shpirtit.
Ata qëndruan shtatë vjet në Egjipt, duk ndjekur me zell kërkimin e tyre shpirtëror. Shkonin sa nga njëri vend në tjetrin dhe më në fund ata mbërritën deri në shkretëtirën e famshme të Skitës, së themeluar nga oshënar Makari, “i lavdishmi i shkretëtirës, i denji për tu lavdëruar nga të gjithë”, ku luftonin me asketizëm një numër i madh murgjish, midis të cilëve shquheshin etërit e shenjtë Moisiu, Serapioni, Theonai, Isaaku dhe prifti Pafnut.
Ky i fundit i ndihmoi shumë shpirtërisht, kur u tha se murgut nuk i mjafton vetëm të heqë dorë trupërisht nga bota, duke e zhveshur veten prej të mirave, për t’iu përkushtuar përkujdesjes së shpirtit të tij në asketizëm dhe në heshtje.
Por murgu duhet të kryejë edhe “braktisjen” e dytë, që është dëbimi prej vetes i të gjitha zakoneve dhe pasioneve të dikurshme me anë të një lufte të gjatë dhe rezistence, plot me pengesa, që e udhëheq drejt pastërtisë së shpirtit. Ky është qëllimi i murgut: të bisedojë pareshtur me Perëndinë me anë të lutjes së vazhdueshme dhe që mendja e tij, e pashqetësuar nga shpërqendrimet e botës, të jetë në paqe dhe në qetësi brenda shenjtërores së pastruar të zemrës.
Dhe fundi i veprës së tij është jeta e përjetshme, bashkimi me Perëndinë, frytet e para të të cilit mund t’i arrijë me anë të dashurisë hyjnore, duke filluar që prej kësaj jete.
Në fakt, kur murgu mbërrin në fund të largimit të dytë nga gjërat e botës, me shpirtin i tij të lartësuar drejt së vetmes gjë të dëshirueshme, ai duhet të kryejë edhe “braktisjen e tretë”, që përmbledh në vetvete cdo lloj përsosmërie dhe konsiston në dëbimin e çdo mendimi të kësaj bote, për ta lënë veten të rrëmbehet nga Perëndia drejt banesave të përjetshme, në një ndjenjë gëzimi të madh dhe në një valë drite hyjnore…
Duke marrë një mësim të tillë për majat e jetës murgërore dhe duke parë realizimin e tij të gjallë te këta asketë të famshëm, të dy miqtë u përkushtuan me një zell më të madh në jetën soditëse shpirtërore, duke pasur vigjilencë gjatë viteve që jetuan në Skitë. Në qetësinë e qelisë së tij, shën Kasiani mundi të provonte vetë ashpërsinë e luftës së shpirtit të dashuruar me Perëndinë kundër mendimeve pasionante dhe kundër demonëve xhelozë, në veçanti kundër tundimit të plogështisë (akidia), që i torturon eremitët për të braktisur jetën e tyre. Nisur nga kjo përvojë personale dhe nga mësimet e Evagrit të Madh, që e takoi në Nitri, ai hartoi një doktrinë të përsosur për luftën shpirtërore dhe tetë pasionet thelbësore: grykësinë, kurvërinë, koprracine, inatin, trishtimin, dëshpërimin, lavdinë e kotë dhe krenarinës.
Më pas Joani dhe Gjermani vendosën të shkonin në Konstandinopojë, nën hijen e të madhit shën Joan Gojarti (nga viti 401). Sapo i pa, kryepiskopi i shenjtë dalloi me një vështrim të pagabueshëm cilësitë e shpirtrave të tyre, dhe arriti ta bindte Gjermanin të merrte priftërinë prej duarve të tij, ndërsa Kasianit i dha dhjakoninë. Të entuziazmuar nga shkëlqimi i shenjtërisë së shën Joan Gojartit dhe nga elokuenca e tij e madhërishme, Kasiani me zell të madh e vendosi veten nën drejtimin e tij shpirtëror, duke pranuar të sakrifikonte qetësinë e shkretëtirës për të përfituar nga prania e një mësuesi të tillë. Por pas pak kohe shën Joan Gojarti u internua dhe Kasiani bashkë me Gjermanin u dërguan me mision në Romë, në shoqërinë e episkopit Palads, nga kleri dhe populli, për t’i dhënë Papës Inocent I një letër, ku i bëhej apel të ndihmonte kryepiskopin e shenjtë që ishte internuar dhe dëbuar në mënyrë të padrejtë (405).
Shën Kasiani kaloi 10 vjet në Romë dhe u ngrit në gradën e priftërisë, pastaj shkoi në Marsejë, në Gali, ku themeloi: për burra, manastirin e shën Viktorit, mbi varrin e martirit të shekullit të 3-të dhe për gra atë të Shpëtimtarit të Shenjtë (415). Duke qenë një asket i sprovuar dhe një atë me një dallim të shenjtë baritor, përshtati për numrin e madh të murgjve që ishte grumbulluar rreth tij traditën autentike të marrë nga Etërit e Lindjes, duke pasur parasysh edhe veçantitë e kushteve të jetesës në Gali, klimën dhe karakterin e banorëve. Pastaj me kërkesë të shën Kastorit, episkopit të Aptit, ai hartoi veprën Formulime kinoviake, për manastiret që kishte themeluar në Provansë. Oshënar Kasiani i dha murgërisë gale që po lindte armatimin doktrinor, duke nxjerrë ujë nga burimet e gjalla të Etërve të shkretëtirës.
Oshënar Joan Kasiani, nxënës besnik i Etërve të mëdhenj kapadokas dhe i shën Joan Gojartit, u ngrit kundër ndarjes së tepruar që vendosi shën Augustini midis natyrës njerëzore dhe Hirit, për të luftuar kundër herezisë pelagjiane. Në fakt edhe pse çdo dhuratë e shkëlqyer dhe çdo hir vijnë vërtet nga Perëndia, “Ati i dritave”, në analizë të fundit, liria njerëzore, e krijuar sipas ikonës së Lirisë absolute të Perëndisë dhe e ripërtërirë nga Pagëzimi i Shenjtë, është thirrur të përgjigjet dhe të bashkëpunojë me hirin hyjnor, për të prodhuar brenda shpirtit frytet shpëtimtare të virtyteve të shenjta, në atë shkallë sa mund të thuhet së bashku me shën Joan Gojartin: “Puna e Perëndisë është që të japë hirin dhe ajo e njeriut që të paraqesë besimin e tij”.
Pasuesit ekstremistë të shën Augustinit reaguan dhunshëm kundër kësaj doktrine të murgjve provensianë, që nuk ishte gjë tjetër veçse shprehja e mësimit tradicional të Etërve grekë dhe e akuzuan oshënar Kasianin se gjoja kishte rënë në herezinë “gjysmë pelagjiane”. Armik i zhurmës dhe i zënkave, asketi i shenjtë, pasi mësoi në intimitetin e soditjes hyjnore sekretin e një paqeje të qëndrueshme e të ëmbël dhe të një qetësie të lumur”, qëndroi në heshtje, pa kërkuar të justifikohej. Ai dorëzoi në paqe shpirtin e tij rreth vitit 435. I konsideruar shenjtor nga bashkëkohësit, ai nderohet prej asaj kohe nga murgjit e Perëndimit si ati i tyre dhe si një prej etërve më të mëdhenj. Lipsanet e tij të nderuara ruhen deri më sot në manastirin e Shën Viktorit në Marsejë.
* * * * *
Oshënar Gjergji, Episkop i Develtos
Episkopi i shenjtë pohoi me guxim emrin e Zotit Krisht, të njohur në dy natyra (natyra hyjnore dhe ajo njerëzore) dhe me dy vullnete që i korrespondojnë atyre, kundër heretikëve monothelitë. Për këtë arsye vuajti nga sllavët të gjitha llojet e mundimeve.