– Apostulli – 2 Petro 3:1-17.
Po ju shkruaj tani juve, o të dashur, këtë letër të dytë, letra me të cilat zgjoj në mendjen tuaj kujtesë të kthjellët; që të kujtoni fjalët që u parafolën nga profetët e shenjtë, edhe urdhërimin e ne apostujve të Zotit dhe Shpëtimtarit.
Dijeni së pari këtë, se në ditët e fundit do të vijnë përqeshës, të cilët do të ecin pas dëshirimeve të tyre, e do të thonë: Ky është premtimi i ardhjes së tij? Sepse që atë ditë që fjetën etërit, të gjitha mbeten siç ishin qysh në fillim të krijimit. Sepse me dashje nuk e dinë këtë, se me fjalën e Perëndisë u bënë qiejt qëmoti, edhe toka që është bërë prej uji e me anë uji, me anë të të cilave bota e atëhershme u mbulua me ujë dhe humbi. Edhe qiejt e sotëm dhe toka me anë të po asaj fjale janë mbajtur si thesar, duke u ruajtur për zjarr në ditën e gjyqit e të humbjes së njerëzve të pabesë.
Edhe një, këtë mos e harroni, o të dashur, se pranë Zotit një ditë është si një mijë vjet, edhe një mijë vjet si një ditë. Zoti nuk e vonon premtimin e tij, sikundër disa e numërojnë për vonesë; por tregon zemërgjerësi për ne, sepse nuk do që të humbasin disa veta, por të gjithë të vijnë në pendim. Edhe dita e Zotit do të vijë si vjedhës natën; ditë në të cilën qiejt do të shkojnë me krismë, edhe elementet duke u ndezur do të treten, edhe dheu e veprat që janë në të do të digjen krejt.
Kur pra këto të gjitha të treten, çfarë lloji njerëzish duhet të jeni ju në sjelljet e shenjta dhe në shpresëtaritë, duke pritur e duke dëshiruar fort ardhjen e ditës së Perëndisë, në të cilën qiejt duke u djegur në zjarr do të treten, edhe elementët duke u ndezur do të treten? Edhe sipas premtimit të atij presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët rri drejtësia.
Prandaj, o të dashur, duke pritur këto, kujdesuni të gjendeni përpara atij në paqe, të panjollë e patëmetë. Edhe zemërgjerësinë e Zotit tonë numërojeni për shpëtim, sikurse edhe vëllai ynë i dashur Pavël ju shkroi juve sipas diturisë që iu dha atij, sikurse edhe në të gjitha letrat e tij, duke folur në ato për këto çështje, në mes të të cilave ka disa që janë të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit e të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse edhe shkrimet e tjera, për humbjen e vetes së tyre.
Ju pra, o të dashur, duke i ditur që përpara këto, ruhuni, që të mos tërhiqeni nga mashtrimi i të paligjëve, e të bini nga mbështetja juaj. Edhe shtohuni në hir e në njohjen e Zotit tonë dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht. Atij i qoftë lavdia edhe tani edhe në ditën e përjetshme. Amin.