Oshënar Prokop Dekapoliti.
Oshënar Prokopi jetoi në kohën e përndjekjes që shpalli Leoni III Isauri (717-41) kundër ikonave të shenjta. Ishte me origjinë nga Dekapoli, u bë murg në Konstandinopojë dhe, fillimisht, u pastrua nga të gjitha pasionet e ndotjet e mishit me anë të asketizmit dhe lutjes së zemrës.
Më pas, i forcuar nga fuqia e Shpirtit të Shenjtë, shkoi, në shoqërinë e nxënësit të tij, Vasilit, për të kundërshtuar heretikët që mohonin vërtetësinë e Mishërimit të Zotit tonë Jisu Krisht, duke mos nderuar ikonat e shenjta. I pakënaqur vetëm me predikimin e besimit me fjalë, ai konfirmoi besimin orthodhoks me anë të vuajtjeve dhe mundimeve të panumërta, që i duronte me gëzim për hir të dashurisë për të Vërtetën, duke shkëlqyer në botë si ari në fonderi. Pas vdekjes së tiranit (741), persekutimi u fashit dhe shën Prokopi u kthye në manastirin e tij, ku fjeti në paqe pas shumë vjetësh.
* * * * *
Dëshmor Gjelas Aktori.
Gjelasi, me origjinë nga fshati i Mariamnës, pranë Damaskut, mbante rangun e dytë në një trupë komedianësh në Heliopolis (Fenikë), në kohën e Persekutimit të Madh (rreth vitit 303). Gjatë një shfaqjeje, ndërsa ishin duke bërë parodi me ritin e Pagëzimit të Shenjtë, ai u zgjodh për të luajtur rolin e neofitit (të sapondriçuarit që do pagëzohet) dhe shokët e hodhën në një fuçi me ujë të vakët, i shoqëruar nga të qeshurat gjëmuese të spektatorëve.
Por, për shkak të një veprimi të hirit hyjnor, Gjelasi doli nga uji me të vërtetë i shndërruar nga ndryshimi i mirë dhe, sapo veshi tunikën e bardhë, thirri: “Unë jam i krishterë! Gjatë kohës që isha i zhytur në ujë pashë një lavdi të madhe, shkëlqimi i së cilës më mbushi plot me frikë. Dhe tani jam gati të vdes si i krishterë!”.
Spektatorët në fillim u habitën, por kur e kuptuan se nuk po bëhej fjalë për tallje, spektatorët iu sulën si të tërbuar duke e tërhequr zvarrë nga rroba e bardhë jashtë teatrit dhe atje e vranë me gurë. Të krishterët e çuan trupin e martirit të shenjtë në vendlindje, ku më pas mbi varrin e tij u ndërtua një kishë.