– Ungjilli – Marku 13:9-13.

 

Po ju vështroni veten tuaj, sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër këshilla, e nëpër sinagoga do të rriheni, edhe përpara qeveritarëve e mbretërve do të rrini për shkakun tim, për dëshmi tek ata.

Edhe duhet të predikohet Ungjilli më përpara nëpër gjithë kombet. Edhe kur t’ju çojnë që t’ju dorëzojnë ju, mos u kujdesni që më parë, se ç’do të flisni, as mos u mendoni; po ç’t’ju jepet juve në atë kohë, këtë flisni; sepse s’jeni ju ata që flisni, po Fryma e Shenjtë.

Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllain për vdekje, edhe i ati të birin; edhe djemtë do të ngrenë krye kundër prindërve dhe do t’i vrasin. Edhe të gjithë do t’ju urrejnë për emrin tim; po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.